Dr. Musli Vërbani
–
Përpos shpifjeve të shumta që i bëhen Islamit, sidomos ndaj shkeljes të së drejtës së femrës, shpifet edhe në atë se Islami nuk i jep të drejtë të barabartë femrës në trashëgimi me mashkullin, por një hise femrës, dy mashkullit.
Duhet pasur parasysh se në përcaktimin e trashëgimisë ndikojnë tri peshoja:
E para: Shkalla e afërsisë
– Sa më i afërt të jetë trashëgimtari, pjesa e trashëgimisë është më e madhe, pa marrë parasysh se trashëgimtari a është mashkull apo femër.
– Sa më i largët të jetë trashëgimtari, pjesa e trashëgimisë është më e vogël, pa marr parasysh se a është mashkull apo femër.
E dyta: Gjenerata e paraardhësve dhe pasardhësve
Kur i vdekuri e ka gjeneratën para jetës së tij (paraardhësit – babain, gjyshin) dhe gjeneratën pas jetës së tij (pasardhësit), atëherë gjenerata pas jetës së tij (pasardhësit) merr pjesë më të madhe (se ata kanë nevojë më shumë për mjete materiale), se sa gjenerata para jetës së tij (sepse paraardhësit kanë nevojë më pak për mjete materiale se sa pasardhësit), pa marrë parasysh a janë meshkuj apo femra.
– Vajza si pasardhëse trashëgon më shumë se nëna paraardhëse, ndërsa që të dyja janë femra dhe që të dyja janë të lidhura drejtpërsëdrejti me trashëgimlënësin; bile vajza trashëgon edhe më shumë se babai (i cili është mashkull), edhe pse lidhja e të dyve është e drejtpërdrejtë.
– Djali si pasardhës trashëgon më shumë se babai, i cili është paraardhës, edhe pse që të dy janë meshkuj.
Sipas LTK-së, pasardhësit i përjashtojnë nga trashëgimia paraardhësit në tërësi.
E treta: Përkujdesjen të cilin e parasheh Sheriati Islam si obligim
Sheriati Islam e obligon mashkullin (burrin) që të përkujdeset për ushqimin, veshmbathjen dhe vendstrehimin e femrës (gruas). Për këtë arsye, për të mos e dëmtuar, është paraparë që mashkulli të marrë pjesën e dy femrave.
Ne përgjithësi femra trashëgon në katër mënyra:
- Mënyra e parë: femra trashëgon sa gjysma e mashkullit;
- Mënyra e dytë: femra trashëgon barazi me mashkullin;
- Mënyra e tretë: femra trashëgon më shumë se mashkulli;
- Mënyra e katërt: femra trashëgon, mashkulli nuk trashëgon.
1. TRASHËGIMIA E FEMRËS SA GJYSMA E MASHKULLIT
Femra trashëgon sa gjysma e mashkullit në këto raste:
E para: vajza me djalin
Nëse i vdekuri lë pas vete vetëm një vajzë dhe një djalë:
- Vajza trashëgon 1/3 (një të tretën);
- Djali trashëgon 2/3 (dy të tretat).
Kështu femra ka marrë një hise, mashkulli dy hise.
E dyta: babai me nënën vetëm me një rast
Nëse i vdekuri lë pas vetëm nënën dhe babain:
– Nëna trashëgon 1/3 (një të tretat);
– Babai trashëgon 2/3 (dy të tretat).
Kjo ndarje, pra nëna të marrë një hise më pak se babai, vjen në shprehje vetëm në rast se i vdekuri nuk lë pas vetes fëmijë, e nëse lë fëmijë, atëherë nëna merr hise të barabartë me babain.
Në një hadith Muhamedi a.s thotë: “Farzmarrësve jepjuani pjesën farz (të përcaktuar), e çka të mbetet jepjani mashkullit burrë.”
E treta: motrat me vëllezërit dhe motrat prej babait me vëllezërit prej babait
Nëse i vdekuri nuk lë pas vetes prindër, gjyshër dhe as fëmijë, nipa e mbesa, por vetëm motër e vëlla, atëherë ndarja bëhet kështu: një hise motra, dy hise vëllai. Zoti i Lartmadhëruar në Kuran ka thënë:
“Po nëse ata janë vëllezër-burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon aq sa dy femrave së bashku.” (En Nisa 176)
Shembull:
Nëse i vdekuri lë pas vete një vëlla dhe një motër, atëherë:
- Motra trashëgon 1/3 (një të tretën);
- Vëllai trashëgon 2/3 (dy të tretat).
