Shefaati

Dr. Musli Vërbani

Në Ditën e Kijametit Zoti i tubon të gjitha gjeneratat, të parët e të fundit në një vend.

Njerëzit do të kenë probleme dhe do të jenë rrezik dhe do të thonë: – Nuk po e shihni në çfarë gjendje kemi ardhur? A mos e dini se kush do të ndërmjetësojë për ju te Zoti juaj?

Disa do të thonë: – Babai juaj – Ademi.

Shkojnë te Ademi dhe i thonë: – O Adem, ti je babai i njerëzimit. A po ndërmjetëson te Zoti yt për ne? A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?

Ademi a.s. u thotë: – Zoti im është i hidhëruar aq shumë me mua sepse ai më ka ndaluar të ha pemën, mirëpo unë kam kundërshtuar. Unë jam vetë në hallin tim, shkoni te Nuhu.

Shkojnë te Nuhu dhe i thonë: – O Nuhë! Ti je pejgamberi “robfalënderues”, a nuk po ndërmjetëson te Zoti ynë për ne.

Ai u thotë: – Zoti im aq shumë është i hidhëruar në mua sepse jam pas lutur për familjen time. Unë jam vetëm në hallin tim. Unë lutem për vete, për vete, për vete. Shkoni te Ibrahimi.

Shkojnë te Ibrahimi dhe i thonë: – O Ibrahim, ti je pejgamber i Zotit dhe dashamir i Allahut. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne.

Ai u thotë: – Zoti im aq shumë është i hidhëruar me mua sa kurrë më parë, sepse unë kam gënjyer tri herë. Unë lutem për vete, për vete, për vete. Shkoni te Musai.

Shkojnë te Musai dhe i thonë: – O Musa, ti je i dërguar i Allahut, Allahu të ka lartësuar me shpallje dhe ka folur me ty. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne.

Ai u thotë: – Zoti im aq shumë është i hidhëruar me mua për shkak se e kam vrarë një anëtar të firaunit, unë lutem për veten time, për veten time, për veten time, shkoni te Isa.

Shkojnë te Isa dhe i thonë: – O Isa, ti je i dërguar i Allahut dhe me urdhër dhe fjalë të Allahut shpirti yt ka hyrë te Merjemja. Ti je ai, i cili u ke folur njerëzve në djep. Ndërmjetëso për ne.

Isai thotë: – Unë lutem vetëm për vete, vetëm për vete. Shkoni te dikush tjetër, shkoni te Muhamedi.

Shkojnë te i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i thonë: – O Muhamed, ti je vula e pejgamberëve. Zoti ti ka falur ty gabimet e mëhershme dhe të mëvonshme. Ndërmjetëso te Zoti yt për ne.

Muhamedi a.s. thotë: – Po, kjo është detyra ime.

Atëherë do të shkojë nën Arshin e Madh, i bie në sexhde Zotit, pastaj Allahu ia hap dyert e veçanta, të cilat nuk ia ka hapur askujt tjetër. Muhamedi a.s. do ta ngrit kokën nga sexhdeja dhe do të thotë: – Umeti im! Umeti im! Umeti im! O Zot fale umetin tim.

Atëherë do të thuhet: – O Muhamed, dërgoje umetin tënd në derën e djathtë prej dyerve të xhenetit, se nuk do të japin llogari, ata do të jenë të vetmit që do të hyjnë nga ajo derë.

Lini një koment