SURETU TEKATHUR

Dr. Musli Vërbani


Dy fise prej fiseve të Medinasve.

Të fisit Harithete dhe

të fisit Harith.

Ata krenoheshin njëra ndaj tjerëve me fëmijë e me pasuri.

Njëra prej tyre thoshte: “Ju keni pasuri sikurse filani dhe filani!”.

Tjetra prej tyre thoshte: “Edhe ju keni pasuri sikurse filani dhe filani!”

Fillimisht, ata janë krenuar me të gjallët e tyre.

Nuk ju ka mjaftuar vetëm kjo, pastaj kanë thënë të shkojmë te varrezat.

Kur kanë shkuar te varrezat:

– Njëra prej tyre ka thënë: “Ju në varreza keni të vdekur sikurse filani dhe filani!”.

– Tjetra prej tyre ka thënë: “Edhe ju në varreza keni sikurse filani dhe filani!”.

Atëherë, Allahu ka zbritur këto ajete:

  Elhaakumut-tekaathuru Hattaa zurtumul mekaabir  
“Ç’keni që dëfreheni dhe argëtoheni  me shumimin (garimin) e çështjeve (në çdo aspekt)! Derisa të mos vizitoni varrezat (të bëheni banues të varreve”.
  (Et-Tekathur: 1-2)

Vëllezër të nderuar!

Njerëzit jetojnë jetë dëfrimi, loje e mahie.

Vrapojnë për famë dhe pasuri.

Garojnë për reputacion e për emër.

Me çdo kusht dhe në çfarëdo mënyre dhe me gjithë qenien e tyre lakmojnë që të fitojnë të mira materiale.

Kjo ndjenjë dhe ky interesim vazhdon përgjatë gjithë jetës.

Njerëzit, me dy çështje nuk ngopen:

– me kërkimin e diturisë dhe

– me kërkimin e pasurisë (të mirave materiale).

Kur’ani ka tërhequr vërejtjen për t’u mos u mashtruar në këtë botë, në stolitë e saj dhe të përkohshmen e saj.

Kur’ani ka tërhequr vërejtjen nga pasuria, nga fëmijët dhe nga bashkëshortësia, posaçërisht këtë vërejtje e bënë në suretu Tekathur.

Ju e keni kuptuar dhe keni marrë mësim me atë që keni pa, me angazhimin e tyre, keni kuptuar se ku kanë përfunduar.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim”. (Enam, 32)

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë.” (Ankebut, 64)

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve.” (Hadidë, 20).

Krenohen me banesa, me apartamente luksoze, e jo për Allah. Siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“E ai atij shokut të vet (që ishte besimtar) i tha: – duke iu krenuar atij – “Unë kam pasuri më shumë se ti e, kam edhe krah më të fortë!” (Kehf, 34)

Aliu r.a. ka thënë: Ne dyshonim në dënimin e varrit, derisa zbriti ajeti:

“Juve u preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)!”. (Et-Tekathur: 1), deri në ajetin: “Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni!”. (Et-Tekathur: 4)

Çështja e dënimit në varr

Ju ka angazhuar sprova e jetës, duke u krenuar me pasuri, fëmijë e me shoqëri.

Jeni angazhuar vetëm që të tuboni pasuri, ndërsa jeni larguar nga devotshmëria dhe veprat për botën tjetër derisa jeni takuar me vdekjen (keni vdekur) në gjendje të tillë.

Ky është lajm i cili paraqet qortim, kritikë dhe i cili tregon dështim.

Të krenuarit me pasuri dhe me fëmijë dhe me numrin e madh të familjes në përgjithësi.

Nga ky mentalitet ndryshojnë vetëm dijetarët e devotshëm.

Pejgamberi a.s. i cili ka thënë:

“Biri i Ademit thotë: Pasuria ime, pasuria ime, po a ke pasuri tjetër pos asaj të cilën e ke ngrënë dhe është shpenzuar, ose e ke veshë dhe është shqyer, apo të cilën e ke dhënë lëmosh e që vazhdon të jetë aktive”.

Për kuptimin e ajetit: “Deri sa t’i vizitoni varret.” ka mendimet të shumta:

– Disa kanë thënë se harmonizohet me shkakun e zbritjes së ajetit:

“Deri sa i keni përmendur të vdekurit duke u krenuar me baballarët dhe paraardhësit tuaj dhe jeni shtuar nga ata të cilët u janë kalbur eshtrat”.

– Disa kanë thënë: Kuptimi i saj është si në vijim: Deri sa të vdisni, e t’i vizitoni trupat e juaj në varret tuaja. Pra, kur ndërpritet çështja e tubimit të pasurisë, me përfundimin e jetës suaj.

