SURETU KEVTHER 

Dr. Musli Vërbani


Suretu Kevther është sureja më e shkurtë e Kur’anit.

Suretu Kevther edhe pse është sure e shkurtër, ka begati të shumta.

Suretu Kevther është sure e të mirave të shumta dhe të pakrahasueshme.

Kjo sure ka zbrit për pejgamberin tonë fisnik.

Kjo sure përmban përgëzimin më madhështor.

Kjo sure, atë që përmban për pejgamberin a.s., e përmban edhe për umetin e tij.

Kevtheri, të cilin ia ka premtuar pejgamberit a.s., janë të mirat të cilat i janë dhënë pejgamberit a.s. në këtë botë dhe në botën tjetër.

Vëllezër të nderuar!

Përderisa Pejgamberi a.s. ka qenë në xhami me shokët e tij, është vërejtur se Muhamedit a.s. i ka shndritur fytyra. Me fjalë tjera, sehabet e kanë vërejtë se Muhamedit a.s. i ka buzëqesh fytyra.

Pastaj Sehabet e kanë pyetur pejgamberin a.s. për arsyen e gëzimit. E kanë pyetur për arsyen e buzëqeshjes së tij.

Pejgamberi a.s. ju ka thënë:

“Në këtë moment më zbriti një sure dhe e ka lexuar:

  Inna eatajnakel Kevther Fe Sal-li li Rabbike venhar Inne shanieke huvel Ebter.  
“Ne të kemi dhënë ty të mirat e shumta. Fale namazin vetëm për Zotin tënd dhe preje Kurbanin (vetëm për Zotin tënd). Pa dyshim se urrejtësit e tu (ata) do të jenë farësosur).”
  (Kevther, 1-3)

Pastaj pejgamberi a.s. ka pyetur:

A e dini se ç’është Kevtheri?

Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë – i janë përgjigjur.

Atëherë i Dërguari i Allahut ka thënë:

“Keutheri është një liqe, të cilin Allahu, ma ka premtuar mua. Në të ka mirësi të shumta.

Ai është burimi tek i cili do të vijnë Umeti im në Ditën e gjykimit.

Enët e tij janë sa yjet (në qiell)…”

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket fjalës “Kevther” të ajetit të parë të kësaj sureje: “Inna eatajnakel Kevther” duhet ta dimë se:

Kevther është Kur’ani.

Kevther është Suneti.

Kevther janë Udhëzimet.

Kevtheri është feja islame.

Kevther është vetë pejgamberia. Pasi me dhënien e pejgamberisë, atij i ishin dhënë të mirat e kësaj bote dhe e botës tjetër.

Kevtheri është lavdi dhe fama e emrit të Muhamedit a.s.:

“Ve refa’ëna leke dhikrek” –  “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde.” (El-Inshirah, 2).

Kevther nënkupton Shefatin e Muhamedit a.s. në botën tjetër.

Kevther nënkupton pozitën e lartë të Muhamedit a.s. në botën tjetër.

Kevtheri është fjala “La ilahe il-la Allah, Muhamedun resulul-llah”.

Të gjitha këto janë kevther.

Të gjitha këto kurorëzohen me akumulimin e ujit në një liqe të madh të pejgamberit a.s. në Ditën e gjykimit.

Të gjitha këto kurorëzohen me akumulimin e ujit në një liqe të madh, i cili liqe e ka:

– shijen më të ëmbël se të mjaltit,

– ngjyrën më të bardhë se të qumështit,

– aromën më të mirë se të miskut.

Kush e pi atë ujë, nuk ndien etje kurrë!

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket ajetit të dytë: “Fesali li Rabike venhar” “Fale namazin vetëm për Zotin tënd”, kërkon për sinqeritetin në fe. Kjo ngase Kevtheri është fryt i sinqeritetit.

Pjesa e ajetit: “Falu për hir të Zotit tënd!” është një urdhër i qartë se namazi duhet të jetë vetëm për Allahun, sikur edhe sakrifica që duhet të bëhet vetëm në emër të Tij, ku besimtari bashkon sinqeritetin me besimin, duke besuar bindshëm se Allahu është Një dhe se vetëm Ai meriton flijimet tona.

Sa i përket pjesës së ajetit: “Fale namazin vetëm për Zotin tënd”:

– Disa mendojnë se këtu bëhet fjalë për faljen e namazit në përgjithësi. I këtij mendimi është Ibn Abasi i cili ka thënë se këtu fjala: “Falu” është për faljen e 5 kohëve të namazeve.

– Disa tjerë mendojnë se këtu Fjala “Falu”, është për faljen e namazit në ditën Bajramit të Kurbanit.

Fjala “venhar” (ther kurban), ka për qëllim prerjen e kurbanit në ditën Bajramit të Kurbanit.

