Dr. Musli Vërbani
–
Ishte një djalosh i ri dhe plot ambicie.
I kërkoi Pejgamberit Musa a.s. që ta lusë Zotin ta bëjë të pasur.
Musai a.s e pyeti nëse e preferonte
pasurinë gjatë tridhjetë viteve të para, apo
tridhjetë viteve të fundit të jetës.
Djaloshi u hutua nga kjo pyetje dhe pasi u mendua gjatë i tha: – E dua tridhjetë vitet e para të jetës. Unë dua ta shijoj rininë time, duke harruar se vitet e pleqërisë, me sëmundjet, dobësinë dhe pafuqinë, janë shumë të vështira.
Musai a.s. e luti Zotin dhe Ai ia pranoi lutjen, duke e pasuruar këtë djalosh për tridhjetë vitet e para të jetës. Atij iu shtua pasuria saqë nuk dinte ç’të bëjë me paratë.
Ai filloi të ndihmojë dhe t’u gjendet në nevojë fukarenjve dhe shtresave të ulëta.
U jepte jetimëve.
Ua shlyente borxhet borxhlinjve.
Martonte beqarët, etj.
Me të përfunduar tridhjetë vitet e para filluan ato të dytat.
Musai a.s. priste që personit në fjalë t’i sosej pasuria, por asgjë nuk po ndryshonte. Madje, pasuria veç i shtohej.
I çuditur, Musai a.s. e pyeti Zotin: – Si është e mundur o Zot? Kemi hyrë në tridhjetë vitet e dyta dhe atij veç po i shtohet pasuria?
Zoti i lartësuar i tha: – O Musa! Pashë që robi Im i hapi portat e pasurisë që i kisha dhënë për të furnizuar robërit e Mi. E si t’ia mbyll Unë portën nga e cila e furnizoja me të mira?!