SURETU IHLASË

Dr. Musli Vërbani


– Idhujtarët e kanë pyetur pejgamberin a.s. për prejardhjen e Zotit të tij -Zoti na ruajt.

– Jehudët kanë shkuar te pejgamberi a.s dhe i kanë thënë: O Muhamed, na e përshkruaj Zotin tënd dhe prejardhjen e Tij, sepse ai e ka përshkruar veten e Tij dhe prejardhjen e Tij në Tevratë? Pejgamberi menjëherë ka lëvizur nga vendi dhe i ka ndryshuar fytyra e tij.

– Kanë shkuar një delegacion (koalicion – nga grupe të shumta) te pejgamberi a.s. dhe i kanë thënë pejgamberit a.s.: “Na e përshkruaj Zotin tënd”.

Atëherë Xhibrili e ka zbritur shpalljen me këtë sure.

Vëllezër të nderuar!

Një njeri e ka dëgjuar një tjetër duke lexuar “Kul HuvAllahu Ehadë” dhe përsëriste vazhdimisht.

Të nesërmen ka ardhur te pejgamberi a.s dhe ia ka treguar si rast, thuaja se njeriu dëshironte të tregonte se e ka lexuar shumë.

Atëherë pejgamberi a.s. ka thënë:

“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im (për Zotin), ajo është sa një e treta e Kur’anit.”

Surja Ihlas, kur i adresohet Pejgamberit a.s., njëkohësisht i adresohet gjithë njerëzimit me urdhrin:

Kjo sure i shpreh bazat themelore të besimit.

Kjo sure konsiderohet të jetë një e treta e Kur’anit. Kjo nga shkaku se bazat e ligjësimit Islam janë tri:

– Monoteizmi.

– Vendosja e dispozitave ligjore.

– Sqarimin për praktikimin e monoteizmit dhe të dispozitave ligjore.

Pra:

1. Besim,

2. Sheriat dhe

3. Veprim.

Surja Ihlas tregon për sinqeritetin e adhurimit ndaj Allahut Një dhe se duhet drejtuar vetëm Atij dhe askujt tjetër.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i madhërishëm thotë:

  Kul huvell-Llaahu ehadun.  
“Thuaj: Ai, Allahu është Një!”
  (El-Ihlas: 1)

O pejgamber, atyre të cilët të pyesin për atributet dhe prejardhjen e Zotit tënd, thuaju: Ai Allahu është Një. Pra:

Ai është Një, i Vetmi në veten e Tij dhe me atributet e Tij.

Ai nuk ka ortak, nuk ka të ngjashëm, nuk ka të barabartë.

Sikur Ai nuk ka asgjë.

O besimtarë, atyre të cilët të pyesin për atributet dhe prejardhjen e Zotit, thuaju: Ai Allahu është Një.

“Thuaj: Ai, Allahu është Një!” duke dëshmuar kështu faktin që Allahu i Lartësuar me atributet e Tij është një, pa ortak.

“Thuaj: Ai, Allahu është Një!” duke dëshmuar kështu faktin që Allahu i Lartësuar me emrat, e Tij është një, i pazëvendësueshëm.

“Thuaj: Ai, Allahu është Një!” adhurimi i përket vetëm Atij dhe askujt tjetër.

Në çdo formë dhe mënyrë Allahu është Një dhe i Vetëm.

Parim themelor i besimit:

– Deklarimi se Zoti është Një dhe

– Të mos i përshkruhet diçka çka nuk i takon.

Sa i përket deklarimit se Zoti është Një: Deklarimi bëhet me gjuhë, ndërsa bindja me zemër. Ky është themeli i besimit.

Sa i përket idhujtarisë: Ai i cili nuk beson në Zotin Një, i cili nuk beson se Ai është Zoti dhe Përkujdesësi i Cili nuk ka ortak, nuk ka të ngjashëm dhe nuk ka të barabartë, ai, absolutisht nuk i takon fesë, sado që ai individ mundohet ta kompenson me diçka prej iluzioneve, ideologjive apo thënieve tjera.

Vëllezër të nderuar!

Kur Zoti i Madhërishëm thotë:

  All-llaahus-samedu.  
“Allahu është mbështetja (Atij i mbështetet çdo krijesë).”
  (El-Ihlas: 2)

 “Allahus samed” (Allahut i kërkohet mbështetja për çdo gjë): Qëllimi është se:

vetëm Ai i plotëson nevojat, Ai ka mundësi t’i realizon nevojat e krijesave.

Fjala “Samed” – Ai është te i Cili mbështeten nevojat e nevojtarët. Pra pikësynohet për t’i plotësuar nevojat.

