SURETU ASR

Dr. Musli Vërbani


Surja Asr përbëhet prej tri ajeteve.

Edhe pse ka pak ajete, ka vlerë të madhe.

Edhe pse është e shkurtë, ka dobi të madhe.

Dy shokë të pejgamberit a.s., për shkak se e kishin kuptuar rëndësinë e madhe të kësaj sure, kur takoheshin, nuk ndaheshin në mes vete pa ia lexuar njëri-tjetrit këtë sure. Ia këndonin njëri-tjetrit, e pastaj ndaheshin me selam duke e përshëndetë njëri-tjetrin.

Kjo sure është përmbledhëse e të mirave.

Kjo sure është sure e shpëtimit te Allahu i Madhërishëm.

Po ta analizonin njerëzit këtë sure dhe po t’i përmbaheshin, do t’u mjaftonte në jetë, edhe po që se nuk do të zbriste asnjë sure tjetër. Kjo nga shkaku se përmban të gjitha njohuritë Kur’anore.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Vel asri  
“Pasha kohën!”
  (El-Asr: 1)

Fillimisht duhet ta dimë se çdo betim përbëhet prej betuesit, mjetit të betimit, prej të betuarës dhe shkakut të betimit.

Në këtë rast:

Betuesi është Allahu.

Mjeti i betimit është parafjala “V”.

E betuara është koha.

Shkaku e betimi është se: Njeriu mund të dështon dhe të pëson humbje.

Allahu i Madhërishëm kur betohet në diçka, betohet për të treguar rëndësinë e saj.

Allahu i Madhërishëm kur betohet në diçka, betohet për të treguar vlerën e saj.

Fakti që Allahu betohet në diçka nuk nënkupton që edhe njeriu lejohet të betohet në to, sepse njeriut nuk i lejohet të betohet në asgjë tjetër pos Allahut.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që ka nevojë të betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë.”

Vëllezër të nderuar!

Betimi në kohën: Është perioda kohore apo kohëzgjatja në të cilën kalon njeriu. Kjo nga shkaku se:

 – Në perioda kohore përfitohen mësime.

 – Në perioda kohore ndryshon nata me ditën, e pason errësira dritën dhe anasjelltas.

– Në perioda kohore ndryshojnë ngjarjet historike dhe shtetërore.

– Në perioda kohore ndryshojnë kushtet dhe rrethanat.

E gjithë kjo tregon se Zoti ekziston, Ai është Një, Ai është i Përsosur me atributet e Tij. Është i Fuqishmi absolut.

Betohem në kohën se njeriu është në humbje, në shkatërrim dhe në gjendje të keqe, i vonshëm në vepra, i vonshëm në angazhime, përpos tjerëve të cilat i ka veçuar Allahut, të cilët do t’i tregojmë në vazhdim.

Ky betim në kohën dëshmon për vlerën dhe rëndësinë e saj.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos e nënvlerësoni kohën, se Allahu është koha”, pra Krijues i kohës.

Te Zoti nuk të shpëton as fama, as pasuria, as dituria, as zbulimet shkencore, as punët e kësaj bote, e kështu me radhë, por te Zoti të shpëton qëndrimi fisnik, i cili bazohet në parimin e besimit të drejtë.

Njerëzimin nuk e shpëton garimi në mes vete dhe lakmia për këtë botë, por te Zoti të shpëton qëndrimi fisnik, i cili bazohet në parimin e besimit të drejtë në Zotin dhe në të dërguarin e Tij, ose në bazë të katër parimeve, e ato janë:

Te Zoti të shpëton:

– Besimi i drejtë.

– Veprat e mira.

– Këshilla për të mirën.

– Këshilla për durim.

Vëllezër të nderuar!

Kur Zoti i Madhërishëm thotë:

  Innel inasaane le fii husrin  
“Nuk ka dyshim njeriu është në një humbje të sigurt.”
  (El-Asr: 2)

Ka kuptimin se ka dështuar.

Kush ka dështuar nga njerëzit?

Ka dështuar kush nuk ka besuar në Zotin.

Ka dështuar pabesimtari sepse e ka humbë këtë botë dhe botën tjetër. E, kjo është humbje e qartë.

Dështon ai i cili nuk beson në Zotin.

Kemi:

– Dështimin e madh dhe

– Dështimin e vogël.

Dështimi i madh

Pabesimi

Zoti i madhërishëm thotë:

“Në atë çast pësuan disfatë jobesimtarët.” (Gafir, 85)

Hipokrizia

Zoti i madhërishëm thotë:

“Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai e ka humbur këtë dhe jetën tjetër, e ky është ai dështimi i qartë.” (Haxh, 11)

Pasimi i rrugës së shejtanit

Zoti i madhërishëm thotë:

“E kush e bën mik shejtanin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (Nisa, 119)

Idhujtaria

 Zoti i madhërishëm thotë:

“Ata që përgënjeshtruan se do të takohen me Allahun (në Ditën e gjykimit) kanë humbur.” (En’am, 31)

Zoti i madhërishëm thotë: Thuaj:

“Të dështuar në Ditën e kijametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet.” (Zumer, 15)

Vëllezër të nderuar!

Te Zoti të shpëton:

– Besimi i drejtë.

