Dr. Musli Vërbani
Fitër Bajrami simbolizon fillimin e epokës kur’anore, simbolizon fillimin e shfaqjes së Islamit nëpërmjet shpalljes së fundit – Kur’anit.
Zbukuroni festat me tekbirë. Në festat tona kjo fjalë duhet të jetë kryefjala.
Allahu Ekber, për agjërimin të cilin e kemi agjëruar.
Allahu Ekber, për zekatin të cilin e kemi dhënë.
Allahu Ekber, për iftaret të cilët i kemi shtruar.
Allahu Ekber, për namazet të cilat i kemi falë.
Allahu Ekber, për Kur’anin të cilin e kemi lexuar.
Allahu Ekber, për ligjëratat të cilat i kemi dëgjuar.
Allahu Ekber, për dhikrin dhe lutjet të cilat i kemi bërë.
Allahu Ekber dhe vetëm Allahut i takon falënderimi.
Vëllezër të nderuar!
Me tekbirë i vendosim themelet e shtëpive tona.
Me tekbirë i vendosim themelet e institucioneve tona.
Me tekbirë i zbukurojmë festat tona.
Tekbiri është simboli jonë.
Tekbiri nuk është fjalë e cila vetëm thuhet, por është ndjenjë e cila ngrihet dhe zhvillohet.
Tekbiri është atëherë kur në sytë e tu e tërë bota është e vockël përballë Allahut të Lartmadhëruar.
Tekbirë do të thotë që ta dish se Allahu është më i Madh se çdo gjë:
– Nëse pasuria jote është e rëndësishme, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm për ty.
– Nëse fama jote është e rëndësishme për ty, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm.
– Nëse jeta jote është e rëndësishme për ty, Allahu duhet të jetë më i rëndësishëm.
Vëllezër të nderuar!
Ramazani i këtij viti shkoi:
– Kush ka përfituar, ka përfituar për veten e vet, kush ka dështuar, ka dështuar për veten e vet.
Ramazani i këtij viti shkoi:
Te ne kanë mbetur veprat: Të mirëve u kanë mbetur veprat e mira, të këqijve u kanë mbetur veprat e këqija.
Dita e bajramit i ngjanë ditës së gjykimit, ku disa fytyra do të jenë të ndritura dhe të gëzuara dhe disa fytyra tjera do të jenë të zeza dhe të pikëlluara.
– Sa i përket atyre të cilat do t’i kenë të gëzuara, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Atë ditë do të ketë fytyra të shndritura, të buzëqeshura e të gëzuara.” (Abese: 38-39).
Të përgëzuarit do të gëzohen dhe do të jenë të lumtur. Allahu ua plotëson begatinë e agjërimit dhe të namazit.
– Sa i përket atyre të cilat i kanë fytyrat e zeza, janë ata të cilët nuk kanë agjëruar dhe nuk kanë falur namaz. Për ta Zoti i madhërishëm thotë:
“Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhëruara, që i ka mbuluar errësira e zezë.” (Abese: 40-41).
Vëllezër të nderuar!
Ramazani shkoi:
Sa e sa ajete të Kur’anit janë lexuar.
Se e sa balle të fytyrave në sexhde kanë ra.
Sa e sa lutje janë bërë.
Sa e sa xhami të muslimanëve janë ndriçuar natën me lexim Kur’ani.
Sa e sa xhami janë ndriçuar me lutje e me namaz.
Sa e sa Lavdfalënderime janë ngritë nga toka në qiell, siç thotë Zoti i Madhërishëm:
“Fjala e mirë ngrihet tek Ai dhe gjithashtu vepra e mirë vlerësohet dhe çmohet.”
Sa e sa ligjërata janë ligjëruar.
Sa e sa iftare janë shtruar.
Sa e sa manifestime janë bërë.
Kemi agjëruar për 30 ditë, jemi falë 30 ditë, kemi dhënë fitrat e agjërimit, andaj sot e madhërojmë Allahun për faktin se na ka udhëzuar. Kështu që, Festa e Fitër Bajramit është një falënderim për kryerjen e suksesshme të Muajit të Ramazanit, për të cilën Zoti i Madhërishëm thotë:
“për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër), dhe për këto (lehtësi) duhet të madhëroni Allahun, që u ka drejtuar në rrugë të drejtë e të bëheni falënderues ndaj Tij.” (Bekare, 185).
Andaj, dëshirojmë që muslimanët të cilët angazhohen për fenë e tyre, të jenë të gatshëm të sakrifikojnë për fenë e tyre, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
“Pra, gëzojuni tregtisë që bëtë me Të. Ky është sukses i madh.” (Tevbe, 111).
Vëllezër të nderuar!
Të dini se kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve, ndërsa hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e prindërve.
Ti, i cili nuk i ke gëzuar prindërit:
– Shko dhe gëzoji prindërit.
– Shko te prindërit kërko hallallin prej tyre.
– Shko te prindërit kërko falje prej tyre.
– Kur të largohesh prej prindërve, lutu për ta në mosprezencën e tyre, mbaji në zemër, lutu për ta, sepse atëherë Zoti do të ta qetëson zemrën.
Mos i harroni të varfrit, mos i harroni të sëmurët, vizitoni të sëmurët, vizitoni familjarët, forconi lidhjet familjare. Bëhuni kala e fortifikuar të cilën nuk mund ta shembë askush.
Vëllezër të nderuar!
Jemi në ditën e Bajramit. Jemi në një ditë prej ditëve të Allahut. Me Lavdfalënderim përfundojnë punët e mira, me kënaqësinë e Zotin vulosen punë e mira.
Pejgamberi a.s. e ka falë Bajramin në fushë, në vend publik, ashtu që, që të gjithë të tubohen në një vend, që të jetë panair i madh Islam, ku tubohen gra dhe burra. Në namazin e bajramit është mirë të marrin pjesë edhe gjinia femërore. “Pejgamberi urdhëronte edhe gratë që të dalin dhe të falin namazin e Bajramit”.
Në qytet, Festa e Bajramit është panair qytetar.
Në shtet, Festa e Bajramit është panair kombëtar, ndërsa
Në Qabe, Festa e Bajramit është panair ndërkombëtar Islam.
Përfundim
Vëllezër të nderuar!
Muslimani i ka pesë bajrame:
– Çdo ditë të cilën e kalon pa mëkate është bajram për muslimanin;
– Dita e vdekjes është ditë bajrami, nëse vdes musliman;
– Dita e kapërcimit të urës së siratit është ditë bajrami;
– Dita kur do të hynë në Xhenet është ditë bajrami, dhe
– Dita kur do të takohet me Zotin në botën tjetër, siç thotë pejgamberi a.s.:
“Agjëruesi i ka dy gëzime: Gëzohet kur bënë iftarë pas agjërimit. Gëzohet kur ta takon Zotin e tij me agjërimin e tij”.
Për hajr Fitr Bajramin!
Zoti na e pranoftë:
– agjërimin,
– dhënien e zekatit (e atij i cili e ka pas obligim),
– sadakanë e këtij muaji,
– ndihmat vullnetare të përditshme,
– namazin (dhe namazin vullnetar) gjatë këtij muaji,
– dhikrin gjatë këtij muaji,
– veprat tona të mira,
– dhe na e mundësoftë të takohemi me Zotin e Lartmadhëruar në botën tjetër dhe ta përjetojmë shpërblimin prej tij ashtu që ne të jemi të kënaqur me Zotin dhe Zoti të jetë i kënaqur me ne.