Dr. Musli Vërbani
–
Babai i mbulon vëllezërit.
Shembull:
Nëse i vdekuri lë pas vetes babain, nënën dhe dy apo më shumë se dy vëllezër.
Vendim
| 6 Pjesë | |||
| Nëna | 1/6 | 1 Pjesë | Farz |
| Babai | 5/6 | 5 Pjesë | Farz + Teasibë |
| Vëllezërit | x | x | Mbulohen |
Arsyetim
Nëna merr 1/6 (një të gjashtën). Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:
“…e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë, e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta,…”.
(En-Nisa, 11)
Babai merr 5/6 (pesë të gjashtat) dhe i ka mbuluar vëllezërit, vetëm se në këtë rast i mbuluari e ka zvogëluar pjesën e nënës. Po mos të kishin qenë vëllezërit, nëna do të trashëgonte 1/3 (një të tretën), sepse Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:
“…e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta;
Por, pasi që janë vëllezërit, nëna trashëgon në mënyrën e lartpërmendur, 1/6 (një të gjashtën).
Nëse parashtrohet pyetja: Pse vëllezërit ia zvogëlojnë nënës nga 1/3 (një e treta) në 1/6 (një të gjashtën)?
Përgjigjja është se babai përkujdeset për martesën, ushqimin dhe veshmbathjen e tyre, ndërsa nëna nuk ka obligim për këto çështje.
Përfundim
Sipas Sheriatit Islam shihet se babai ndonjëherë trashëgon 1/6 (një të gjashtën), ndonjëherë trashëgon 1/6 (një të gjashtën) por edhe pjesën shtesë, e ndonjëherë trashëgon pjesën teasibë, dhe asnjëherë nuk mbulohet, sepse babai është trashëgimtar farz.
Sipas LTK-së (Ligjit Trashëgimor të Kosovës), babai përjashtohet nga trashëgimia, nëse i vdekuri ka fëmijë.
Edhe sipas zakonit dhe traditës në Kosovë, babai përjashtohet nga trashëgimia. Por edhe në trojet etnike shqiptare, në të shumtën e rasteve, ndarja e pasurisë bëhet deri sa të jetë babai gjallë, dhe pas ndarjes babai vazhdon të jetojë me ndonjërin prej fëmijëve. Por, nëse fëmijët e tjerë, që të gjithë, vdesin para babait, babai asnjëherë nuk trashëgon prej tyre, nga shkaku se ka zgjedhur apo ka dashur të jetojë me njërin prej fëmijëve.
Pra, edhe sipas traditës, edhe nëse vdes ndonjëri nga fëmijët, babai nuk trashëgon prej tyre, d.m.th. babai përjashtohet nga trashëgimia.