Trashëgimia në bazë të hiseve

Dr. Musli Vërbani

Trashëgimia është dy llojesh:

  1. Trashëgimia farz (e përcaktuar) saktësisht.
  2. Trashëgimia (teasibë) që është pjesa shtesë e papërcaktuar, të cilën kanë të drejtë ta ndajnë së bashku atë pjesë shtesë.  

½ – Një e dyta

½ në situata të ndryshme u takon pesë trashëgimtarëve, e ato janë:

  1. Burri, nëse gruaja e vdekur nuk ka lënë fëmijë;
  2. Vajza, nëse babai nuk ka lënë djem ose vajza;
  3. Mbesa (vajza e djalit), nëse nuk ka trashëgimtarë para asaj dhe të rangut të saj, të cilët i bëhen bashkëpjesëmarrës (asaba);
  4. Motra e vërtetë, nëse është e vetme dhe nuk i bëhet bashkëpjesëmarrës askush;
  5. Motra nga babai, nëse është e vetme dhe i vdekuri nuk ka motër të vërtetë ose vëlla të vërtetë.

1. Burri

Burri trashëgon ½ vetëm me një kusht. E ai kusht është që gruaja e tij e vdekur të mos ketë loze  të poshtme , si: fëmijë, apo fëmijë të fëmijëve, – pa marrë parasysh se a i ka pasur ato fëmijë me këtë burrë, apo me burrë të mëparshëm.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“Dhe juve (burrave) u takon një e dyta prej asaj çka lënë gratë e juaja (kur të vdesin), nëse ato nuk lënë pas vetes fëmijë.”

(En-Nisa, 12)

2. Vajza

Vajza trashëgon ½ me dy kushte:

  1. Që me të të mos ketë vëlla, i cili i bashkëngjitet në koalicion;
  2. Të jetë e vetme.

      Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“Dhe nëse është një (vajzë ) e vetme, asaj i takon një e dyta.”

(En-Nisa, 11)

3. Vajza e djalit

Vajza e djalit trashëgon ½ në  tri raste:

  1. Që të mos të ketë vëlla në koalicion;
  2. Që të jetë e vetme;
  3. Që të mos ketë motër.

4. Motra e vërtetë

Motra e vërtetë e trashëgon ½ me tri kushte:

  1. Që të mos ketë vëlla në koalicion;
  2. Që të jetë e vetme dhe
  3. Që vëllai i saj i vdekur të mos ketë loze të epërme , e as loze të poshtme .

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“Nëse një njeri vdes dhe nuk ka (lënë) pas vetes fëmijë, por ka motër, asaj i takon një e dyta prej asaj që ka lënë (i vdekuri).” (En-Nisa, 176)

5. Motra prej babait

Motra prej babait trashëgon ½, nëse i plotëson këto katër kushte:

  1. Të mos ketë vëlla në koalicion;
  2. Të jetë e vetme;
  3. I vdekuri të mos ketë loze  të epërme  e as të poshtme;
  4. I vdekuri të mos ketë loze të vërtetë.

Argument për këtë është Ixhmai, i cili është bazuar në ajetin  kur’anor:

“Dhe ai (i vdekuri), i cili ka lënë motrën e saj, asaj i takon një e dyta prej asaj pasurie që ka lënë.”

Ky ajet përfshin motrën e vërtetë dhe motrën prej babait.

Sa i përket motrës prej nënës, ajo nuk trashëgon një të dytën asnjëherë, por mund të trashëgojë një të gjashtën, me kushtet të cilat do t’i tregojmë më vonë.

¼ – Një e katërta

Në një të katërtën kanë të drejtë dy trashëgimtarë:

  1. Burri dhe
  2. gruaja
  1. Burri trashëgon një të katërtën, nëse plotësohet një kusht.

Kushti është që e vdekura të ketë lënë pas vetes fëmijë apo fëmijë të fëmijëve, pa marrë parasysh nëse ato fëmijë a i ka pasur me këtë burrë apo jo.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“… por nëse ato (të vdekurat) kanë fëmijë juve (burrave) ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato…”.