Ai është “Es Samed”, Ai është i Cili duhet të jetë caku.

Ai është synimi dhe qëllimi i çdo krijese.

Çdo krijesë ka nevojë për Të, kurse Ai nuk ka nevojë për asgjë:

“Allahu është Ai, që çdo krijesë i drejtohet dhe i mbështetet për çdo nevojë.”

Fjala “Samed” është fjalë për kërkim ndihme, pra: pikësynohet ndihma.

Çdo njeri dhe çdo gjë varet prej Tij, ndërsa Ai është i Pavarur prej tyre.

Kjo e zhvleftëson besimin e idhujtarëve arab dhe të ngjashmëve me ta, se ekziston ndërmjetësimi dhe shefaati.

“Samed”: Ai është te i Cili mbështeten të gjitha krijesat për nevojat dhe për çështjet e tyre.

Ai është Zoti i përsosur.

Ai është Fisniku i përsosur me fisnikërinë e Tij.

Ai është Madhështori i përsosur me madhështinë e Tij.

Ai është i Buti i përsosur me butësinë e Tij.

Ai është i Dituri i përsosur me diturinë e Tij.

Ai është i Urti i përsosur me urtësinë e Tij.

Ai i plotëson të gjitha atributet fisnike dhe të Zotit.

Ai është Allahu Famëlartë, cilësitë të cilat nuk i posedon askush përpos Zotit.

Të gjitha krijesat janë nevojtare për Të.

Të gjitha krijesat janë nevojtare për ardhjen e tyre në ekzistencë.

Të gjitha krijesat janë nevojtare për rregullimin e jetës së tyre dhe për vazhdimësinë e saj dhe

Të gjitha krijesat janë nevojtare, i drejtohen për çdo nevojë, kërkesë, gjendje dhe vështirësi:

“Atij i drejtohet me lutje kush është në qiej e në tokë.

Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja.” (Err-Rrahman: 29)

“Atij i përgjërohet gjithçka në amshim, tek Ai përfundon Zotërimi i gjithçkaje.”

Në këtë ajet sqarohet se Zoti xh.sh. nuk ka nevojë për asgjë dhe se çdo gjë ka nevojë për Të.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Lem jelid ve lem juuled.  
“As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.”
  (El-Ihlas: 3)

Kjo do të thotë se:

Allahu nuk ka paraardhës dhe as pasardhës.

Nuk ka fëmijë nga Zoti dhe Ai nuk është i lindur nga ndonjë prind.

Allahu nuk është krijuar nga diçka.

Ai është i Përhershmi pa fillim. Nuk ka të parë para Tij.

Është cilësuar me cilësi të përhershmit pa fillim për të mohuar çështjen se është i krijuar, ashtu siç mohohet çështja e zhdukjes dhe përfundimit të Tij, siç figuron në ajetin tjetër:

“Ai është i pari që s’ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi, dhe Ai është më i dijshmi për çdo gjë”. (El-Hadidë: 3)

Fjalia e parë: “Nuk ka lindë” ka qëllim shumëdimensional.

E mohon çështjen se Allahu ka fëmijë:

– I përgjigjet idhujtarëve, të cilët pretendonin se melaqet janë bijat e Allahut.

– I përgjigjet jehudëve, të cilët thoshin se Uzejri është djali i Zotit.

– I përgjigjet të krishterëve, të cilët besonin në Trinitet dhe thoshin se Mesihu është djalë i Zotit.

– I kundërpërgjigjet atyre të cilët besonin në zotin e natës dhe zotin e ditës.

– I kundërpërgjigjet Sabiitëve, të cilët besonin në yje.

– Ai është i Përjetshëm, pa fillim dhe pa mbarim.

– Allahu nuk është as baba, e as nënë që lind dhe as fëmijë i lindur.

– Krijesat janë të lindura prej njëra-tjetrës dhe njëra është prind dhe tjetra e lindur, dhe çdo krijesë është krijuar prej një lënde.

Zoti i Lartmadhëruar është i Pastër nga përngjasimi me ta, ashtu siç është i pastër nga përngjasimi me krijesat edhe në çdo cilësi tjetër.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtetë të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet, e malet sa s’rrëzohen të thërrmuara, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.

“Kurrë nuk i shkon të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit do të dalë fill i vetëm para Tij.”

Njëkohësisht ky ajet hedh poshtë pretendimet e shtrembëruara të jehudëve: “E jehuditë thanë: Uzejri është djali i Allahut.”