Para shpalljes së Kur’anit ishte traditë e idhujtarëve që gjatë tavafit rreth Qabesë, t’u luteshin idhujve duke fishkëlluar dhe duke ecur lakuriq. Pastaj, për hir të tyre, flijonin kurbanë të ndryshëm, që gjoja të arrinin bekimin e tyre.

Në lidhje me këtë porosi hyjnore, kemi edhe një ajet tjetër kur’anor, ku Pejgamberi a.s. porositet nga i Lartmadhërishmi me fjalët:

“Thuaj: namazi im, kurbani (flijimi) im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!” (En’am, 162)

Shihet qartë se ajeti i dytë i kësaj sure: “Ti falu për hir të Zotit tënd dhe ther kurban!” është një urdhër i qartë drejtuar Muhamedit a.s. se, namazi, therja e kurbanit dhe çdo ibadet tjetër, duhet të jetë vetëm për Allahun.

Nëse do ta analizojmë mirë rrjedhën e ngjarjes, ajeti sikur thotë kështu:

“O i Dërguar! Zoti ty të ka dhënë aq shumë të mira, andaj ti tani fal namaz dhe bëj kurban për hir të Tij!”

Do të thotë, o Muhamed, ji i kujdesshëm në faljen e namazeve dhe bëji vetëm për Allah.

Do të thotë, o Muhamed, prej kurban vetëm për Allah.

Ajeti tregon për atë kur pejgamberi a.s. është urdhëruar të falënderojë Zotin dhe të jetë i sinqertë në fe.

Kështu pra, “Fe Sali li rabike venhar” ka kuptimin: “Fale namazin vetëm për Zotin tënd dhe preje Kurbanin (vetëm për Zotin tënd)”.

Dihet se:

Namazi dhe Kurbani janë dy adhurime madhështore:

– Namazi është adhurim fizik.

– Kurbani është adhurim material.

– Ai i cili ia do vetes të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër dhe dëshiron të pijë ujë të Kevtherit, le ta kryej adhurimin fizik e të bëhet rob i Allahut dhe të jetë i sinqertë në fe.

– Ai i cili ia do vetes të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër dhe dëshiron të pijë ujë të Kevtherit, le ta kryej adhurimin material kurbanin dhe le të bëhet rob i Allahut dhe të jetë i sinqertë në fe.

Vëllezër të nderuar!

Ajeti i fundit i kësaj sure është: “Inne shanieke huvel Ebter” e që e ka kuptimin: “Pa dyshim se urrejtësit e tu (ata) do të jenë farësosur .” (Kevther, 3).

Idhujtarët në kohën e pejgamberit a.s., kur i kanë parë muslimanët të dobët e në numër të vogël, thoshin se kush i përmbahet fesë do të zhduket.

Idhujtarët në kohën e pejgamberit a.s. e përgëzonin njëri-tjetrin duke e nënçmuar islamin duke thënë që, kush i përmbahet udhëzimeve fetare do të zhduket.

Idhujtarët në kohën e pejgamberit a.s. thoshin që kush i përmbahet këshillave fetare, rregullave fetare, do të farohet.

Hipokritët në kohën e pejgamberit a.s. kur i kanë parë muslimanët në numër të vogël, e përgëzonin njëri-tjetrin duke i nënçmuar muslimanët, e duke thënë që kush i përmbahet rregullave fetare do të zhduket, do t’i humb edhe emri.

Hipokritët në kohën e pejgamberit a.s. kur i kanë parë muslimanët në numër të vogël e përgëzonin njëri-tjetrin duke i nënçmuar muslimanët, e duke thënë që kush i përmbahet rregullave fetare do të zhduket, do të asimilohet.

Këtë e kanë thënë në kohën e pejgamberit a.s. për pejgamberin a.s.

Këtë e kanë thënë për shokët e pejgamberit a.s.

Këtë e thonë edhe sot.

Mirëpo Zoti thotë:

  Inne shaanieke huvel ebter.  
“Pa dyshim se urryesit e tu (ata) do të jenë farësosur.”
  (Kevther, 3)

Përfundim

Ky përgëzim është përgëzim për çdo besimtar i cili i përmbahet fesë.

Zoti i Madhërishëm ka përgëzuar me ngritje të islamit, me zhvillimin e islamit dhe me rritjen e islamit.

Zoti i Madhërishëm ka treguar se kush e sulmon islamin do të jetë i dështuar.

Zoti i Madhërishëm ka treguar se kush e atakon, do të jetë i dështuar, i humbur.

Zoti i Madhërishëm ka treguar se kush e sulmon, do të jetë i asimiluar.

Zoti i Madhërishëm ka treguar se kush e sulmon, nuk do t’i përmendet emri, por edhe nëse i përmendet emri, i përmendet për të keq.

Lini një koment