| Dr. Musli Vërbani – |


Ahmes bin Shuriki ishte një njeri i cili i përqeshte dhe i përgojonte njerëzit, posaçërisht pejgamberin a.s., atëherë ka zbritur surja Humeze.
Besimtarë të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Vejlun li kul-li jumezezin lumezetin |
| “Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit).” |
| (El-Humeze: 1) |
Ka mendime se surja në fjalë ka zbritur për Velid bin Mugiren. Ai pas shpine e përgojonte pejgamberin a.s. Ai e kritikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ka mendime se ka zbritur për Umeje bin Halefin, i cili pas shpine e përgojonte pejgamberin a.s. Ai e kritikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Edhe sot ka aso të cilët e urrejnë Muhamedin a.s. dhe muslimanët. I përqeshin dhe i përgojojnë muslimanët.
Mirëpo qëllimi i kësaj sure është në përgjithësimin e shprehjes dhe jo në specifikimin e shkakut.
“Humezë” është ai i cili i përqesh të tjerët me fjalë, pra i përgojon dhe u përshkruan mangësi.
“Lumezë” është ai i cili i përgojon njerëzit dhe i kritikon para syve të tyre.
Prej çështjeve më të rëndësishme për të cilat ka ardhur Islami është sigurimi i ndjenjave të brendshme të njeriut.
Ashtu siç ka ardhur Islami për sigurimin e fesë, jetës, pasurisë, nderit, të cilat njihen si pesë objektivat sheriative, ashtu ka ardhur edhe për që muslimani të jetojë i qetë, i sigurt dhe pa komplekse, ashtu që shpirti i muslimanit të jetë i qetë.
Islami është fe e drejtësisë dhe e barazisë.
Islami e ruan nderin e njeriut që të mos nënçmohet dhe të mos poshtërohet.
Një sure e plotë flet për bullizimin.
“Vejl” është kodër e xhehenemit.
Humeze të çon në xhehenem
Lumeze të çon në xhehenem.
Njeriu nuk e zgjedhë ngjyrën, gjatësinë, formën, kohën kur lindë, etj.
“O ju që besuat, nuk bën të tallet një njeri (komunitet) me një njeri (komunitet) tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër.” (Huxhurat, 11)
Po ashtu Zoti i madhërishëm thotë:
“Mos e respekto askënd që betohet shumë dhe është i poshtër, që është përgojues e bart fjalë ndër njerëz.” (Kalem: 11-12)
Askush nuk mund të pretendojë se është i përsosur. Përsosmëria i takon vetëm Allahut.
Askush nuk mund të thotë se ai nuk ka asnjë të metë dhe asnjë mangësi.
Njeriu është i konstruktuar ashtu që të ketë mangësi në logjikën e tij dhe në eksperiencën e tij.
Përderisa, mangësia është prej pjesëve përbërëse të njeriut, ai nuk duhet që në njërën anë të mos i sheh të metat dhe mangësitë e tij dhe në anën tjetër të orienton gishtin dhe t’i kritikon të tjerët.
Ai duhet të përkujdeset për veten e vet, duhet ta përmirëson veten e vet dhe të tenton t’i rregullon të metat e veta, e që njerëzit t’i lërë me të metat e tyre.
Nëse nuk e bënë këtë, meriton mjerim, shkatërrim dhe dënim.
Qoftë i shkatërruar, u dënoftë dhe u poshtëroftë çdo njeri i cili përqesh dhe përgojon!
Vëllezër të nderuar!
Zoti i madhërishëm e tregon shkakun e përqeshjes dhe përgojimit ku thotë:
| El-ledhii xhemea maalen ve addedehu Jahsebu enne malehuu ehledehu |
| “Që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do të bëjë të përjetshëm.” |
| (El-Humeze: 2, 3) |
Shkaku i përqeshjes dhe përgojimit:
Vetëpëlqimi në atë se ka tubuar pasuri, e numëron atë pasuri, e arkëton me qëllim që të mos i pakësohet.
Me këtë, ai mendon se është i graduar nga të tjerët.
Kështu që, ai nuk jep për ndihma vullnetare, bile edhe e pengon atë.
– Mendon se pasuria i garanton jetë të përgjithmonshme.
Mendon se kurrë nuk do të vdesë.
Kjo nga vetëpëlqimi në vetvete në tubimin e asaj pasurie.
Ai nuk mendon se çka i ndodhë atij pas vdekjes.
Po ashtu, ai mendon se pasuria është ajo që i jep jetë dhe fuqi dhe se duke e ruajtur pasurinë, pasuria e ruan atë.
Vëllezër të nderuar!
Allahu i Madhërishëm tregon se deri në çfarë shkalle të lartë djegë ai zjarr.
Allahu kundërpërgjigjet ndaj atyre pretendimeve dhe ndaj atyre iluzioneve dhe konfirmon se ai do të hidhet në mes të zjarrit. Pra në vendin ku digjet dhe përvëlohet.
Kjo me qëllim që të heqë dorë dhe të tërhiqet nga ajo që thotë.
Kjo sepse çështja nuk është siç pretendon dhe siç e llogaritë, por ato çështje do ta hedhin atë dhe pasurinë e tij në zjarr, i cili zjarr shtyp çdo gjë ose e djegë çdo gjë e cila hidhet në të.