 (En-Nisa, 12)

  • Gruaja trashëgon një të katërtën, nëse plotësohet një kusht.

Ky kusht është që i vdekuri të mos ketë lënë pas vetes fëmijë apo fëmijë të fëmijëve.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“… Atyre (grave) u takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë…”.

(En-Nisa, 12)

2/3 – Dy të tretat

2/3 e pasurisë e trashëgojnë këta persona:

  1. Dy vajza e më shumë, nëse nuk kanë vëllezër dhe trashëgimtarë që iu bashkëngjitet (asaba);
  2. Dy mbesa e më shumë (dy vajza të djalit e më shumë), nëse nuk kanë ndokënd që iu bashkëngjitet (asaba);
  3. Dy motra të vërteta e më shumë, nëse nuk kanë të tjerë të cilët nuk kanë të drejtë t’u bashkëngjiten në pjesëmarrje të trashëgimisë (asaba); Dy motra prej babai e më shumë, nëse i vdekuri nuk ka motra të vërteta, nëse nuk kanë edhe të tjerët, të cilët kanë të drejtë t’u bashkëngjiten në pjesëmarrje të trashëgimisë (asaba).

1. Dy vajza e më shumë

Dy vajzave e më shumë u takojnë 2/3 (dy të tretat) farz, nëse ato nuk kanë vëlla në koalicion, pra, nëse i vdekuri nuk ka lënë vëlla pas vetes.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“Dhe nëse ato vajzat janë më shumë se dy, atyre u takon dy e treta prej asaj që ka lënë (i vdekuri).” (En-Nisa, 11)

Po ashtu, argument është edhe hadithi, të cilin e transmetojnë dy shejhat, Buhariu dhe Muslimi, kur gruas së Sead bin Rebas i është vrarë burri në luftën e Uhudit Ajo ka pasur dy vajza, ndërsa vëllai i Rebias, pra axha i vajzave, e ka marrë tërë pasurinë dhe fëmijëve nuk ju ka lënë asgjë. Gruaja shkon te pejgamberi s.a.v.s. dhe i thotë: “Axha i vajzave e ka marrë tërë pasurinë, e ata as që kanë mundësi të martohen, sepse nuk kanë pasuri. Muhamedi s.a.v.s i thotë: “Prit se Allahu do të gjykojë për këtë.” Pastaj ka zbritur ajeti  i trashëgimisë dhe pejgamberi s.a.v.s. dërgon  një të dërguar te axha i vajzave që t’i thotë: “Dy vajzave të Seadit jepja dy të tretat e pasurisë të babait të tyre, një të tretën jepja gruas dhe çka të mbetet merre për vete.”

2. Dy vajza të djalit e më shumë

Dy vajzave të djalit e më shumë u takojnë 2/3 (dy të tretat), nëse i plotësojnë kushtet në vijim:

  1. I vdekuri të mos ketë vajzë apo djalë;
    1. Të mos jenë dy vajza;
    1. Të mos jetë në koalicion me të vëllai i saj (“djali i djalit”) – nipi i një shkalle me të.

Argument është ajeti kur’anor:

“Allahu ju bënë obligim juve në lidhje me fëmijët tuaj …”.

(En-Nisa, 11)

Fjala “fëmijë” përfshinë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, e kështu me radhë. Vetëm se kur të jetë loza me e afërt, e mbulon lozen më të largët . Kështu, përderisa të ketë trashëgimtarë para tyre, ato (pas tyre) nuk trashëgojnë asgjë.

3. Dy motra e më shumë

Dy motra e më shumë trashëgojnë 2/3 (dy të tretat) nëse i plotësojnë tri kushte:

  1. Nëse i vdekuri nuk lë loze të poshtme, si: djalë, vajzë; ose loze të epërme, si: babë ose gjysh.
  2. Nëse me ta (me motrat) nuk ka vëlla në koalicion.
  3. Nëse i vdekuri nuk ka vajzë apo vajza të djalit.

