42. TESTAMENTI

Dr. Musli Vërbani

Prej mëshirës së Allahut është se këtë botë e ka bërë për të fituar shpërblime edhe për këtë botë edhe për botën tjetër.

Prej mirësisë së Allahut është se këtë botë e ka bë për të fituar shpërblime edhe për këtë botë edhe për botën tjetër.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo njeri i cili do të vdesë do të pendohet.

Kur e kanë pyetur: Si do të pendohet o i dërguar i Allahut?

Është përgjigjur: Nëse ka vepruar mirë, pendohet se pse nuk ka vepruar vepra të mira më shumë.

Nëse ka vepruar keq, pendohet se pse nuk është larguar nga ajo e keqe dhe pse nuk është penduar për atë të keqe.”

Në një rast tjetër pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të vdes i biri i Ademit, i ndërpriten të gjitha shpërblimet, përveç në tri raste:

– Sadakaja rrjedhëse,

– Fëmija i mirë që lutet për të, dhe

– Dituria prej së cilës ka dobi.”

Xhematë i nderuar!

Është e pëlqyer që një pjesë e pasurisë të lihet testament, për shkak se Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:

“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (Vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejt. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer.”(El-Bekare, 180).

Tek ne themi e ka lënë me gojë dhe zakonisht themi e ka lënë emanet që të varroset në këtë mënyrë, të bëhet një ceremoni në këtë mënyrë, etj. E që ne nuk jemi duke folur për çështje të tillë. Ne jemi duke folur për testamentin, jemi duke folur për vasijetin.

Testamenti është shprehja me gojë apo shkrim e vullnetit të fundit të njeriut.

Xhematë i nderuar!

Sa i përket testamentit në Islam dhe testamentit në ligjet tjera dallohet në atë se në Islam kemi:

– Të drejtën trashëgimore dhe

– Të drejtën e testamentit.

Në ligjet laike të drejtën trashëgimore e kanë zëvendësuar me të drejtën testamentare.

“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (Vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejt. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer.”(Bekare, 180)

Sead bin Vekasi shkon te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i kërkoi që dy të tretat e pasurisë së tij të shpërndante, kurse një të tretën t’ia linte vetëm një vajze e cila e trashëgonte.

Muhamed a.s. këtë nuk ia lejoi.

Pastaj ai i kërkoi që ta linte testament një të dytën.

 Pejgamberi s.a.v.s. edhe këtë i refuzoi.

 E pastaj Muhamed s.a.v.s. i thotë:

“Një të tretën mund ta lësh testament, për shkak se është më mirë që pasardhësit t’i lësh me pasuri se sa të varfër e lypsa.”

Vëllezër të nderuar!

Zekati është farz në islam. Ndodh që ndonjëri nuk e ka dhënë zekatin për vite të tëra, mirëpo pas një kohe ka filluar ta jep zekatin. Por kjo nuk e amniston dhënien e zekatit për vitet e kaluara kështu që në këtë rast ai e ka për obligim të lërë testament vasijet që prej pasurisë së tij të jepet zekati.

Kjo është sa i përket testamentit për çështje materiale, por ndodhë që ndonjëri ka gabuar në çështje jomateriale të cilat mund të kompensohen me mjete materiale si f.v.: e ka prishë me qëllim ndonjë ditë të Ramazanit, kështu që ai e le testament t’i paguhen 61 fidje, me fjalë tjera 61 fitra të Ramazanit.

Pastaj, mund të ndodhë që të jetë betuar me pa të drejtë. Atëherë e lë testament të jepen edhe 10 fitra.

Në popull ,në disa rajone është bërë praktikë ashtu që, e ka lënë apo nuk e ka lënë i vdekuri vasijet, për të janë dhënë 71 fitra që është quajtur Iskat, mirëpo Iskati ka të bëjë me dy kushte:

– Të ketë prishë agjërimin me qëllim dhe

– Të ishte betuar rrejshëm dhe ta ketë lënë vasijet, ndërsa nëse nuk e ka lënë i vdekuri vasijet, atëher nuk nevojitet Iskati.

