Dr. Musli Vërbani
–
Sot do të flasim për një tregim me vlerë.
Cili është tregimi ynë?
Cili është heroi i tregimit tonë?
Si filloi dhe si përfundoi?
Po fillojmë me ajetin Kur’anor:
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bën kurrfarë ndryshimi.” (Ahzab, 23)
Besimtarë të nderuar!
Ky ajet ka për qëllim Suhejbin Romak. Është quajt Ebu Jahja që do të thotë: Luani i shkretëtirës.
Suhejbi ka qenë prej arabëve i cili ka migruar në Irak para ardhjes së Pejgamberit a.s.
Familja e Suhejbit ishte familje arabe. J anë vendosë në anët e Basrës së Irakut. Bizantët e sulmuan atë vend dhe e plaçkitën çdo gjë. Shumë njerëz i kapën robër. Edhe Suhejbi që ishte në moshë fëmijërore gjendej ndërmjet robërve dhe e zënë rob në shtëpinë e tij deri sa ishte fëmijë.
Ai shitej në tregjet e vogla të territorit të Bizantit.
Ai kalonte prej një dore në një dorë tjetër.
Ai kalonte prej një pasaniku në tjetrin.
Ai kalonte prej një shërbimi në një shërbim tjetër.
Puna e tij ishte si puna e mijëra skllevërve të cilët kishin mbushur pallatet e perandorisë Bizantine. Pasi rritet ka rastis të shitet rob në Meke.
Si rob në Mekë atë ia shitën Abdullah ibn Xhud’anit, i cili i përkiste fisit Beni Kelb. Ky person më vonë i dha lirinë Suhejbit dhe filloi të bënte tregti me të.
E ka mësuar gjuhën dhe dialektin e gjuhës së kulluar arabe.
Suhejbi, i cili bëri jetë robërie për një kohë të gjatë, e dinte gjuhën bizante më mirë se arabishten. Ky ishte edhe shkaku që atij i thuhet Suhejb Rumi me fjalë tjera Suhejbi Bizantini.
Vëllezër të nderuar!
Suhejbi në Mekë merrej me tregti. Duke u marrë me tregti pasurohet shumë.
Një ditë, derisa kthehej nga tregtia, dëgjon se Muhamed, i biri i Abdullahut, është dërguar Pejgamber dhe ka filluar t’i thërras njerëzit në besimin e të vetmit Zot.
Prej të parëve që e kanë pranuar Islamin është edhe Suhejbi.
Për shkak të Islamit është maltretuar shumë.
Vëllezër të nderuar!
Muslimanët migrojnë në Medinë, e edhe Suhejbi vendos të migrojë.
Kur e merr rrugën e migrimit, i shkojnë pas Mekasit dhe e arrijnë atë në periferi të Mekës.
Ai përgatit shigjetën dhe u thotë: “Asnjë nuk mund të më afrohet derisa të më harxhohen të gjitha shigjetat, e pastaj e kam shpatën dhe nuk do të dorëzohem derisa të më punojë dora!”.
Njëri prej Mekasve i thotë:
“Ti ke ardhur në Mekë pa pasuri, ndërsa sot je prej më të pasurve!”.
Suhejbi i thotë: “Po sikur t’ju lë tërë pasurinë time, a do të ma lironit rrugën?”
Po – i përgjigjen.
Suhejbit nuk iu dhimbs pasuria, u tregoi atyre ku e kishte pasurinë dhe ata shkuan, e morën pasurinë e tij dhe e lirojnë rrugën për të migruar në Medine.
Kishte mallëngjim që sa më shpejtë të takohej me të Dërguarin e Allahut.
Ecte me të shpejtë, lodhej e nuk pushonte derisa e pa të Dërguarin e Allahut.
Suhejbi mori rrugën me nxitim drejt Medines, pa u mërzitur aspak dhe pa shfaqur lodhje apo plogështi. Më së fundi arriti shëndosh e mirë te Pejgamberi ynë i dashur.
Kur u takua me Pejgamberin, Pejgamberi i buzëqeshi dhe i dha këtë përgëzim: “Tregtia të doli me fitim, o Suhejb! Tregtia të doli me fitim!.” Pastaj i këndoi këtë ajet fisnik që kishte zbritur për të:
“Ka njerëz që e flijojnë veten për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robërit e Vet.”(Bekare, 207)
Kur pejgamberi a.s. i thotë Suhejbit:
O Ebu Jahja, triumfoi pasuria jote.
Fytyra e Suhejbit shkëlqeu dhe ai tha:
Për Allahun ty nuk të ka treguar askush pos Xhibrilit.
Xhibrili e kishte zbritur ajetin kur’anor, shkak i të cilit ishte rasti i Suhejbit:
“Ka njerëz që flijojnë veten për të fituar kënaqësinë e Allahut, Allahu është shumë mirënjohës ndaj robërve të Vet.”(Bekare, 207).
Përfundim
Vëllezër të nderuar!
Amar bin Jasiri ka treguar se Suhejbi a.s. ka thënë: “Kam qëndrue në çdo vend në të cilin ka qëndruar pejgamberi a.s.
Kam luftuar në çdo vend në të cilin ka luftuar pejgamberi a.s
Fillim e mbarim të çdo beteje i kam qëndruar ose në anën e djathtë të tij ose në anën e majtë të tij.
Poashtu është transmetuar se Suhejbi a.s. ka thënë: “Kur kam qenë unë para pejgamberit a.s. nuk janë frikuar muslimanët”. Kjo duke pasur parasysh se ka qenë në mbrojtje të fortë.
I Dërguari i Allahut ia ngriti famën Suhejbit duke thënë në lidhje me të:
“Katër janë të parët në Islam:
– Unë jam i pari i arabve,
– Suhejbi është i pari i bizantëve,
– Selmani është i pari i persëve dhe
– Bilali është i pari i abisinasve.”
Zoti ynë të lutem na mundëso:
– Suksesin e të udhëzuarve;
– Veprimin e të sinqertëve;
– Vendosmërinë e durimtarëve;
– Seriozitetin e të devotshmëve;
– Lutjen e shpresdhënësve;
– Adhurimin e të përulurve dhe
– Njohurinë e të diturve,
Deri sa të arrij nivelin dhe gradën e afrimit te Ti.