PENGESAT E TRASHËGIMISË

Dr. Musli Vërbani

I penguari apo i ndaluari për trashëgimi është personi, i cili në esencë ka pasur të drejtë trashëgimie, por ndodh diçka që atë e ndalon të trashëgojë.

I penguari në trashëgimi është atribut, i cili personin e cilëson sikurse të mos kishte ekzistuar fare, e kjo do të thotë se i penguari jo vetëm që vet nuk trashëgon, por nuk mund të ndikojë tek të tjerët që të trashëgojnë apo të mos trashëgojnë. Pasuria e të vdekurit trashëgohet nga të tjerë, ashtu sikurse ai të mos kishte ekzistuar fare.

Pengesat e trashëgimisë janë:

  1. Robëria;
  2. Vrasja;
  3. Largimi nga feja;
  4. Ndryshimi fetar;
  5. Ndryshimi vendor.

1.   ROBËRIA

Robëria është lloj i pronësimit dhe posedim. Nuk mund të bëhet trashëgimia në mes robit dhe të lirit (jo robit). Pra, robi as nuk mund të trashëgojë askënd dhe as nuk mund të trashëgohet nga askush, sepse robi nuk ka të drejtë prone, pasi që edhe ai (robi) edhe prona e tij janë pronë e pronarit të tij, e nëse merr trashëgimi, atëherë ajo masë e trashëgimisë kalon te pronari i tij.

  • VRASJA

Dijetarët janë dakorduar se vrasësi nuk trashëgon prej të vrarit, të cilin e ka vrarë. Muhamedi a.s. ka thënë: “Vrasësi nuk ka të drejtë trashëgimie”.

Rregulli i fikhut është:

“Kush e shpejton një të drejtë para se t’i vijë koha, dënohet me ndalimin e asaj çështjeje për të”.

Sipas Ebu Hanifes: “Pengesë për trashëgimi janë tri llojet (mënyrat) e vrasjes:

  1.   vrasja me qëllim,
    1. vrasja e dyshimtë  dhe
    1.    vrasja e paqëllimtë.

Vrasja është pengesë edhe në krishterizëm

Në krishterizëm nëse njeriu e vret trashëgimlënësin ose merr pjesë në vrasjen e trashëgimlënësit, atëherë ai nuk trashëgon.

Vrasja është pengesë edhe tek jehudët

Edhe tek jehudët është njësoj; nëse ai që ka të drejtë për trashëgimi e vret trashëgimlënësin, nuk ka të drejtë trashëgimie, po ashtu edhe fëmijët e të vrarit nuk trashëgojnë; mirëpo nëse jehudiu e vret jojehudiun, kjo tek ata nuk konsiderohet krim, dhe ai ka të drejtë në trashëgimi nga i vrari.

Vrasja sipas L.T.K

Ligji Trashëgimor i Kosovës vrasjen e konsideron pengesë për trashëgimi. Ligji Trashëgimor i Kosovës shkon edhe me larg sa i përket kësaj çështjeje. Në nenin 110 të L.T.K. theksohet se i padenjë për trashëgimi është ai që:

  1. me dashje ka vrarë ose ka tentuar ta vrasë trashëgimlënësin, bashkëshortin, fëmijët dhe prindërit e tij.

Po ashtu në këtë nen, i padenjë për trashëgimi konsiderohet edhe ai  i cili ka dëshmuar rrejshëm, ka mashtruar, e ka poshtëruar, ose e ka keqtrajtuar trashëgimlënësin.

  • LARGIMI NGA FEJA

Kush largohet nga feja dhe pranon fe tjetër, ai nuk trashëgon prej besimtarit.

Hanbelijtë mendojnë se nëse rikthehet në Islam para se të ndahet trashëgimia, ai ka të drejtë të trashëgojë.

A trashëgohet pasuria e të larguarit nga feja?

Ebu Hanife mendon se pasurinëa, të cilën renegati e ka pasur (fituar) para se të largohet nga feja, e trashëgojnë të afërmit e tij, ndërsa pasurinë të cilën e ka fituar pasi që është larguar nga feja, deponohet në arkën qendrore (bejtul mal) të muslimanëve.

Sa i përket renegates (femrës e cila largohet nga feja), e tëra trashëgohet prej të afërmve të saj.

Për këtë çështje shumica absolute e dijetarëve mendojnë se e tërë pasuria deponohet në arkën qendrore shtetërore.

  Largimi nga feja tek të krishterët

Në krishterizëm, nëse  një i krishterë largohet nga feja (krishtere) dhe pranon fe tjetër, ai nuk trashëgon nga të afërmit e tij.