Zoti i madhërishëm thotë:
| Kel-laa lejunbedhenne fil hutameti Ve maa edraaake mel hutaameti Narull-Llahihil muukadeti |
| “Jo, të mos mendojë ashtu! Se ai pa tjetër do të hidhet në Hutame. E çka di ti se ç’është Hutame? Është zjarri i Allahut i ndezur fort.” |
| (El-Humeze: 4-6) |
Po ty kush të mësoj se çfarë zjarri është ai zjarr?
Çfarë elementi është ai?
Kjo i bie sikurse nuk mund ta paramendon mendja dhe logjika.
Pastaj Zoti i madhërishëm tregon se:
Ai zjarr flakëron me urdhrin e Allahut të Madhërishëm dhe nuk fiket kurrë.
Cili është përfitimi i mësimit në përmendjen e zjarrit të xhehenemit i cili ngulfatë:
Përgjigjja:
Për t’u krahasuar me gjendjen e tij të kryelartësisë, i cili është krekosur me pasurinë e tij.
Për t’u krahasuar me gjendjen e tij të kryelartësisë, i cili e lartësonte veten ndaj të tjerëve.
Kur thotë Allahu i Madhërishëm: “Le junbedhene”, pra hidhen në thellësi, në një gropë të thellë, sikurse në një bunarë të thellë, e që më pastaj dyert nuk hapen, për t’u dëshmuar disfata e tyre, ato dyer mbyllen fortë, ashtu që i humbin shpresat se mund të dalin nga aty.
Ai zjarr thyen çdo gjë e cila hidhet në të, çdo gjë në të bëhet shkrumb e hi.
Është cilësuar si “Zjarri i Allahut” në formën e hiperbolës, pra ai është zjarr, por nuk është siç janë zjarret tjera.
Vëllezër të nderuar!
Informon se zjarri i cili flakëron në xhehenem, i djegë edhe zemrat, arrin edhe në djegien e zemrave dhe nuk fiket:
| El-letii tet-talu alel ef’ideti |
| “Që depërton deri në loçkë të zemrës.” |
| (El-Humeze: 7) |
Allahu i Madhërishëm e përshkruan zjarrin me tri cilësi.
Ato tri cilësi janë:
– Është zjarr i cili ngritet lartë dhe depërton në zemra, e përfshin zemrën me djegie të madhe.
– I djegë ata duke qenë gjallë.
– Jeta rikthehet e përsëritet, ndërsa dënimi vazhdon e nuk ndalet.
Zemrat janë pjesët më të ndjeshme të trupit,
Zemrat janë që më së shumti ndjejnë dhembje.
Janë përmendur zemrat në mënyrë të posaçme: Kjo, nga shkaku se ato zemra besojnë në besime të pavërteta.
Me zemër kanë qëllime të këqija.
Me zemër kanë edukatë të keqe.
Në zemër e kanë kryelartësinë dhe nënçmimin e njerëzve dhe të veprimeve të shëmtuara.
Përfundim
Zoti i Madhërishëm thotë:
| Fii amedin mumeddetin |
| “Ai i mbyll ata, ua zë frymën. Ata janë të lidhur në pranga.” |
| (El-Humeze: 9) |
– Ai zjarr është ashtu që atyre ju mbyllen dyert në të gjitha anët.
Nuk ka kush i shpëton, nuk mund të dalin nga aty, siç figuron në ajet tjetër:
“Kundër tyre është zjarri i mbyllur.” (El-Beled: 20)
Për qëndrimin e përgjithmonshëm të tyre Allahu i Madhërishëm sqaron edhe në ajetin tjetër:
“Sa herë që përpiqen të dalin prej tij nga vuajtjet e padurueshme, kthehen në të përsëri (u thuhet): “Vuajeni dënimin me djegie!” (El-Haxh: 22)
“Dyert e zjarrit janë palë-palë, njëra mbi tjetrën”.
Po ashtu ato janë të gjata dhe të thurura, të lidhura fortë dhe të qëndrueshme.
“Dyert e xhehenemit janë të mbyllura, ato janë të sforcuara me hekur. Atyre nuk u hapen dyert, nuk mund të hyjë aty brenda askush tjetër pos tyre”.
“Në shtylla të hekurit është i rrethuar dhe janë të mbyllur në xhehenem dhe të gjitha janë nga zjarri”.
U shtohet dhe u zgjatet koha e qëndrimit në zjarr.
Po ashtu nuk kanë shpresë se do të fiket ai zjarr dhe nuk kanë shpresë ta zbusin ashpërsinë e zjarrit nga ashpërsia e madhe e saj.
Ai i cili i sheh kur shpërthen ndonjë fabrikë e energjisë bërthamore, i cili nxjerrë llavën nga brendia duke përfshirë xehe, e gurë të shkrirë, e që pastaj rrjedhë si ujë i cili e djegë çdo gjë që i del përpara, atij i futet frika në palcë. Ajo llavë zjarrit e futë frikën në palcë te çdonjëri dhe gjithsecili ikë e vrapon pa këmbë e pa kokë. Paramendojeni atëherë se si do të ishte zjarri i xhehenemit, i cili është më i ashpër se çdo zjarr i kësaj bote.
Zjarri i kësaj bote është një pjesë nga shtatëdhjetë pjesët e xhehenemit, apo një pjesë nga njëqind pjesët e zjarrit të botës tjetër. Allahu na ruajt prej saj.