Në bazë të këtij interpretimi është transmetuar se një arab kur e ka dëgjuar këtë ajet ka thënë: “Zgjohen njerëzit në Ditën e gjykimit dhe qëndrojnë para Zotit të Qabës. Kalimtari është vetëm vizitor, nuk qëndron shumë”.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Kel-laa sevfe tealemuune Thumme kel-laa sevfe tealemuune  
“Jo, nuk është ashtu! Gjithsesi këtë do ta kuptoni më vonë! Përsëri jo, jeni gabim! Më vonë do ta kuptoni!”
  (Et-Tekathur: 3, 4)

Largohuni nga mentaliteti për të tubuar pasuri, e cila shkakton urrejtje.

Largohuni nga mentaliteti për të tubuar pasuri, e cila shkakton xhelozi.

Largohuni nga mentaliteti për të tubuar pasuri, e cila shkakton ndërprerje të raporteve dhe largim nga njëri-tjetri.

Largohuni nga ky mentalitet për të tubuar pasuri, e cila shkakton mosveprim të veprave të botës tjetër.

Largohuni nga ky mentalitet për të tubuar pasuri, e cila shkakton në mospërmirësim të edukatës dhe të moralit.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Kel-laa lev tealemuune ilmel jekiiini  
“Jo, pse, sikur ta dinit me një dije të sigurt (nuk do të bënit ashtu).”
  (Et-Tekathur: 5)

Zoti i Madhërishëm na tregon për kalimin e diturisë nga aspekti teorik në atë praktik.

Ju do ta kuptoni rezultatin në Ditën e gjykimit.

Kjo është kritikë.

Allahu e rikonfirmon atë qortim dhe kritikë dhe atë paralajmërim vetëm e vetëm për të marrë mësim.

Hiqni dorë nga ajo lojë me dunjanë.

Ju, po ta dinit çështjen se në çfarë drejtimi jeni duke shkuar, nuk do të angazhoheshit dhe do të hiqnit dorë nga tubimi i pasurisë dhe krenarisë.

Ju, po ta dinit çështjen me saktësi, do t’i ktheheshit punëve të mira dhe do të ktheheshit në tubimin e të mirave për botën tjetër.

Ju, po ta dinit çështjen se në çfarë drejtimi jeni duke shkuar, po ta dinit me saktësi, do të ktheheshit në tubimin e të mirave për botën tjetër dhe për çastin madhështor kur do të ktheheni te Zoti i juaj.

Kjo është rikonfirmim për të hequr dorë nga lakmia e tepërt për këtë botë dhe për të hequr dorë nga kjo jetë kalimtare.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Le terevvunel xhehiimë Thumme le terevunnehaa ajnel jekiini  
“Ju pa tjetër do ta shihni Xhehennemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht.”
  (Et-Tekathur: 6, 7)

Allahu i Madhërishëm e interpreton qortimin dhe i informon njerëzit se do ta shohin xhehenemin ku thotë: “Ju do ta shihni xhehenemin”. Pra, në botën tjetër do ta shihni zjarrin, do ta përjetoni dënimin me zjarr.

 Është kërcënim se mund të dënoheni dhe ta shihni zjarrin, e cila djeg me të parën, e djeg çdo gjë që e ka afër dhe çdo gjë që është në të poshtërohet kur të shihet madhësia e zjarrit dhe kur të përjetohet vuajtja e madhe prej saj.

Pastaj, Allahu e rikonfirmon atë kërcënim ku thotë:

“Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht”. (Et-Tekathur: 7)

Pastaj do ta përjetoni xhehenemin në mënyrë praktike dhe të bindur thellë se ekziston. Ajo është dëshmi konkrete, do të thotë se e shihni praktikisht, andaj, ruajuni sendeve që ju çojnë në xhehenem, siç janë të këqijat dhe mëkatet.

Përfundim

  Thumme le tus’elunne jevme idhin anin neiimi  
“Pastaj do të jepni llogari për të mirat”.
  (Et-Tekathur: 8)

Ekzistojnë dy opinione për dhënie llogari për të mirat e kësaj bote:

– Ka mendim se ata të cilët do të japin llogari për të mirat e kësaj bote janë pabesimtarët.

– Ekziston edhe mendimi tjetër se: Llogaridhënia për të mirat e kësaj bote përfshinë edhe besimtarët edhe pabesimtarët.

Edhe besimtari jep llogari për mirësitë e kësaj bote, por për të treguar se si i ka shfrytëzuar ato mirësi.

Edhe ti, edhe ju jepni llogari për mirësitë e kësaj bote, por për të treguar për çështje të dobishme dhe në atë që fitohet kënaqësia e Allahut.

Ju do të pyeteni edhe për të mirat materiale të kësaj bote të cilat ju kanë larguar nga bota tjetër.

– Do të jepni llogari për llojet e mirësive të kësaj bote.

– Do të jepni llogari për shëndetin.

– Do të jepni llogari për kohën e lirë.

– Do të jepni llogari për ushqimin.

– Do të jepni llogari veshmbathjen.

– Do të jepni llogari për mirësitë tjera jetësore.

“Për mirësitë” ka kuptimin, për lojërat dhe kënaqësitë tjera të cilat ju kanë larguar nga feja dhe nga obligimet.

Lini një koment