SISTEMI I TRASHËGIMISË TE JEHUDËT

Dr. Musli Vërbani

            Te jehudët, sistemi i trashëgimisë ka kaluar në disa etapa. Para se të përmendim etapat,  duhet të theksojmë se sa i përket ligjeve të trashëgimisë tek jehudët, ato  kanë ndryshuar  në  kohëra të ndryshme. Dhiata e Vjetër ndryshon prej ligjeve të Talmudit, dhe që të dyja, pra si Dhiata e Vjetër, ashtu edhe Talmudi, ndryshojnë nga ligjet tek jehudët  bashkëkohorë. Për  këtë arsye ne do të shpjegojmë sistemin e trashëgimisë tek jehudët si vijon:

  1. Trashëgimia  në Dhiatën e Vjetër;
  2. Trashëgimia në  Talmud;
  3. Trashëgimia në  kohën e sotme.

1.   Trashëgimia  e Jehudëve sipas Dhiatës së Vjetër

Sipas  Dhiatës së Vjetër, Jehudët kanë shkuar në atë drejtim, duke i dhënë të drejtë trashëgimie djalit, e jo vajzës, ose thënë me fjalë të tjera, djali e mbulon (e përjashton) vajzën dhe vajza nuk ka të drejtë të trashëgojë asgjë nga prindërit e saj. Po ashtu edhe gruaja, e cila nuk ka fëmijë, nuk trashëgon asgjë nga burri i saj, por burrin e saj e trashëgon vëllai i tij, ose të afërmit e tij.

Mirëpo me kalimin e kohës kanë filluar të trashëgojnë vajzat, nëse babai i tyre nuk ka djem, ose thënë me fjalë tjera  vajza trashëgon kur nuk ka vëllezër fare, e jo së bashku me vëllezërit. Kjo ka ndodhur me vajzat e Sulfahadit, mirëpo edhe kjo me kusht që ata të martohen me të njëjtin fis, pra me qëllim që trashëgimia të mos kalojë jashtë fisit apo familjes. Vajzat  e Sulfahadit e kanë pasur emrin Muhtetun, Neuhatun dhe Haxhetun. Këto vajza shkojnë te Musa a.s. dhe i thanë: “Babai ynë ka vdekur dhe nuk ka fëmijë djem. Na jep pasurinë në vend të djemve të tij, pasi që ai nuk ka fëmijë djem”.

Musa e bën një lutje te Zoti që vajzat e Sulfahadit të trashëgojnë pjesën në vend të djemve dhe pasuria e babait të kalojë tek ata. Prej asaj kohe beni israilët kanë thënë: “Çdo njeri i cili vdes dhe nuk ka djem atëherë pasuria e tij  trashëgohet  te vajzat e tij. Nga aty është ligjësuar te beni israilët ashtu siç i ka urdhëruar Musa a.s.

Në Dhiatën e Vjetër, ligji i trashëgimisë ka qenë si vijon:                                                                                                          

1. Fëmijët

Pa marrë parasysh se a janë djem apo vajza, fëmijët trashëgojnë. Nëse fëmijët janë  djem e vajza, vetëm djemtë trashëgojnë, ndërsa vajzat përjashtohen. Po, nëse i vdekuri nuk ka fëmijë djem, atëherë trashëgimia kalon tek vajzat. Kjo në Dhiatën e Vjetër është e përcaktuar kështu:

“Çdo njeri i cili vdes dhe nuk ka djalë, atëherë pronësia e tij kalon tek vajza e tij.” (Sufur Ejub sah 42 fq. 12)

Nga kjo shihet se fëmijët djem mbulojnë (i përjashtojnë) baballarët, gjyshërit, gjyshet, vëllezërit dhe të afërmit.

2. Vëllezërit

Nëse i vdekuri nuk ka fëmijë, as meshkuj, as femra, atëherë trashëgojnë vëllezërit. Në Dhiatën e Vjetën, në sufur aded sah, 27 thuhet:

“… dhe nëse nuk ka i vdekuri vajzë, pronësinë jepjani vëllezërve të tij”.

3. Xhaxhallarët

Nëse  i vdekuri nuk ka fëmijë, as vëllezër, atëherë atë e trashëgojnë xhaxhallarët. Në Dhiatën e Vjetën, sufur aded sah, 27 fq. 10 thuhet:

“Dhe nëse i vdekuri nuk ka vëllezër pronësinë jepjani axhallarëve të tij.”

4. Farefisi.

Nëse i vdekuri nuk ka axhallarë atëherë trashëgimia kalon te farefisi më i afërt pas tyre. Në sufur aded sah 27 fq. 11 thuhet:

“Dhe nëse i vdekuri nuk ka vëllezër atëherë pronësinë jepjani më të afërmve të tij.”

2. Trashëgimia në Talmud

Sipas Talmudit, mashkulli trashëgon, ndërsa femra nuk trashëgon. Femra është qenie që trashëgohet, ndërsa ajo nuk trashëgon. Apostujt jehudë e kanë praktikuar kështu:

– Trashëgimtarët, të cilët trashëgojnë prej të tjerëve, ndërsa të tjerët, të cilët nuk trashëgojnë prej tyre, janë:

– Fëmija mashkull prej nënës së tij;

– burri prej gruas së tij;

– fëmijët e motrës prej dajallarëve.