Argument është ajeti kur’anor:

“Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), që të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai (i vdekuri)…”. (En-Nisa, 176)

4. Dy motra prej babait e më shumë

Dy motra prej babait e më shumë trashëgojnë 2/3 (dy të tretat), nëse i plotësojnë tri kushte:

  1. Nëse i vdekuri nuk ka lënë djalë, babë ose gjysh;
  2. Nëse ato nuk kanë vëlla në koalicion (asaba);
  3. Nëse i vdekuri nuk ka lënë vajza, ose vajza të djalit, vëlla të vërtetë apo motër të vërtetë.

Siç po shihet, për të trashëguar motrat prej babait, ato janë të kushtëzuara me të gjitha ato kushte me të cilat kushtëzohen edhe motrat e vërteta. Por, shtohet kushti që motrat prej babait të mos kenë vëlla të tyre.

Argument për këtë është Ixhmai, sepse fjala motër përfshin edhe motrat prej babait.

Sa u përket motrave prej nënës, nuk bëjnë pjesë dhe nuk llogariten që të trashëgojnë si motrat prej babait.

1/3 – Një e treta

Në 1/3 (një të tretën) kanë të drejtë:

  1. Nëna dhe
  2. Dy e më shume vëllezër prej nënës, ose dy e më shumë motra prej nënës.

1. Nëna ka të drejtë në një të tretën me kushtet që vijojnë:

  1. I vdekuri të mos ketë fëmijë apo fëmijë të fëmijëve;
  2. I vdekuri të mos ketë më shumë se dy vëllezër apo më shumë se dy motra të çfarëdo natyre.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“Dhe nëse (i vdekuri) nuk ka lënë fëmijë, dhe trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta.” Pastaj ajeti vazhdon: “… po nëse (i vdekuri ka lënë vëllezër, atëherë nënës së tij i takon një e gjashta.”

2. Dy e më shumë vëllezër prej nënës apo dy e më shumë motra prej nënës

Dy e më shumë vëllezër prej nënës apo dy e më shumë motra prej nënës trashëgojnë 1/3 (një të tretën), nëse plotësohen kushtet në vijim:

  1. Që i vdekuri të mos ketë as loze të poshtme e as të epërme;
  2. Që ato të jenë më shumë se dy, pa marrë parasysh a janë dy motra e një vëlla apo një motër e dy vëllezër.

Argument për këtë është ajeti Kuranor

“Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (ngase s’ka as prindër as fëmijë), po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta, e në qoftë se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër,) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë)…”. (En-Nisa, 12)

Pjesa e ajetit “dhe ka lënë pas vetes motër ose vëlla” ka për qëllim prej nënës, sepse Zoti i Lartmadhëruar në ajetin tjetër ka treguar për vëllezërit e vërtetë dhe vëllezërit prej babait, ndërsa tani radha ka qenë për vëllain dhe motrën prej nënës.

Duhet pasur parasysh se pjesa e ajetit “ata janë bashkëpjesëmarrës në një të tretën” sqaron se edhe vëllai, edhe motra marrin hise të barabarta, e jo në proporcionin: një hise motrës e dy vëllait. Pra, vëllezërit dhe motrat prej nënës marrin pjesë të barabarta.

1/6 – Një e gjashta

Në 1/6 (një të gjashtën) kanë të drejtë shtatë persona:

  1. Babai, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë meshkuj;
  2. Gjyshi, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë;
  3. Nëna, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë, nipa ose mbesa, vëllezër ose motra;
  4. Gjyshja e vërtetë, nëse nuk e mbulon nëna;
  5. Vajza e djalit, me bashkëpjesëmarrje të vajzës, me të cilën marrin së bashku dy të tretat;
  6. Motra e babait, një ose më shumë me një motër të vërtetë;
  7. Një vëlla i nënës, nëse i vdekuri nuk ka lënë djem, nipa ose mbesa, ose babë, gjysh e gjyshe.

