ISRAJA

Dr. Musli Vërbani

“52 hutbe të xhumasë për 52 javët e vitit”

Esselamu alejkum ve berekatuhu (Paqja, shpëtimi dhe bekimi në të dy botët qoftë për ju).

Falënderojmë Zotin e gjithë botëve i cili na thotë:

“I Lartësuar është Ai që e barti robin e Tij natën prej Mesxhidul Haramit (në Meke) në Mesxhidul Aksa, rrethinën e të cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë Dëgjon dhe Sheh çdo gjë.” (El-Isra : 1).

Përshëndesim dhe dërgojmë salavatë për pejgamberin a.s., i cili ka qenë Kur’an në mesin e njerëzve, i cili e ka bë udhëtimin tokësor nga Mesxhidi Harami në Mesxhidi Aksa.

Një sure në Kur’an quhet “Isra”. Kjo sure fillon si në vijim:

Israja, për nga rëndësia si muëxhize bën pjesë menjëherë pas muëxhizes së Kur’anit. Kjo ngjarje ka ndodhur më 27 Rexhep të vitit 1 para hixhretin, nga Meka e bekuar.

Israja është një fillim i një epoke të re, një faze të re, pra, parapërfundim i fazës së Mekës dhe përgatitje për fillimin e fazës së Medines.

Bartja e Muhamedit a.s. ka ndodhur natën (lejlen) ashtu sikurse edhe zbritja e Kur’anit ka filluar natën (në natën e vlefshme të Kadrit).

Muhamedi a.s. i ka bërë që të dy udhëtimet:

Udhëtimi Tokësor (horizontal) – ISRA; dhe

Udhëtimi Qiellor (vertikal) – Miraxh.

Me “Isra” nënkuptohet udhëtimi natën. Mirëpo fjala “lejlen (natën), që e barti robin e tij “natën”, e përmendur në ajetin e Suretul Isra, nënkupton një pjesë shumë të vogël prej pjesëve të natës, e jo tëre natën.

Fjala “abd” do të thotë rob (i nënshtruar). Madhështia e Muhamedit a.s. qëndron te kjo fjalë sepse ai ka qenë absolutisht i nënshtruar vetëm ndaj Zotit, që d.m.th se dëshirën e tij e ka lidh drejtpërdrejt me dëshirën e Allahut.

“Abd” (rob) nuk d.m.th. heqje lirie, por përkundrazi, ky është kulmi i lirisë së njeriut dhe këtë epitet nuk ka mundur ta arrijë askush më shumë se Muhamedi a.s.

 Përndryshe, Muhamedi a.s. ka pasur edhe epitetin Habibullah (i dashur i Allahut), por në këtë ajet Zoti i Lartmadhëruar e ka përdorur fjalën abd (rob).

Pas fjalës abd vjen epiteti Halilë, të cilin e ka fituat Ibrahimi a.s., pra fjala Halilullah – ka kuptimin shok i Allahut, dashamirës i Allahut.

Muhamedi a.s. ishte duke përjetuar çastet më të vështira të jetës së tij. Shokët e tij kishin migruar në Abisini (Etiopi). Tri vjet muslimanët kishin përjetuar një izolim ekonomik. Kishin ra dëshmorët e parë në ruajtjen e fjalës së Dëshmisë (Jasiri dhe Sumeja). Muslimanët ishin duke përjetuar vuajtjet dhe torturimet më të mëdha deri në atë kohë dhe pothuajse nuk kishin të ndalur. Ishte viti i pikëllimit për Muhamedin a.s. sepse ndërron jetë bashkëshortja e tij Hatixhja, e cila kujdesej për Muhamedin a.s., e qetësonte dhe ia largonte vështirësitë të cilat i përjetonte Muhamedi a.s. Po në këtë vit vdes edhe Ebu Talibi i cili e mbronte nga idhujtarët sepse ai kishte famë dhe respekt tek idhujtarët e Mekes dhe për shkak të tij nuk kishin mundësi ta torturonin Muhamedin a.s.

Në të gjitha këto rrethana ndodhi ngjarja e Israsë, si përgatitje për fazën e re të misionit të tij.

Kërcënimet janë shtuar sidomos kur i ka vdekur bashkëshortja Hatixhja dhe axha i tij Abdul Mutalibi.

Pejgamberi a.s., pasi është munduar të kumtonte shpalljen në Meke, vendosi të vazhdonte në periferi të mekës, në Taif. Ka dashur të provojë në një vend tjetër, të mbjellë farën e udhëzimit në një vend tjetër.

Në Taif, jo që e kanë mirëpritur, po janë sjellë shumë keq. I kanë organizuar pleqtë, mendjelehtët dhe fëmijët që ta gjuajnë me gurë pejgamberin a.s., saqë nga largimi i ka rrjedh gjak nga thembrat e tij.

Në atë rast janë hidhëruar edhe melaqet në qiej, saqë e kanë sinjalizuar që poqëse do të dëshironte, do t’i bashkonin dy kodrat e Taifit dhe do t’i përmbysnin, ose edhe do t’i përpinte toka, ose do të zbriste dënim nga qielli, sikurse u kishte ndodhur popujve pabesimtarë të mëhershëm, mirëpo pejgamberi a.s. nuk ka dashur të dënoheshin, por ka thënë: “Dëshiroj dhe shpresoj që nga mesi i tyre të rezulton ndonjëri i cili e adhuron Allahun dhe nuk i përshkruan shok.”