Iskati nuk është institucion për çdo të vdekur, pa marrë parasysh se a ka lënë testament apo jo ose pa e pas prishë agjërimin me qëllim apo jo, apo pa u pas betuar rrejshëm apo jo.

Zakonisht në popull është përdorë çështja e Iskatit.

Ai e ka detyrim të lërë testament që të kryhet kefareti (kompensimi), si p.sh., nëse e ka prishur dhe ka ngrënë me qëllim një ditë të ramazanit. Ai në këtë rast e ka obligim t’i agjërojë 60 ditë pandërprerë, ose t’i ushqejë 60 të varfër. E nëse e ka kapluar pleqëria dhe është para vdekjes, ai e ka obligim të lërë testament, që, kur të vdesë, t’i kryhet kefareti (kompensimi), me fjalë të tjera, t’i ushqejë 60 të varfër.

Vëllezër të nderuar!

Haram është t’i lësh testament trashëgimtarit. Si p.sh.: Nëse i lihet testament diçka djalit të madh apo fëmijëve të tjerë.

 Haram është t’i lihet testament bashkëshortes, ngase edhe bashkëshortja është nga ato që trashëgojnë.

Haram është që të lihet testament më shumë se një e treta e pasurisë.

Duhet ditur se nëse këtë e pranojnë trashëgimtarët, atëherë ai testament zbatohet. Nëse nuk e pranojnë, kthehet në kufirin e një të tretës së pasurisë së testamentlënësit, ndërsa ajo që është më shumë se 1/3, nuk i kryhet.

Haram është testamenti nëse qëllimi i tij është që të dëmtohen trashëgimtarët. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“(Kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (Vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi…”(En-Nisa, 11, d.m.th. pa dëmtuar askënd.

 Haram është që testamenti të lihet për projekte me qëllim të realizimit të mëkateve të mëdha.

Vëllezër të nderuar!

Mekruh është Testamenti i lënë për personat kriminelë apo mëkatarë të mëdhenj, mirëpo nuk është mekruh nëse testamenti lihet me qëllim që të largohet ndonjë person nga mëkatet dhe të drejtohet në rrugë të drejtë e të pendohet.

Testamenti nuk u lihet as personave që janë të njohur për shkapërderdhje të pasurisë dhe as personave amoral.

Vëllezër të nderuar!

Sa i përket testamentit të lejuar është testamenti i cili nuk e kalon një të tretën e pasurisë.

 Mustehab është që të lihet testament qoftë një të pestën, qoftë një të gjashtën apo një të dhjetën, pra kjo është e pëlqyeshme, e maksimumi i testamentit është një e treta. Kjo, ngase do t’i vazhdojnë shpërblimet edhe pas vdekjes së tij siç ka thënë pejgamberi a.s.: Kur të vdes i biri i Ademit, i ndërpriten të gjitha shpërblimet, përveç në tri raste, që janë: sadakaja rrjedhëse, fëmija i mirë që lutet për të, dhe dituria prej së cilës ka dobi.”

Duhet nënvizuar edhe atë se, nëse testamentlënësi nuk ka fare trashëgimtarë, mund ta lërë testament tërë pasurinë, për shkak se trashëgimtarët janë pengesë për të lënë testament më shumë së një të tretën.

Përfundim

Testamenti dallon nga dhurata. Kjo nga shkaku se:

– Testamentpranuesi e fiton të drejtën e posedimit dhe shfrytëzimit të testamentit vetëm pas vdekjes së testamentlënësit, kurse,

 – Dhuratëpranuesi mund ta shfrytëzojë dhuratën që në momentin e dhurimit.

Dallim tjetër është se:

– Testamenti mund të jetë në sende të prekshme – konkrete dhe gjëra jo të prekshme, të cilat mund të shfrytëzohen, ndërsa,

– Dhurata vlen vetëm për çështje konkrete dhe të prekshme.

– Testamenti, për dallim nga dhurata, është i vlefshëm deri në një të tretën e pasurisë së testamentlënësit.

Zoti ynë të lutem na mundëso:

– Seriozitetin e të devotshmëve;

– Lutjen e shpresdhënësve;

– Adhurimin e të përulurve dhe

– Njohurinë e të diturve,

Derisa të arrij nivelin dhe gradën e afrimit te Ti.

Lini një koment