Por, në qoftë se i vdekuri nuk lë pas vetes prindër, gjyshër, as fëmijë, nipa e mbesa, as vëllezër e motra, por vetëm një motër prej babait dhe një vëlla prej babait, atëherë ndarja bëhet kështu:
- Motra prej babait trashëgon 1/3 (një të tretën);
- Vëllai prej babait trashëgon 2/3 (dy të tretat).
Një hise e merr motra prej babait dhe dy hise i merr vëllai prej babait. Kjo është argumentuar me ajet kur’anor: “Po nëse ata janë vëllezër-burra dhe gra (motra), atëherë mashkullit i takon aq sa dy femrave.” (En-Nisa, 176)
E katërta: burri dhe gruaja
Duhet ditur se kurrë nuk ndodh që burri me gruan të trashëgojnë në të njëjtën kohë si burrë e grua. Por, gjithmonë me vdekjen e njërit, trashëgon tjetri, dhe anasjelltas. Sipas rregullit të Sheriatit Islam: Pas vdekjes së gruas, burri trashëgon dyfishin që do ta kishte trashëguar gruaja po të vdiste ai. Pra, burri trashëgon një hise më shumë. Këtë e argumentojmë me ajetin kur’anor:
– “Juve (burrave), ju takon gjysma e asaj që kanë lënë gratë tuaja, nëse nuk kanë fëmijë, e nëse kanë fëmijë, atëherë për ju është një e katërta nga ajo që kanë lënë, pasi të zbatohet testamenti që kanë lënë ose t’i paguhet borxhi.
– Dhe grave u takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, e në qoftë se keni fëmijë, atyre u takon një e teta…”. (Nisa12)
2. TRASHËGIMIA E FEMRËS BARAZI ME MASHKULLIN
Femra trashëgon barazi me mashkullin në këto raste:
E Para: Babai dhe nëna trashëgojnë hise të barabarta, kur i vdekuri lë pas vetes fëmijë, qoftë mashkull, qoftë femër.
Zoti i Lartmadhëruar në Kuran thotë:
“Kurse prindërve, çdonjërit prej tyre, u takon një e gjashta që ka lënë (i vdekuri), nëse ka fëmijë.” (En-Nisa, 12)
Shembull:
Nëse i vdekuri lë pas vete vetëm nënën, babain dhe një djalë, atëherë ndarja bëhet kështu:
- Babai trashëgon 1/6 (një të gjashtën);
- Nëna trashëgon 1/6 (një të gjashtën);
- Djali merr 4/6 (katër të gjashtat), pjesën shtesë (teasibë).
Pra, gjinia femërore trashëgon barazi me gjininë mashkullore, kur janë të një kategorie.
E dyta: Vëllezërit prej nënës me motrat prej nënës
Nëse e vdekura lë pas vetes burrin, nënën, një vëlla prej babait dhe një motër prej nënës, atëherë ndarja bëhet kështu:
- Burri trashëgon ½ (një të dytën);
- Nëna trashëgon 1/6 (një të gjashtën).
- Motra prej babait dhe vëllai prej babait marrin pjesë të barabarta prej sasisë së 1/3 (një të tretës), pra secili nga 1/6 (një e gjashta), që do të thotë se mashkulli dhe femra marrin pjesë të barabarta.
3. FEMRA TRASHËGON MË SHUMË SE MASHKULLI
Në Sheriatin Islam sistemi i trashëgimisë bazohet ne dy çështje thelbësore, e ato janë:
E para: Trashëgimia obligative. e përcaktuar me Kur’an dhe hadithe, që do të thotë trashëgimtarit i takon pjesa aq sa është përcaktuar tekstualisht dhe në mënyrë recidive, duke filluar prej 2/3, 1/3, 1/6, 1/2, 1/4 deri në 1/8.
E dyta: Trashëgimia obligative e papërcaktuar dhe e pa definuar, e cila trashëgohet pas trashëgimisë obligative. Këtu bëjnë pjesë trashëgimtarët, të cilët në sheriatin Islam quhen trashëgimtarë “asaba”, e që pastaj kemi 3 lloje të këtyre trashëgimtarëve:
1. ASABA BI NEFSIHI (Bashkëtrashëgimtari me gjininë e tij), ku bëjnë pjesë:
– djali me djalin e djalit;
– babai me gjyshin,
– vëllai me vëllain e babait dhe fëmijët e tyre,
– axha me djemtë e tij.