Largimi nga feja tek jehudët

Nëse një jehudi largohet nga feja (jehude) dhe pranon fe tjetër, atëherë ai nuk trashëgon as nga babai i tij e as nga farefisi i tij, mirëpo fëmijët e tij trashëgojnë atë që do ta kishte trashëguar prindi i tyre, nëse kthehen apo nëse bëhen jehudi.

  • NDRYSHIMI FETAR

Ndryshimi fetar është pengesë në trashëgimi, e për këtë janë pajtuar dijetarët. As pabesimtari nuk trashëgon muslimanin, e as muslimani nuk e trashëgon pabesimtarin. Muhamedi a.s. ka thënë:

“Muslimani nuk e trashëgon pabesimtarin e as pabesimtari nuk e trashëgon muslimanin”.

Ekziston edhe mendimi se muslimani e trashëgon pabesimtarin, ndërsa pabesimtari nuk e trashëgon muslimanin.

Sa i përket feve tjera se a lejohet të trashëgojnë në mes vete, duke pasur parasysh që ata janë duke jetuar në shtetin Islam, Ebu Hanifja, Shafiijtë dhe Malikijtë mendojnë se pabesimtarët dhe fetë e tjera kanë të drejtë të trashëgojnë në mes vete.

 Ndryshimi fetar pengesë e trashëgimisë në krishterizëm

Nëse njeriu i krishterë e pranon fenë tjetër, dhe deri në vdekje mbetet me atë fe, atëherë ai nuk trashëgon asgjë.

Ndryshimi fetar pengesë  në jehudizëm

Nëse një fëmijë është prej një gruaje, e cila nuk është jehude, ai fëmijë nuk trashëgon edhe pse vet është jehud.

  • NDRYSHIMI VENDOR

 Termi ndryshim vendor nënkupton ndryshimin shtetëror. Mirëpo, edhe pse ekzistojnë shumë shtete islame, secili konsiderohet vend islam, apo një shtet islam, edhe pse banorët e tyre muslimanë jetojnë në shtete të ndryshme (muslimane). Kështu që muslimanët kanë të drejtë të trashëgojnë në mes vete, pa marrë parasysh ku jetojnë, edhe pse ndryshojnë sistemet, edhe pse ndryshojnë organizimet e ndryshme shtetërore, në kohëra të ndryshme.

Muslimani e trashëgon muslimanin, pa marrë parasysh ku jeton. Kjo nuk konsiderohet pengesë.

Ne, tani, po flasim sa i përket jomuslimanëve se a trashëgojnë në mes vete apo jo, nëse jetojnë në shtete të ndryshme.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se gruaja jomuslimane e trashëgon burrin jomusliman dhe anasjelltas, pa marrë parasysh në cilat shtete jetojnë. Pra, jomuslimani trashëgon jomuslimanin.

Ndryshimi vendor si pengesë e trashëgimisë në sistemin e sotëm, siç e praktikojnë vendet e botës

Në disa vende, si në: Rusi, Francë, Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Angli, të drejtën e trashëgimisë mund ta fitojnë edhe personat që nuk e kanë shtetësinë e këtyre vendeve. Pra, mund të kalojë pronësia trashëgimore edhe në shtetas të huaj, që do të thotë se i huaji e gëzon të drejtën të jetë trashëgimtar njëlloj si shtetasit e atij vendi.

Disa shtete tjera, si: Austria, Suedia, disa shtete të SHBA-ve e njohin të drejtën që i huaji të jetë trashëgimtar në vendet e tyre, si shtetasit e tyre, me kusht të ekzistimit të reciprocitetit me shtetin, shtetas i të cilit është personi.

Në disa shtete tjera, si në Norvegji, nuk kërkohet reciprociteti si kusht, por ekzistimi i lejes së organit kompetent.

Pengesa e trashëgimisë e ndryshimit vendor në Kosovë

Në nenin 3, “Barazia në trashëgimi”, në Ligjin Trashëgimor të Kosovës, paragrafi 4, thuhet: Të huajt janë të barabartë në trashëgimi me kosovarët me kusht reciprociteti. Reciprociteti prezumohet.

  • FËMIJA NGA PROSTITUCIONI

Fëmija, i cili lind si pasojë e prostitucionit, e ka të drejtën e trashëgimisë vetëm nga ana e nënës së tij dhe nga të afërmit e nënës së tij. Fëmija nga prostitucioni nuk trashëgon nga prindi i tij, sepse është i lindur në formën joligjore, të cilën nuk e njeh Sheriati Islam, si dëshmi për të vërtetuar të drejtën e trashëgimisë prej tij. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:

“Cilido mashkull që bën amoralitet me një grua të lirë apo me ndonjë robëreshë, fëmija i tij është i lindur fëmijë jolegjitim (është fëmijë nga prostitucioni), ai as nuk trashëgon nga fëmija i tij, e as nuk trashëgohet nga ai”.