1. Babai

Babai trashëgon 1/6 (një të gjashtën), nëse i vdekuri ka lënë fëmijë, pa marrë parasysh mashkull apo femër: 

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“… për prindërit, për secilin nga ata, u takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë…”.

(En-Nisa, 11)

Edhe pse në ajet përmendet fjala “fëmijë”, këtu përfshihen edhe fëmijët e fëmijëve.

2. Gjyshi

Gjysh i vërtetë është babai i babait. Atij i takon 1/6 – (një e gjashta), nëse i vdekuri lë pas vetes fëmijë, ose fëmijë të fëmijëve, dhe njëherit kur i vdekuri nuk ka lënë pas vetes baba. Kjo do të thotë se gjyshi i vërtetë  zë vendin e babait kur nuk është babai.

Argument për këtë është Ixhmai.

3. Nëna

Nënës i takon 1/6 – (një e gjashta), nëse plotësohen dy kushte:

  1. Që i vdekuri të mos ketë lënë fëmijë ose fëmijë të djalit, sepse Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit…”.

(En-Nisa, 11)

      2. Që i vdekuri të ketë lënë pas vete numër mbi dy e më shumë të vëllezërve ose të motrave, të çfarëdo natyre qofshin: vëllezër apo motra të vërtetë, vëllezër apo motra prej babait; ose vëllezër apo motra prej nënës. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an ka thënë:

            “…Në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon një e gjashta…”. (En-Nisa, 11)

4. Vajza e djalit (një vajzë e më shumë)

Vajza e djalit (vajzat) trashëgon 1/6 (një të gjashtën) nëse i vdekuri ka lënë vetëm një vajzë. Në këtë rast vajza trashëgon ½ (një të dytën), ndërsa vajza e djalit (apo vajzat e djalit) trashëgon 1/6 (një të gjashtën), që së bashku plotësojnë 2/3 (dy të tretat). Në Sahihul Buhari transmetohet se kur është pyetur Ebu Musa El-Eshariu për të vdekurin, i cili ka lënë një vajzë, një vajzë të djalit dhe një motër, është përgjigjur:

“Vajzës i takon një e dyta dhe motrës gjithashtu një e dyta, por më mirë është që të shkoni te Ibn Mes’udi se ai ju sqaron më mirë.” Kur shkojnë te Ibn Mes’udi r.a. ai u thotë:

“Do të gjykoj ashtu siç ka gjykuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s: – Vajza trashëgon një të dytën, vajza e djalit 1/6 (një të gjashtën), për të plotësuar 2/3 (dy të tretat), ndërsa pjesën tjetër e trashëgon motra.” Kur kthehet te Ebu Musa dhe ia tregojnë mënyrën e gjykimit, ai u thotë: “Ashtu është, mos më pyetni më shumë.”

Vërejtje: Vajza e djalit për të trashëguar 1/6 (një të gjashtën) duhet që i vdekuri të mos ketë lënë djalë dhe të mos ketë lënë dy e më shumë vajza.

5. Motra prej babait

Nëse i vdekuri lë pas vetes një motër prej babait dhe një motër prej nënës, atëherë motra prej nënës trashëgon ½ (një të dytën), ndërsa motra (motrat) prej babait trashëgon 1/6 (një të gjashtën) për të plotësuar (të dyja së bashku) 2/3 (dy të tretat).

6. Vëllai prej nënës ose motra prej nënës

Secili prej tyre trashëgon nga 1/6 (një të gjashtat), nëse i vdekuri nuk lë pas vetes lozen e epërme mashkullore dhe lozen e poshtme.

Argument për këtë është ajeti kur’anor:

“…Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (ngase s’ka as prindër as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta…).” (En-Nisa,12)

Lini një koment