– Trashëgimtarët,  të cilët nuk trashëgojnë janë: femra (nëna) prej fëmijës së saj, gruaja prej burrit të saj.

– Trashëgimtarët, të cilët e trashëgojnë njëri-tjetrin janë: djali prej nënës, burri prej gruas, vetëm se këtu duhet pasur parasysh se kjo ka qenë në fillim sipas librit Telmud. Mirëpo, këtë formë të trashëgimisë më vonë e kanë ndryshuar apostujt, duke vendosur ligjet si vijon:

– Sistemi i trashëgimisë së babait kur vdes.

Në rend të parë e trashëgon djali.

Nëse nuk  ka djem, shikohet nëse ka nipër ose vajza.

Nëse nuk ka vajza, atëherë shikohet nëse vajza ka djem (djem të vajzës) ose vajza të vajzës.

Nëse ata nuk janë, atëherë trashëgimia kalon te babai.

Nëse nuk ka baba, trashëgimia kalon te vëllezërit.

Nëse nuk ka vëllezër apo djem të vëllezërve,  trashëgimia kalon te motra.

Nëse nuk ka motër apo djem të motrës, trashëgimia kalon te  babai i babait.

Nëse nuk është  babai i babait,  atëherë trashëgimia kalon te vëllai i babait.

Nëse nuk ka vëllezër të babait, atëherë trashëgimia kalon te babai i babait të babait.

Nëse edhe ai nuk është, atëherë trashëgimia kalon te vëllezërit e babait të babait.

Sipas librit Talmud, djemtë e të vdekurit, të cilët trashëgojnë babain e tyre dhe kanë motër të pa martuar, e kanë obligim që prej një të dhjetës së pasurisë së trashëguar ta martojnë motrën e tyre. Nëse janë shumë motra,  të gjitha martohen, por me vlerë jo më shumë se 10 për qind të pasurisë së trashëguar,.

        Shihet se Talmudi i jep të drejtë vajzës 10 për qind, për shkak se ajo ka nevojë të martohet. Mirëpo duhet cekur se nëse baba i vajzës vdes, e më vonë edhe gjyshi, atëherë mbesa, pra vajza e djalit, nuk ka të drejtë të trashëgojë prej pasurisë së babait të saj.

3. Trashëgimia e jehudëve në kohën e sotme

Dijetarët jehudë shkojnë në atë drejtim që djemtë të kenë të drejtë trashëgimie, ndërsa vajzat jo. Për të pasur më të qartë këtë, sqarojmë si vijon:

1. Nëse vdes njeriu, i pari i cili trashëgon është djali. Nëse janë shumë djem, atëherë të pamartuarit marrin nga dy hise, të martuarit nga një hise .

                          2. Nëse nuk ka fëmijë djem, por vetëm vajza, atëherë të gjitha vajzat, të martuarat e të pamartuarat, trashëgojnë njësoj. Nëse është vetëm një vajzë ajo e trashëgon tërë pasurinë.

Për të trashëguar vajza është kusht që i vdekuri të mos ketë djem ose djem të djemve. Pra, nëse i vdekuri lë pas vetes djem e vajza, atëherë trashëgojnë vetëm djemtë, ndërsa vajzat nuk trashëgojnë asgjë; mirëpo nëse vajzat nuk janë të martuara, atëherë djemtë e kanë për obligim që të përkujdesen për motrat e tyre derisa të martohen, në vlerë të 10% të pasurisë së trashëguar.

Vajza nuk ka të drejt në 10% të pasurisë së babait në tri raste:

1. Kur i vdekuri ka lënë djem e vajza, atëherë e tëra u takon djemve.

2. Kur i vdekuri ka martuar vajzën deri sa ai ka qenë gjallë.

3. Nëse janë martuar pas vdekjes së babait të tyre dhe nuk kanë kërkuar asgjë.

3. Nëse i vdekuri nuk ka lënë pas vetes fëmijë, atëherë atë e trashëgon babai, ndërsa nëna jo. Pra, as nëna nuk trashëgon prej birit të saj.

4. Nëse i vdekuri nuk lë pas vetes as fëmijë, as prind, atëherë atë e trashëgon vëllai. Vëllezërit  trashëgojnë pjesë të barabarta.

5. Nëse i vdekuri nuk lë as fëmijë, as prindër, e as vëllezër, atëherë atë e trashëgon gjyshi. Edhe në këtë rast nuk i jepet të drejtë gjyshes, çka do të thotë se kjo është një diskriminim i të drejtës së trashëgimisë së femrës.

6. Nëse i vdekuri nuk lë pas vetes as fëmijë, as prindër, as fëmijë, as gjysh, atëherë në radhë vjen axha, ndërsa halla jo.

Gruaja nuk ka të drejtë të trashëgojë nga burri i saj, ndërsa burri e trashëgon gruan e tij.

Lini një koment