Këtë mendim e mbështesin që të katër drejtimet e jurisprudencës Islame, me qëllim që të ruhet interesi i fëmijës, sepse ai është i pafajshëm, e veprën e ka bërë nëna e tij, e jo ai. Fëmija nga prostitucioni ka të drejtë të trashëgojë edhe nga të afërmit e nënës, si p.sh. nga vëllai prej nëne, nga motra prej nëne.

Trashëgimia e fëmijës nga prostitucioni i takon vetëm trashëgimisë farz.

Trashëgimia e fëmijës nga prostitucioni asnjëherë nuk trashëgon në cilësinë “asaba”.

Fëmija nga prostitucioni nuk trashëgon vetëm nga babai i tij.

Në krishterizëm, pengesa e trashëgimisë, nëse fëmija është jashtëmartesor

Nëse një person bën prostitucion me gruan e trashëgimlënësit, ose me bijën e tij, ose me motrën e tij, ose me nënën e tij, atëherë ai është i padenjë për të trashëguar.

Fëmija nga prostitucioni sipas LTK-së

Neni 3, paragrafi 2, të LTK-së thuhet:

Fëmijët e adoptuar barazohen me fëmijët legjitim.

Sipas Ligjit të Trashëgimisë së Kosovës janë të barabartë si trashëgimtarët (fëmijët) legjitim, ashtu edhe fëmijët jo legjitim dhe të adoptuar.

7. FËMIJA NGA LIANI

Lian do të thotë përbetim me mallkim në mes të bashkëshortëve, në mungesë të dëshmitarëve në rast akuze për prostitucion. Pra, nëse burri akuzon gruan për prostitucion, ndërsa ajo e demanton dhe e mohon një gjë të tillë, atëherë, para gjykatës, nga të dy palët, bëhet katër herë përbetimi dhe të pestën herë mallkimi. Pas kësaj, gjykatësi vendos ndarje në mes tyre, pas të cilës nuk kanë të drejtë që të martohen në të ardhmen asnjëherë.

Liani në suretun-Nur tregohet kështu:

“Ndërsa ata të cilët shpifin për gra të veta dhe nuk kanë dëshmitarë tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në All-llahun se e thonë të vërtetën. E pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i All-llahut qoftë mbi të nëse ai gënjen. E nga ajo (gruaja për të cilën është shpifur) largohet dënimi, nëse katër herë betohet në All-llahun se ai (shpifësi) gënjen. E pesta herë e betimit të jetë që ta godasë hidhërimi i All-llahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë. Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e All-llahut ndaj jush (ju do të mbaronit). Pa dyshim All-llahu pranon pendimin, është i gjithëdijshëm.” 

(En-Nur: 6-10)

Nëse lind fëmija pas ndarjes, atëherë a ka të drejtë ai fëmijë të trashëgojë apo jo?

Pejgamberi s.a.v.s. bëri që fëmija i lindur pas ndarjes së bashkëshortëve, për shkak të përbetimit me mallkim në mes tyre, të trashëgojë nga nëna e tij dhe nga trashëgimtarët e saj pas saj.

8. TRASHËGIMIA E FËMIJËS KOPIL                                                                                                        

Nëse një fëmijë gjendet në rrugë dhe nuk paraqitet askush se është i tij, atëherë nga ai askush nuk ka të drejtë të trashëgojë, dhe ai nga askush nuk trashëgon.

Nëse pasi që të rritet dhe të fitojë pasuri trashëgimlënësi vdes, atëherë pasuria e tij mbetet në arkën qendrore të muslimanëve, sepse shteti është i obliguar që të përkujdeset për të, për edukimin e tij, arsimimin e tij, andaj edhe pas vdekjes pasuria i mbetet shtetit.

Nëse fëmija i tillë martohet dhe krijon familje, atëherë bashkëshortja dhe fëmijët e tij trashëgojnë pasurinë e tij. Gjithashtu edhe ai trashëgon nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

             Përfundojmë me atë se nëse fëmija kopil i pamartuar, i cili nuk ka krijuar familje, posedon pasuri, dhe ai juridikisht nuk ka asnjë të afërm nga gjaku, për këtë arsye pasurinë e tij e trashëgon shteti. Por, nëse krijon familje, faktikisht ai trashëgon dhe trashëgohet nga familja e re, të cilën e ka formuar.

Lini një koment