SISTEMI I TRASHËGIMISË TEK ARABËT PARA ISLAMIT

Dr. Musli Vërbani

            Para Islamit, në  kohën e injorancës, tek arabët sistemi i trashëgimisë ka qenë i rregulluar mbi dy baza:

a. në bazë të gjinisë,

b. në bazë të kontratave.

a. Trashëgimia në bazë të gjinisë

Ky sistem i trashëgimisë nuk u ka dhënë të drejtë trashëgimie femrave dhe fëmijëve, pa marrë parasysh a janë meshkuj apo femra, kjo nga shkaku se femra dhe fëmijët nuk kanë qenë të aftë të marrin pjesë në luftë. Pra, paaftësia për luftë me armikun ka qenë arsye tek arabët që këto dy kategori t’i përjashtojnë nga trashëgimia.

b. Trashëgimia në bazë të kontratave

Sipas sistemit të trashëgimisë në bazë të kontratave, po qe se dy persona kanë lidhur kontratë se nëse ndonjëri prej tyre bën krim, vret ndonjë njeri, atëherë tjetri ia paguan gjakun, por edhe për çfarëdo të keqe, përgjegjësitë i kanë të barabarta; nëse ndonjëri prej tyre vdes, e trashëgon tjetri.

Përpos kësaj forme të trashëgimisë, ka ekzistuar edhe forma e birësimit (adoptimit), ashtu që fëmija e ka marrë emrin e babait, te i cili është adoptuar (birësuar), e jo emrin e babait të vërtetë, e pastaj në bazë të kësaj ka pasur të drejtë të trashëgojë.

Me ardhjen e Islamit, sistemi i trashëgimisë tek arabët ka kaluar nëpër tri faza, sepse në mënyrë graduale është vendosur ligji i trashëgimisë dhe atë:

Faza e parë

Në fazën e parë ka zbritur ajeti kur’anor

“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasieti) për prindërit dhe për të afërmit ju është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejt. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypset kryer.” (El Bekare, 180)

Ajeti qartë ka treguar trashëgiminë testamentare: që në bazë të asaj trashëgimie të trashëgojë edhe nëna, edhe pse i takon gjinisë femërore, e po ashtu të kenë të drejtë të trashëgojnë dhe fëmijët, pa marrë parasysh a janë meshkuj apo femra.

Faza e dytë

Në këtë fazë zbret ajeti kur’anor:

“Meshkujve u takon një pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit, por edhe grave u takon një pjesë nga  ajo që lënë prindërit dhe të afërmit, pavarësisht a është pak ajo pjesë e caktuar apo shumë, është pjesë obligative.”

 (En-Nisa, 7)

Në këtë fazë, ajeti tregon për trashëgiminë e femrës, sikurse tregon për trashëgiminë e mashkullit, por pa e definuar dhe pa e përcaktuar masën e trashëgimisë së mashkullit.

Faza e tretë

Në këtë  fazë zbret ajeti kur’anor

“Allahu ju ka bërë obligim që për fëmijët tuaj (trashëgimia) mashkullit t’i takojë dy herë më shumë se femrës.” (En-Nisa, 11)

Shkak i zbritjes së këtij ajeti kur’anor ka qenë se kur gruas së Sead bin Rebas i është vrarë burri në luftën e Uhudit. Ajo i ka pasur dy vajza, ndërsa vëllai i Rebias, pra axha i vajzave, e ka marrë tërë pasurinë, kurse fëmijëve nuk u ka lënë asgjë. Gruaja shkon te pejgamberi s.a.v.s. dhe i thotë: “Axha i vajzave e ka marrë tërë pasurinë, e ata as që kanë mundësi të martohen, sepse nuk kanë pasuri. Muhamedi s.a.v.s i thotë: “Prit se Allahu do të gjykojë për këtë.” Pastaj ka zbritur ajeti  i trashëgimisë dhe pejgamberi s.a.v.s. dërgon  një të dërguar te axha i vajzave që t’i thotë: “Dy vajzave të Seadit jepja dy të tretat e pasurisë të babait të tyre, një të tretën jepja gruas, dhe çka të mbetet merre për vete.”

Kështu Islami pastaj në mënyrë të detajuar ka sqaruar hiset e trashëgimisë që quhen farz, të cilat janë të përmbledhura në tre ajetet e sures Nisa.

Lini një koment