Njëkohësisht ky ajet hedh poshtë pretendimet e shtrembëruara të krishterëve: “E të krishterët thanë: Mesihu është djalë i Allahut.” dhe

Njëkohësisht ky ajet hedh poshtë pretendimet e shtrembëruara të idhujtarëve të Mekës: “Ata i përshkruajnë Allahut vajza.” të cilët i përshkruan Zotit diçka që nuk i përkon.

 Në një hadith kudsij thuhet se Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Allahu i Lartësuar ka thënë:

– Më përgënjeshtroi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë.

– Më ofendoi biri i Ademit dhe nuk i takonte ta bënte këtë.

– Sa i përket përgënjeshtrimit, është fjala e tij: Zoti nuk do më kthejë (ringjallë) ashtu siç isha më parë dhe se rikthimi (i krijimit) nuk është më i lehtë për Mua se fillimi i tij.

– Sa i përket ofendimit, qëndron te fjala e tij: Allahu ka fëmijë, ndërkohë që unë jam Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lindur, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë me Atë!”

Në Sahihun e Buhariut figuron:

“Nuk ka durimtarë më të veçantë se Allahu, i dëgjon se Allahut i përshkruajnë se ka fëmijë, mirëpo Ai prapë se prapë i furnizon dhe i Falë”.

Përfundim

  Ve lem jekun lehuu kufuven ehadun.  
“Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.”
  (El-Ihlas: 4)

Ky është një ajet madhështor i Kuranit të ndershëm për shkak të paraqitjes mbi adhurimin dhe reflektimin mbi konceptin e Zotit në besimin islam.

Zoti i Madhërishëm i ka mohuar të gjitha llojet e politeizmit dhe mosbesimit me fjalët: “Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” Ky është kuptim shumëdimensional. Pra,

 Zoti nuk i ngjanë krijesave: “Dhe si Ai nuk është asgjë dhe askush”.

Nuk është si Ai asgjë dhe askush as në emrat e Tij.

Nuk është si Ai asgjë dhe askush as në cilësitë e Tij.

Nuk është si Ai asgjë dhe askush as në veprat e Tij.

Nuk është si Ai asgjë dhe askush as në të gjitha të drejtat e Tij absolute me të cilat Ai është veçuar nuk ka të ngjashëm.

Nuk ka as shembull, e as të barabartë siç pretendonin politeistët kurejshë me adhurimin e idhujve.

 Ajeti “Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” tregon ndryshimin absolut midis Krijuesit dhe krijesave.

Nuk është askush i barabartë me Të.

Nuk i përngjanë askush dhe asgjë.

Nuk ka ortak me Të.

Allahu mohon të ketë ortak dhe e zhvleftëson idenë e besimit të idhujtarëve, të cilët thoshin se Allahu ka bashkëpunëtorë në veprimet e Tij. Ata thoshin se Melekët janë ortakë me Allahun.

Allahu ekziston Vetvetiu dhe çdo gjë është e krijuar dhe ka nevojë për Të. Allahu është i Lartë nga çdo gjë.

Allahu ekziston dhe është i pavarur nga çdo gjë.

Nuk ka as të ngjashëm dhe as të barabartë për Të.

Të ngjashme me këtë sure vërejmë edhe në ajetet tjera:

“Ai (Allahu) është që krijoi (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe tokën (e duke qenë i tillë), e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo send e krijoi Ai dhe është më i dijshmi për të gjitha sendet e krijuara”. (El-En’am: 101)

 Ai është Krijuesi dhe pronëson çdo gjë. E pra, si është e mundur që krijesa t’i ngjanë Atij?

Ai është dhe do të jetë dhe me të nuk ka dhe s’do të ketë asgjë.

Çdo gjë që ekziston, ekzistencën ia detyron Allahut të Madhërishëm, ngase ekzistenca e çdo gjëje varet nga vullneti i Tij.

Ai është që krijoi ata dhe përfundimi i tyre është në kompetencën e Tij.

Gjithçka në gjithësi ndodh brenda kornizës së rregullave të vendosura prej Tij.

Ky është një ajet madhështor i Kuranit të ndershëm për shkak të përmbajtjes së tij prej çështjeve madhështore dhe atributeve të larta të Allahut të Madhëruar.

Ai qëndron përtej të gjitha përfytyrimeve njerëzore rreth Tij.

Krijesat nuk mund të imagjinojnë dot asnjë pjesë të Cilësive të Tij të Larta dhe nuk mund t’i përshkruajnë dot ato me gjuhët e tyre.

Nuk është trup. Kjo është në kundërshtim me ata të cilët i përshkruajnë Zotit trup.

Me të drejtë Ibn Abasi r.a. ka thënë: “Meditoni për çdo gjë, vetëm mos meditoni në Vet Zotin”.

Lini një koment