2. ASABA BIL GAJRI (Bashkëtrashëgimtari me gjininë tjetër), ku bëjnë pjesë:
– vëllai me motrën,
– djali me vajzën,
– djali i djalit me vajzën e djalit, e kështu me radhë.
3. ASABA MEAL GAJRI (Bashkëtrashëgimtari me rangun tjetër), ku bëjnë pjesë:
– Motra me vajzën ose me vajzën e djalit,
– Motra e nënës me vajzën ose me vajzën e djalit,
– Motra e babait me vajzën ose vajzën e djalit.
Rregull është që pjesën e trashëgimisë, në rend të parë, e marrin personat obligativë, çka u takon në formë të prerë, e pastaj e trashëgojnë trashëgimtarët e quajtur “asaba”, të cilët e marrin pjesën tjetër të mbetur pas farzit.
Është e vërtetë se femrat më shumë trashëgojnë pjesë obligative, që do të thotë se në të shumtën e rasteve trashëgimia obligative është më fatlume për ta se sa trashëgimia “asaba”. Këtë do ta dëshmojmë në vijim:
Trashëgimtaret obligative (As’habul furud)
2/3 Trashëgojnë:
1. Dy vajza e më shumë 2. dy vajza të djalit e më shumë 3. dy motra e më shumë 4. dy motra të babait e më shumë.
½ Trashëgojnë:
1. Një vajzë 2. një vajzë e djalit 3. një motër 4. babai 5. burri.
1/3 Trashëgojnë:
1. Nëna 2. motra prej nënës 3. vëllai prej nënës.
1/6 Trashëgojnë:
1. Nëna 2. gjyshi, 2. vajzat e djalit 3. motrat e babait, motrat e nënës, vëllai prej nënës, 4. babai 5. gjyshi 6. gjyshja.
1/4 Trashëgojnë:
1. burri 2. gruaja.
1/8 Trashëgon:
1. Gruaja.
Shihet shumë qartë se trashëgimtarë obligativë (farz) në Kur’an janë më shumë femra se sa meshkuj:
- 1/3 (një të tretën) e trashëgimisë e merr vetëm në një rast mashkulli, ndërsa në tri rastet tjera e marrin femrat;
- 1/2 (një të dytën) e trashëgon vetëm në një rast mashkulli, ndërsa në tri rastet tjera femrat;
- 1/3 (një të tretën) e trashëgon vetëm në një rast mashkulli, ndërsa në dy rastet e tjera femra;
- 1/6 (një të gjashtën) në tre raste e trashëgojnë meshkujt, ndërsa në pesë rastet tjera femrat;
- ¼ (një të katërtën) trashëgon në një rast femra, në një rast mashkulli;
- 1/8 (një të tetën) trashëgon femra.
Proporcioni i trashëgimisë farz meshkuj me femra është 17 me 6 në favor të femrës.
4. FEMRA TRASHËGON, NDËRSA MASHKULLI PARALEL NUK TRASHËGON
Ka raste kur femra trashëgon, ndërsa në rastin tjetër të ngjashëm mashkulli nuk trashëgon.
Shembull:
Nëse e vdekura lë pas vetes burrin, babain, nënën, vajzën dhe vajzën e djalit, atëherë ndarja e trashëgimisë do të jetë:
| Burri | Baba | Nëna | Vajza | Vajza e djalit |
| 1/4 | 1/6 + pjesën shtesë | 1/6 | 1/2 | 1/6 |
Nëse e vdekura lë pas vetes burrin, babain, nënën, vajzën dhe djalin e djalit, atëherë ndarja e trashëgimisë do të jetë:
| Burri | Baba | Nëna | Vajza | Djali i djalit |
| 1/4 | 1/6 + Pjesën shtesë | 1/6 | 1/2 | 0 |
Ne rastin identik, vajza e djalit ka trashëguar, ndërsa po në të njëjtin rast, kur është djali i djalit, ai nuk ka trashëguar.
Pra, në rastin identik, kur vajza e djalit ka trashëguar 1/6 (një të gjashtën) pjesë farz, ndërsa mashkulli, pra djali i djalit, nuk ka trashëguar, sepse është trashëgimtar asaba, e në këtë rast nuk ka mbetur asgjë. Nëse thuhet: po në këtë rast mashkulli ka të drejtë në testamentin obligativ (vasijetin vaxhib), – përgjigjja është se, për testamentin obligativ, nuk janë pajtuar të gjithë dijetarët (nuk është aprovuar nga Ixhmai).