43. HALLALLI DHE HARAMI

Dr. Musli Vërbani

Sot do të flasim për haramin dhe për Hallallin. Po filloj me thënien e Zotit të Madhërishëm:

“Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e vet?”

Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Kijametit janë të posaçme për ta.” (Earaf, 32).

Zoti i Madhërishëm ka thënë:

“Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, qofshin të hapëta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i bashkëngjitni Allahut shok pa pasur.”(Earaf, 33).

Zotit i Madhërishëm ka thënë:

“e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, ua lejon ushqimet e këndshme dhe ua ndalon ato të pakëndshme.”(Earaf, 157).

Vëllezër të nderuar!

Hallall është çdo gjë konkrete të cilën e ka lejuar Ligjvënësi.

Hallall është çdo gjë abstrakte të cilën e ka lejuar Ligjvënësi.

Ndërsa,

Haram është çdo gjë konkrete të cilën e ka ndaluar Ligjvënësi.

Haram është çdo gjë abstrakte të cilën e ka ndaluar Ligjvënësi.

Hallall është ajo që e ka lejuar Zoti në Librin e Tij.

Haram është ajo që e ka ndaluar Zoti në Librin e Tij.

Hallall është çdo gjë të cilën e ka lejuar Allahu dhe i dërguari i Tij.

Haram është çdo gjë të cilën e ka ndaluar Allahu dhe i dërguari i Tij.

Çka është krijuar në Tokë është krijuar për të mirën e njeriut, që njeriu të shërbehet me të gjitha këto gjëra në mënyrë që t’ia lehtësojë jetën e tij në ketë botë dhe të përmbush me dinjitet besimin – amanetin e marrë nga Allahu xh.sh. si mëkëmbës i Tij në tokë.

Vëllezër të nderuar!

Në Islam, Zona e Haramit është shumë e ngushtuar, ndërsa

Zona e hallallit është e zgjeruar në nivele të papara.

Sikur njeriu t’i numëronte të gjitha ato që Allahu xh.sh. ia ka lejuar në njërën anë, e më pas të numëronte të gjitha ato që i ka të ndaluara nga ana tjetër, do ta vërente se vetëm një numër i vogël i gjërave i është ndaluar dhe se një numër i madh i gjërave i është lejuar.

Sikur njeriu t’i numëronte të gjitha ato që Allahu xh.sh. ia ka lejuar, në njërën anë, e më pas të numëronte të gjitha ato që i ka të ndaluara, nga ana tjetër, do ta vërente se vetëm një numër i gjërave të parëndësishme i është ndaluar dhe se një numër i madh i gjërave i është lejuar.

Allahu xh.sh. ia ka ndaluar njeriut vetëm atë që është e shëmtuar.

Allahu xh.sh. ia ka ndaluar njeriut vetëm atë që është e dëmshme.

Allahu xh.sh. ia ka ndaluar njeriut vetëm atë që është e padobishme, dhe

Allahu xh.sh. ia ka ndaluar njeriut vetëm atë që nuk ka dobi të vërtetë për njeriun.

Vëllezër të nderuar!

Nuk lejohet të bëhet hallall apo haram përpos me argument të sheriatit. Zoti Madhërishëm thotë:

E ju (besimtarë), hani pra. nga të mirat që ua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e Allahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Tij.

Ai ua ndaloi juve vetëm cofëtinën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të Allahut. E kush detyrohet (t’i hajë) duke mos qenë dhunues dhe duke mos e tepruar (në ngrënie), Allahu fal dhe është mëshirues.”(Nahl, 116-117).

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Allahu ka obliguar obligime, zbatoni.

Ka caktuar ndalesa, mos i veproni, por

Ka heshtë për disa çështje, kjo si lehtësim për juve dhe jo nga harresa, andaj mos i hulumtoni.”

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Hallalli është i sqaruar. Harami i sqaruar. Mirëpo në mes tyre ka çështje të dyshimta. Sikurse një bari i cili ruan bagëtinë e tij rreth një gremine që të mos i bien bagëtitë në të. Kush largohet nga çështjet e dyshimta, ai e ka pastruar (e ka ruajtur) fenë e tij, pasurinë e tij dhe nderin e tij.”

Vëllezër të nderuar!

Për hallallin nuk duhet të flas çdokush!

Për haramin nuk duhet të flas çdokush!

Në kohën moderne, duke u larguar nga dijetarët, duke i etiketuar dijetarët, duke i injoruar dijetarët, kemi ardhur në gjendje të tillë sa që çdokush flet për çështje të ligjit islam.

 Në kohën moderne, duke u larguar nga dijetarët, duke i etiketuar dijetarët, duke i injoruar dijetarët, kemi ardhur në gjendje të tillë sa që çdokush flet për hallallin dhe për haramin pa pasur dije të mjaftueshme për këto dy çështje. Çdo kush flet për Haramin dhe për Hallallin.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Allahu nuk e merr diturinë duke e nxjerrë nga gjokset e njerëzve, por Allahu e merr diturinë duke i marrë dijetarët. Dhe kur të mos mbetet asnjë dijetar, njerëzit do t’i llogarisin udhërrëfyes të tyre injorantët. Njerëzit i pyesin, kurse ata u përgjigjen pa dituri, kështu e hedhin në devijim veten e tyre, por edhe të tjerët i devijojnë.”

Hallalli është sqaruar, harami është sqaruar, e në mes tyre ka sende të paqarta.

Përfundim

Njohja e hallallit dhe haramit është një shenjë e mëshirës se madhe të Allahut. Duhet të përpiqemi për të mësuar se çka është hallalli dhe çka është harami në fenë tonë, për të mos humbur. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Atij të cilit Allahu ia dëshiron të mirën, ia mëson të kuptuarit e besimit.” Që ka kuptimin: “e mëson çka është hallall e çka është haram”.

Zoti ynë,

– Na largo nga Harami;

– nga pjesëtarët e Haramit;

– nga vepra e Haramit dhe

– nga pasuria Haram.

Zoti ynë,

– Na afro te Hallalli;

– Te pjesëtarët e Hallallit;

– Te vepra Hallall dhe

– Te pasuria Hallall.

Zoti ynë,

Na mjafto me hallallin Tënd, që të mos përfshihemi në harame dhe të mos kemi nevojë askënd pos Teje.

Lini një koment