Dr. Musli Vërbani
–
hutbe
–
Esselamu alejkum ve berekatuhu (Paqja, shpëtimi dhe bekimi në të dy botët qoftë për ju).
Falënderojmë Zotin e gjithë botëve i cili na thotë: “Momenti është afruar, e Hëna është çarë”.
Përshëndesim dhe dërgojmë salavate për pejgamberin a.s., i cili ka thënë: “(Muaji Shaban) Është muaj në të cilin ngrihen veprat te Zoti i botëve dhe unë dua që veprat e mia të ngrihet duke qenë agjërueshëm.”
Në këtë muaj, pra në muajin Shaban kanë ndodhë edhe dy ngjarje të rëndësishme e ato janë:
– Ndarja e Hënës ë dysh dhe
– Ndërrimi i Kiblës.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket ndarjes së hënës në dysh: Pabesimtarët në Meke i thanë Muhamedit a.s.: “Në qoftë se ti me të vërtetë je Pejgamber, ndaje Hënën në gjysmë dhe në qoftë se e bën këtë ne do të besojmë.”
Atë natë Hëna ishte e plotë. Kështu, Muhamedi a.s. luti Allahun që t’ia plotësonte atyre këtë mrekulli dhe pas kësaj Hëna u ça në dysh. Gjysma e Hënës është parë matanë malit Saffa’s dhe gjysma tjetër është parë matanë malit Kaikaan.
Njerëzit thanë se Pejgamberi u bëri magji, sipas tyre. Por nëse kjo ishte magji, ai nuk mund t’u bënte magji gjithë njerëzve të botës! Pastaj pabesimtarët thoshin: “Oh, sa e fuqishme është magjia e Muhamedit!”
Pas kësaj Allahu shpalli Suren El- Kamer (Hëna).
“Momenti (i kaktaklizmës) është afruar, e Hëna është çarë (në dysh).
Po ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument zmbrapsen e thonë: “Kjo është magji e vazhdueshme!” Dhe përgënjeshtruan, e ndoqën dëshirat e veta…”
Vëllezër të nderuar!
Ngjarja e dytë e cila ka ndodhë në muajin Shaban është ndërrimi i kiblës.
Një tjetër rëndësi që i jepet kësaj nate është se ndërrimi i kibles nga Mesxhidi Aksa drejt Qabes ka ndodhur vitin e dytë të hixhretit, pikërisht në këtë natë të bekuar.
Dihet se xhamia e parë e Muhammedit a.s. mihrabin e kishte të kthyer drejt Mesxhidi Aksasë në Jerusalem.
Gjatë çdo namazi muslimanët i drejtoheshin në drejtim të mesxhidi Aksas në Jerusalem.
Kjo gjendje ka vazhduar përgjatë 16-17 muaj pas hixhretin.
Pastaj Zoti i Madhërishëm zbret ajetin:
“Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë! Pa dyshim, ata që u është dhënë Libri (Tevrati), e dinë se drejtimi nga Qabeja është e vërteta prej Zotit të tyre. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që ata bëjnë.”(El-Bekare, 144).
Me këtë ajet Allahu e ka gëzuar Muhamedin a.s. dhe besimtarët.
Me këtë ajet Allahu i ka gëzuar muhaxhirët në veçanti dhe muslimanët në përgjithësi.
Namazi i parë të cilin e fali Muhamedi a.s. drejt Qabesë ishte namazi i ikindisë. Dihet se namazi i ikindisë përbëhet prej katër rekateve, kështu që dy rekate i kanë falë në drejtim të Mesxhidi Aksasë dhe dy rekatet i tjera i kanë falë në drejtim të Qabës, e që më pastaj ajo xhami e ka marrë epitetit Xhami e dy kileve.
Këto dy ngjarje, pra Çarja e Hënës në dysh dhe ndërrimi i kibles kanë ndodhë në muajin Shaban.
Këto dy ngjarje kanë ndodhë në mes të muajit Shaban, e ai mes i muajit Shaban është nata e Beratit.
Nata e Beratit bie në natën e 15-të të muajit Shaban.
Kjo natë na e paralajmëron ardhjen e Muajit Ramazan, kështu që duhet që të përgatitemi sa më mirë shpirtërisht dhe fizikisht për agjërim dhe adhurime tjera.
Se çfarë nate është dhe çfarë rëndësie ka kjo natë më së miri na e përshkruajnë hadithet e Muhamedit a.s.:
“Në natën e 15-të të muajit Shaban të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, për këtë arsye unë dëshiroj që veprat e mia të nxirren para Tij përderisa jam agjërueshëm”.(Nesaiu)
“Kur fillon nata e 15-të e muajit Shaban, rrini zgjuar, ndërsa ditën që pason agjëroni”.
Për këtë muaj Muhamedi a.s. ka thënë:
“Është muaj në të cilin ngrihen veprat te Zoti i botëve dhe unë dua që veprat e mia të ngrihet duke qenë agjërueshëm.”
Kjo natë e madhe është një natë për njerëzit për të bërë llogarinë e veprave. Në këtë natë çdo besimtar duhet të masë distancën nga keqbërja dhe duhet të vendosë edhe një herë për të mbyllur dyert që shkojnë tek e keqja.
Vëllezër të nderuar!
Nata e Beratit ka kuptimin e Natës së mirësisë dhe Natës së shfajësimit.
Quhet kështu ngase nëse vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për të dalë i pastër nga mëkatet dhe gabimet.
Gjithashtu e mban emrin edhe si Nata e Mëshirës, meqë njerëzit përfitojnë nga mëshira e madhe e Allahut të Madhërishëm.
Vlerën e kësaj nate e tregon pejgamberi a.s. ku thotë:
“Kalojeni natën e gjysmës së muajit Shaban me namaz, kurse ditën me agjërim! Atë natë, pas perëndimit të diellit, Allahu i Lartë zbret në qiellin e tokës dhe thotë:
“A ka ndonjë që kërkon falje, ta fal?
A ka ndonjë që kërkon diçka, t’i jap?
A ka ndonjë që kërkon shërim, ta shëroj?
Dhe vazhdon kështu deri në mëngjes”.
Përfundim
Nata e Beratit njihet për këto veçori:
Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme.
Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën, kanë vlera shumë të mëdha.
Është një natë e mbushur plot me mirësi dhe me begati.
Është nata e faljes.
I është dhënë e drejta e plotë Resulullahut për të bërë shefaat për muslimanët.
– Në natën e 13-të të muajit Shaban Pejgamberi kërkoi shefat dhe iu dha një e treta;
– Në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta;
– Në natën e 15-të (Nata e Beratit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për umetin e tij.
Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur.
Allahu i Madhërishëm e ka nderuar këtë natë me mëshirë, mirësi dhe begati, për t’i falur ata njerëz që drejtohen në rrugën e Tij, duke kërkuar falje për mëkatet e bëra.
Zoti ynë! Na bënë prej të pastërve, prej falënderuesve dhe prej atyre të cilët e kanë zemrën e shëndoshë.
Zoti ynë!
Na e bëj të dashur besimin dhe stolisi zemrat tona me besim. Na e bëj të urryer pabesimin dhe mëkatet dhe na bëj prej të udhëzuarve.
Na bëj të vdesim me besim dhe bëje që fjala jonë e fundit të jetë: Falënderimi i takon Zotit të të gjithë botëve!