NËSE NUK TË RESPEKTOJNË BANORËT E TOKËS, TË RESPEKTOJNË BANORËT E QIELLIT

Dr. Musli Vërbani

(LUTJA PËR NATËN E ISRASË DHE MIRAXHIT)

Është e vërtetë se kishte ndërruar jetë Hatixheja, bashkëshortja e Muhamedit a.s., e cila ishte mbështetësja kryesore morale, financiare dhe përkëdhelëse për Muhamedin a.s.

Është e vërtetë se kishte ndërruar  jetë Ebu Talibi, mbrojtësi fizik për Muhamedin a.s., i cili kishte famë të madhe në Meke.

Është e vërtetë se viti në të cilin  ka ndërruar jetë Hatixheja dhe Ebu Talibi llogaritet të jetë Viti i Pikëllimit.

Është e vërtetë se ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit i ka paraprirë edhe shkuarja në Taif.

Në Meke bënin propaganda dhe plane për ta likuiduar Muhamedin a.s.

Andaj pejgamberi a.s. kishte shkuar në Taif.

Banorët e Taifit (Tokës) e kanë dëbuar Muhamedin a.s. në formën më të egër: Gra e burra; pleq, fëmijë e të rinj e kanë gjuajtur me gurë (sot mund të përkthehet  edhe me propaganda).

Pas kësaj ngjarje, Muhamedi a.s. e ka bë lutjen si në vijim (e cila lutje i ka parapri natës së Israsë dhe Miraxhit).

Zoti im,

Po paraqitem te Ti për të treguar dobësinë time.

Po paraqitem te Ti për të treguar mundësitë e pakta që kam dhe

po paraqitem te Ti për paaftësinë time për njerëzit.

Ti je Zoti i botëve, Ti je Zoti i të dobëtëve, Ti je Zoti im.

Zoti im,

Në dorë të kujt më ke lënë?

Në dorën e ndonjë  të panjohurit të largët e të ngrysur apo

në dorën e ndonjë  të afërti të njohur!?

Në dorën e cilit prej tyre ia ke lënë në dorë çështjen time!?

Nëse nuk je i hidhëruar me mua, nuk brengosem dhe nuk më intereson asgjë tjetër.

Kërkoj ndriçim dhe siguri nga drita Jote, e cila dritë ka ndriçuar errësirat dhe që me atë dritë  rregullohet çështja e kësaj bote dhe e botës tjetër.

Kërkoj siguri dhe mbrojtje nga hidhërimi Yt mbi mua.

Kërkoj siguri dhe mbrojtje nga pakënaqësia Jote mbi mua.

Te ti kthehem i  penduar. 

Te ti qëndroj i dorëzuar  derisa të jesh i kënaqur me mua.

Nuk ka forcë përveç forcës Tënde.

Zoti  e ka dëgjuar dhe e ka pa sjelljen e banorëve të Tokës (Mekës,Taifit, etj.) të cilët i kanë  bërtitur, të cilët e kanë gjuajtur me gurë, të cilët e kanë dëbuar (nga Taifi), dhe kanë dashur ta largojnë nga toka në përgjithësi.

Zoti e ka pa se banorët e tokës nuk e kanë  respektuar, andaj ka dashur t’i tregojë se si  dhe sa e respektojnë banorët e qiellit.

Zoti Famëlartë ka dashur t’i tregoj Muhamedit a.s. se:

Ka ardhur koha që ti  ta takosh Krijuesin e Tokës dhe Qiellit.

Ka ardhur koha që ti ta takosh Krijuesin e banorëve të Tokës dhe Qiellit.

Ka ardhur koha që ti të takohesh me pejgamberët prej Ademit a.s dhe deri te Isa a.s të cilët, që të gjithë kanë vuajtur për këtë fe Islame.

Lini një koment