SHKAQET E TRASHËGIMISË

Dr. Musli Vërbani

Shkaqet e trashëgimisë janë:

  1. Afërsia nga gjaku;
  2. Lidhja e kurorëzimit të plotfuqishëm juridikisht;
  3. Ndërlidhja jo për nga gjaku, por për nga pronësimi (robërimi).

1.  Afërsia nga gjaku

Në afërsi nga gjaku bëjnë pjesë:

Djemtë dhe vajzat;

Nipat dhe mbesat;

Nëna dhe babai;

Vëllezërit dhe motrat;

Gjyshi dhe gjyshja;

Axhallarët dhe të tjerët.

Të gjithë këta trashëgojnë në kushte dhe rrethana të ndryshme. Në traditën tonë shumë pak dëgjojmë se trashëgon babai ose nëna, gjyshi ose gjyshja, ose motra. Trashëgojnë vetëm djemtë, dhe askush tjetër. Por, edhe pas kësaj ndodhin hidhërime mosmarrëveshje, konflikte, të cilat zgjasin gjatë tërë jetës, duke shkaktuar edhe shkëputjen farefisnore, e cila trashëgohet edhe tek pasardhësit dhe gjeneratat e mëvonshme.

Për shkak të afërsisë nga gjaku kemi trashëgimtarë, të cilët trashëgojnë:

  • Pjesën vetëm farz, si p.sh. nëna;
  • Pjesën farz me pjesën shtesë(asaba), si p.sh. babai;
  • Pjesën asaba koalicion, si p.sh vëllai;
  • Pjesën farefisnore, si p.sh. axha etj.

2.  Lidhja e kurorëzimit të plotfuqishëm juridikisht

Burri e trashëgon gruan dhe

gruaja e trashëgon burrin.

Nëse burri e shkurorëzon gruan dhe ai vdes para skadimit të tre menstruacioneve, atëherë, edhe pse është e shkurorëzuar,  ajo ka të drejtë trashëgimie, sepse lidhja e kurorëzimit shkëputet me rastin e kalimit të idetit, e jo prej momentit të shkurorëzimit.

Nëse një burrë lidh aktin e kurorëzimit me një grua, mirëpo nuk kontaktojnë seksualisht dhe e shkurorëzon, e pastaj vdes pa skaduar ideti, atëherë ajo grua nuk ka të drejtë trashëgimie. Zoti i Lartmadhëruar thotë

“O ju që besuat, kur të keni lidhur kurorë me besimtaret, e pastaj i lëshoni ato para se të keni kontaktuar me to, ju nuk keni të drejtë të kërkoni që ato të presin afatin e caktuar (iddetin), po jepuni diçka atyre dhe lironi në mënyrë të njerëzishme.” (El-Ahzab, 49)

Pra, shkurorëzimi, pa kontaktuar seksualisht, nuk ka afat të pritjes (idetit).

3.  Ndërlidhja jo për nga gjaku, por nga pronësimi (robërimi)

Nëse një zotëri e liron robin ose robëreshën e tij, dhe i liruari ose e liruara vdes dhe nuk ka trashëgimtarë, atëherë masa trashëgimore bartet te zotëria i tij.

Muhamedi s.a.v.s ka thënë:

“Përkujdesja dhe autorizimi i takon atij, i cili e ka liruar.”

(Mutefekun alejh)

Edhe në shtetin romak dhe në të drejtën romake, në kushte të caktuara, pronarët e robërve mund të fitonin të drejtën  e pronësimit dhe të trashëgimit edhe pas vdekjes së robit.

Lini një koment