Dr. Musli Vërbani
–
Në krishterizëm, trashëgimtarët ndahen në:
- Trashegimtarë obligativë dhe
- Trashëgimtarë të brezave.
1. Trashëgimtarë obligativë në krishterizëm janë: burri dhe gruaja.
2 Trashëgimtarë të brezave janë të gjithë trashëgimtarët e tjerë, përpos burrit ose gruas, të cilët trashëgojnë pasi që burri ose gruaja ta trashëgojë pjesën e saj.
Burri trashëgon në tri mënyra:
Mënyra e parë:
Burri trashëgon një të dytën, nëse gruaja s’ka lënë pas vetes fëmijë.
Mënyra e dytë:
Burri trashëgon një të katërtën, nëse gruaja ka lënë pas vetes së paku tre fëmijë, pa marrë parasysh a janë meshkuj apo femra. Mirëpo, nëse janë më shumë se tre fëmijë, atëherë ai merr pjesë të barabartë me çdonjërin fëmijë; pra, ai konsiderohet si njëri prej djemve.
Mënyra e tretë:
Burri trashëgon tërë pasurinë, nëse e vdekura nuk ka lënë as fëmijë, as prindër e as vëllezër.
Ashtu siç trashëgon bashkëshorti prej bashkëshortes, njësoj trashëgon bashkëshortja prej bashkëshortit.
Te krishterët ekzistojnë dy sisteme të trashëgimisë:
a) Sistemi ibnul Kalakut dhe
b) Sistemi i Asalit.
a) Sistemi ibnu Kalakut,
Ibnu Kalaku, patriark i krishterë, trashëgiminë e parasheh në këtë mënyrë:
1. fëmijët, djem dhe vajza, pa marrë parasysh se a janë të martuar apo të pamartuar, që të gjithë trashëgojnënë mënyrë të barabartë. Dhe, nëse ndonjë djalë ka vdekur dhe ka lënë fëmijë, atëherë djemtë e djalit trashëgojnë me xhaxhallarët e tyre prej gjyshit të tyre hisen sikurse të kishte qenë gjallë prindi i tyre.
Pas gjeneratës së djemve trashëgon gjenerata e fëmijëve të djemve, e kështu me radhë.
2. Nëse i vdekuri nuk ka fëmijë apo fëmijë të fëmijëve, atëherë pasi që gruaja e merr pjesën e saj obligative, pjesën tjetër e trashëgon: baba 2/3, ndërsa nëna trashëgon 1/3. Nëse ndonjëri prej tyre është i vdekur, atëherë hisen e njërit prej tyre e marrin vëllezërit dhe motrat e të vdekurit, në pjesë të barabarta. Nëse ndonjëri prej vëllezërve ose motrave është i vdekur, atëherë hisen e marrin fëmijët e vëllezërve ose fëmijët e motrave të të vdekurit.
3. Nëse i vdekuri nuk ka as fëmijë, as baba e as nënë, atëherë trashëgojnë vëllezërit dhe motrat.
4. Nëse i vdekuri nuk ka as fëmijë, as nënë, as baba, as gjysh e as gjyshe, atëherë në radhë trashëgojnë xhaxhallarët dhe dajallarët.
6. Nëse i vdekuri nuk ka as fëmije, as nënë e as baba, as vëllezër, as motra, as gjysh, as gjyshe, as axhallarë, as dajallarë, atëherë atë e trashëgojnë fëmijët e gjyshit dhe të gjyshes.
7. Nëse i vdekuri nuk e ka asnjërin prej këtyre, atëherë trashëgojnë dy të tretën së bashku xhaxhallarët dhe hallat e babait, ndërsa dajallarët e babait e trashëgojnë së bashku një të tretën.
8. Nëse i vdekuri nuk ka as asnjërin prej këtyre, atëherë trashëgimia kalon te gjyshërit dhe gjyshet, ashtu që loza e atësisë trashëgon dy të tretat, ndërsa ata të mëmësisë një të tretën, e nëse ndonjëri prej tyre ka vdekur, atë e trashëgojnë fëmijët e tyre.
9. Nëse nuk është asnjë nga gjeneratat e përmendura, atëherë trashëgojnë xhaxhallarët dhe hallat e gjysheve.
Nëse nuk ka asnjë prej tyre, atëherë pasuria kalon në shtëpinë e patriarkut.
Ky sistemi trashëgimisë është sistemi i Ibni Kalakut. Këtë sistem të trashëgimisë e praktikojnë priftërinjtë e kohës bashkëkohore.
b. Sistemi i Ibni Asalit
Ky është sistemi i dytë i trashëgimisë te të krishterët. Sipas këtij sistemi trashëgimia bëhet në këtë mënyrë:
1. Të vdekurin, në rend të parë, e trashëgojnë fëmijët, meshkuj e femra, në pjesë të barabarta.
2. Pastaj, djemtë e djemve dhe vajzat e djemve.
3. Pastaj, baba.
4. Pastaj, vëllezërit, motrat dhe nëna në hise të barabarta.
5. Pastaj, vëllezërit dhe motrat prej babait.
6. Pastaj vëllezërit dhe motrat prej nënës.
7. Pastaj fëmijët e vëllezërve dhe të motrave.
8. Pastaj baba i babait.
9. Pastaj nëna e babait.
10. Pastaj xhaxhallarët.
11. Pastaj djemtë e axhallarëve.
12. Pastaj fëmijët e vajzës.
13. Pastaj fëmijët e motrës.
14. Pastaj hallat.
15. Pastaj djemtë dhe vajzat e hallës.
16. Pastaj babai i nënës.
17. Pastaj nëna e nënës.
18. Pastaj dajallarët.
19. Pastaj fëmijët e dajallarëve.
20. Pastaj tezet.
21. Pastaj fëmijët e tezeve.
22. Pastaj baballarët e gjyshërve, e kështu me radhë, më i afërm e më i afërm.