Dy ngjarje të rëndësishme nga kthimi prej Taifit

Gjatë kthimit nga Taifi kanë ndodhë dy ngjarje të rëndësishme.

Ngjarja e parë: Duke u kthyer ndalet në një vend afër Mekës. Aty paraqitet një djalosh me emrin Adas.

Duke e zgjatur dorën për të marrë rrush, Pejgamberi thotë “Bismillah”, “Në emër të Allahut!”

Në atë rast Adasi e pyet me habi: “Kush je ti?”

I Dërguari i Allahut i përgjigjet: “Jam i dërguari dhe pejgamberi i fundit!”

Adasi, në atë moment e pranon Islamin!

Ngjarja e dytë: Gjatë kthimit në Meke, Allahu e dërgon një grup nga xhinët që ta dëgjojnë Kur’anin, dhe:

“Kur disa prej exhinëve i drejtuam te ti që të dëgjojnë Kur’anin dhe kur u afruan dhe e dëgjuan atë, thanë: “Heshtni!” dhe kur u krye, u kthyen te populli i vet dhe e këshilluan.”(Ahkaf: 29).

“Thanë: “O populli ynë, në dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton atë para tij, që udhëzon në të vërtetën dhe në rrugën drejtë!” (Ahkaf: 30)

Pastaj i kanë thirrur të tjerët në Islam, duke thënë:

“O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni atij! Ai ju falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje.”(Ahkaf: 31).

Vëllezër të nderuar!

Pejgamberi a.s. Isranë e ka bërë edhe me trup edhe me shpirt, ndërsa në Suretul Isra Zoti i Lartmadhëruar e ka përdorur shprehjen abd (rob), e cila shprehje ngërthen në vete edhe trupin edhe shpirtin dhe nuk e ka përdor shprehjen “bi ruuhihi” e cila do të nënkuptonte shpirtin e tij.

Muhamedi a.s. ka shkuar me anë të fjalës “Kun”.

Në hadithet e tij thuhet “Usrie bi” që do të thotë se është bartur. Kështu që, ka dallim në mes të shkuarjes së Muhamedit a.s. në hapësirë qiellore dhe bartjes së Muhamedit a.s. prej Zotit të Lartmadhëruar në qiej sepse në atë moment nuk do të ekzistonte elementi kohë për Muhamedin a.s.

Vëllezër të nderuar!

Për herë të parë në islam ka ndodhur që për shkak të Israsë disa prej muslimanëve kanë kaluar prej besimit në pabesim. Kjo nga shkaku se nuk kanë mundur të imagjinojnë se për të shkuar prej Mesxhidul Haramit në Meke deri në Mesxhidul Aksa në Jerusalem ka shkuar Muhamedi a.s. për një pjesë të shkurtë të natës, kur ata për të kaluar atë distancë ka qenë dashur të shpenzojnë kohë prej një muaji me deve.

Në anën tjetër, disa prej muslimanëve vetëm se e kanë forcuar besimin edhe më shumë, siç është rasti me Ebu Bekri Sidikin. Sepse menjëherë pas ndodhisë së Israsë, kur pejgamberi a.s. shkoi në Qabe dhe tregoi për Isranë, pabesimtarët jo vetëm që nuk besuan, por filluan edhe të bënin shaka. Pastaj pabesimtarët shkojnë te Ebu Bekri dhe i thonë që shoku yt po thotë se brenda një nate ka shkuar në Kuds dhe është kthyer prej atje. Kur Ebu Bekri dëgjoi këtë ai u tha: “Nëse Muhamedi e ka thënë një gjë të tillë, unë e besoj këtë. Pasi që i besoj në zbritjen e Kur’anit e cila është mrekulli mbinatyrore, atëherë për të besuar këtë është edhe më e lehtë”.

Përfundim

Pejgamberi a.s. pasi e ka bërë Isranë dhe para se ngrihet në Miraxh është bërë Imam i Pejgamberëve.

Çështja e Israsë, e ka bërë ndërlidhjen në mes të Mesxhidi Haramit me Mesxhidi Aksanë.

Allahu ka dashtë që udhëtimi tokësor të fillojë nga Mesxhidi Harami dhe të mbarojë te Mesxhidi Aksaja, e cila është toka e pejgamberëve.

Allahu ka dashtë që udhëtimi qiellor të fillojë nga Mesxhidi Aksaja, e cila është toka e pejgamberëve.

Mesxhidi Aksaja është një prej tri Xhamive për të Muhamedi a.s. cilat ka urdhëruar që të vizitohen.

Zoti ynë!

Na bëj prej të pastërve, prej falënderuesve dhe prej atyre të cilët e kanë zemrën e shëndoshë.

Zoti ynë!

Na e bëj të dashur besimin dhe stolisi zemrat tona me besim. Na e bëj të urryer pabesimin dhe mëkatet dhe na bëj prej të udhëzuarve.

Na bëj të vdesim me besim dhe bëje që fjala jonë e fundit të jetë:

Falënderimi i takon Zotit të të gjithë botëve!

Lini një koment