– Veprat e mira.

– Këshilla për të mirën.

– Këshilla për durim.

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Il-lel-ledhiine aamenuu  
“Me përjashtim të atyre që besuan.”
  (El-Asr: 3)

Sa i përket besimtarit, edhe pse ndonjëherë humb në këtë botë si f.v.: në tregti kjo nuk konsiderohet asgjë në krahasim me fitimin e botës tjetër, nëse beson në Zotin.

Sa i përket besimtarit, edhe pse ndonjëherë humb në këtë botë, si f.v.: me sëmundje e pleqëri nëse beson në botën tjetër, nuk konsiderohet asgjë në krahasim me fitimin e botës tjetër, nëse beson në Zotin.

Sa i përket besimtarit, edhe pse ndonjëherë humb në këtë botë si f.v.: nga kushtet e vështira ekonomike të kësaj bote. Fitimi i botës tjetër nuk zhvlerësohet kurrë.

Allahu i Madhërishëm, nga lloji njeri, bën përjashtim atë njeri i cili cilësohet me pesë cilësi, në të cilat cilësi tubohen (bashkohen) të gjitha të mirat:

  1. Besimi në Zotin,
  2. Besimi në melaqet e Tij,
  3. Besimi në librat e Tij, në pejgamberët e Tij,
  4. Besimi në Ditën e gjykimit, në kadanë dhe në kaderin e Zotit,
  5. Besimi në të mirën dhe në të keqen e cila nuk ndodhë pa caktimi prej Zotit.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush thotë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, me zemër të pastër, do të hynë në xhenet”.

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket veprave të mira në pjesën e ajetit:

  Ve aamiluss saalihaati  
“…që bën vepra të mira.”
  (El-Asr: 3)

Duhet të dimë se:

Shpendi kur fluturon, fluturon me dy krahë:

– Njëri krah është besimi.

– Krahu tjetër është vepra e mirë.

Çka është vepra e mirë?

Vepër e mirë është zbatimi i urdhrave.

Vepra e mirë është largimi nga ndalesat.

Veprat ndahen në:

Vepra të dukshme dhe

Vepra të padukshme.

Pastaj,

Vepra e mirë mes njeriut dhe Zotit.

Vepra e mirë në mes  njeriut dhe krijesave

Vepra e mirë në mes të njerut me familjen

Vepra e mirë në mes njeriut me shoqërinë

Vepra e mirë në mes njeriut  dhe natyrës ku bëjnë pjesa natyra dhe  kafshët

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në Allahun.” (Ali Imranë, 110)

Në veprat e mira bëjnë pjesë:

Punët obligative dhe tjerat vullnetare.

Prej punëve të mira janë shprehjet:

“Subhanell-Llah,

Elhamdulilah,

Laa ilaahe il-lell-Llaahu Vall-Llaahu Ekber

Laa havle ve laa kuvete il-laa bil-laahil alijil adhimë”.

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket të së vërtetës, Zoti i Madhërishëm thotë:

  Ve tevasauv bil hakki  
“…që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës.”
  (El-Asr: 3)

E vërteta është e kundërta e së pavërtetës:

Në të vërtetën është e gjithë e mira, duke filluar në besimin në Zotin Famëlartë,

besimin në librat e Tij, dhe

pasimi i pejgamberëve të Tij,

në çdo raport njerëzor, në çdo akt dhe në çdo veprimtari.

Në këshillë është e gjithë e mira, duke filluar nga besimi në Një Zot,

respektimi dhe adhurimi i Tij,

thjeshtësia dhe modestia në këtë botë dhe të vepruarit për botën tjetër.

Pejgamberi a.s. ka thënë Imani përbëhet prej 70 e disa degë.

Përfundim

Sa i përket veprave të mira është edhe durimi, ku Zoti i Madhërishëm thotë:

  Ve tevasauv bis-sabri  
“…këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”
  (El-Asr: 3)

Durimi i përmendur bënë pjesë brenda kornizës së vërtetës.

Durimi nuk është vetëm të ndaluarit e vetvetes nga vepra që i ndodhë, apo e cila nuk i ndodhë, por durimi është edhe për gjërat e mira të cilat i ndodhin dhe për të cilat është i kënaqur, qofshin ato të mira konkrete apo abstrakte.

Siç kemi nevojë për këshilla, kemi nevojë për durim.

Siç kemi nevojë për durim, kemi nevojë për këshilla, për durim.

Këshillojmë për të duruar në kryerjen e obligimeve.

Këshillojmë për durim në largimin prej harameve.

Këshillojmë për durim, për të mos mëkatuar mëkate të cilat i dëshiron epshi njerëzor i pangopur.

Këshillojmë për durim, në kryerjen e adhurimeve, për të cilat nefsi ndien mundim në kryerjen e tyre dhe në atë që njeriu sprovohet me fatkeqësi.

Këshilla për durim njëkohësisht është këshillim për të mirë. Llukmani e ka këshilluar birin e tij si në vijim:

“O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara.” (Llukman, 19)

Zoti i madhërishëm thotë:

“O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe që të shpëtoni.” (Ali Imran, 200)

“…e durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer: 10)

Lini një koment