Dr. Musli Vërbani
–
Hutbe e xhumasë
–
“52 Hutbe të xhumasë për 52 javët e vitit“
–
Esselamu alejkum ve berekatuhu (Paqja, shpëtimi dhe bekimi në të dy botët qoftë për ju)!
Jemi në fillim të vitit kalendarik Diellor. Viti kalendarik Diellor fillon me lindjen e Isait a.s. Ndryshe quhet epoka e re. Përbëhet prej 12 muajve.
Falënderojmë Zotin e gjithë botëve, i cili na thotë:
“Ai e bëri diellin, e hënën dritë dhe asaj (hënën) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. Allahu nuk krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argument një populli që kupton.”
Viti i ri Diellor ndërlidhet me lindjen e Isait a.s.
Viti Diellor: Është kohëzgjatja të cilën toka e plotëson gjatë rrethrrotullimit ndaj Diellit dhe saktësish zgjatë 365.24 ditë, ndërsa,
Viti Hënor (dymbëdhjetë mujor) është kohëzgjatja të cilën e plotëson hëna gjatë rrethrrotullimin të saj 12 herë rreth tokës, e kjo zgjat për 354.36 ditë.
Në bazë të kësaj, 300 vite diellore janë të barabarta për 309 vite hënore, as më pak dhe as më shumë.
Është interesant se, Zoti kur e përshkruan pushimin (fjetjen) e pjesëtarëve të shpellës, tregon se kanë fjetur 300 vite plus 9 vite, pra kanë fjetur 300 vite në bazë të përllogaritjes Diellore dhe 309 vite në bazë të përllogaritjes Hënore.
Kalendari Diellor quhet kalendari Gregorian edhe pse më herët quhej Kalendari Julian. Pra kalendari gregorian është një modifikim i kalendarit julian dhe e merr emrin nga papa Gregori XIII, i cili e miratoi në vitin 1582.
Sipas katolikëve Krishtlindja festohet më 24 dhjetor për shkak te kalendarit gregorian.
Tek një pjesë e kishave ortodokse Krishtlindja festohet më 7 janar për shkak të kalendarit julian.
Për festën e vitit të ri stolisen ambientet e studiove në televizione; stoliset rruga, stolisen lokalet afariste, stolisen restaurantet, stolisen zyrat, stolisen korridoret, stolisen dhomat, stolisen sallonet, stolisen e stolisen… me drita e me bredha, por parashtrohet pyetja:
Nga kush stolisen?
Për çka stolisen?
Për lindjen e Krishtit, apo!?
Ka shumë pyetje ndaj të cilave nuk kemi përgjigje, por kemi përgjegjësi ndaj Allahut, ndaj fesë sonë dhe vjen Dita e ringjalljes dhe në vend se të llogarisim përfitimet e fundvitit, do të japim llogari për vete tonë!
Mënyra e urimit për vitin e ri
Gjatë vitit të ri bëhen urimet e ndërsjella:
Urime Krishtlindjen!
Urime festat e fundvitit!
Dhe…Padyshim se do të ringjallemi, po ku do të jetë fundi ynë?
Në Xhenet apo në Xhehenem.
Pa dyshim se Dita e gjykimit do të ndodhë.
Me çka do ta urojmë njëri tjetrin?
Me çka do të stolisemi në botën tjetër?
Me çka do të vishemi në botën tjetër?
Me çka do të festojmë në botën tjetër? Me fishekzjarre apo!?
Kërshëndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje.
Lindja e Isait a.s
Pra, fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lindurit e Krishtit”.
Isai a.s. ka lindur në lindje, nuk ka lindur në perëndim.
Isai a.s. ka lindur në sezonin veror, nuk ka lindë në sezonin dimëror.
Merjemja e ka lind Isën a.s. nën hijen e palmës, nuk e ka lind Isën a.s. nën hijen e Bredhit.
Isai a.s. ka fol porsa ka lind, nuk ka lind për t’u kryqëzuar.
Porsa ka lind Isa a.s. ka folë. Fjalët e tija edhe sot duhet të jenë prezentë në mesin tonë, e ato fjalë janë:
Ai (Isa a.s) ka thënë (e kjo vlen edhe për sot):
“- Unë jam rob i Allahut;
– Mua (më ka caktuar) do të më jepet libri (Inxhili);
– Më ka bërë Pejgamber.
Më ka bërë:
– Të bekuar kudo që të jem;
– Më ka porositur me namaz (falje) e
– (më ka porositur) Të jap zekatin deri sa të jem gjallë!
Më ka bërë:
-Ta dëgjoj dhe të sillem mirë ndaj nënës sime.
E, nuk më ka bërë:
– As arrogant e kryelartë.
– E as të padëgjueshëm!
Selami (Paqja dhe e mira) është me mua,
– Ditën kur u linda,
– Ditën kur të vdes dhe
– Ditën kur do të kthehem i gjallë!
Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime.” (Merjem, 31- 35)
Ne sot e lëmë pas një vit dhe fillojmë vitin tjetër.
Si individ dhe si shoqëri duhet të analizojmë dhe të marrim mësim nga e kaluara në mënyrë që të dimë se si do të veprojmë në të ardhmen.
Secili nga ne në fund të vitit duhet të kërkojë përgjegjësi ndaj vetes së tij për vitin e kaluar.
Muslimani duhet t’i kërkojë llogari vetes së tij vazhdimisht. Çështje e muslimanit është që t’i kërkojë llogari vetes së vet.
Omeri r.a. ka thënë: “Kërkoni llogari vetes para se të kërkohet llogari prej juve. Matni veprat e juaja para se të maten për ju. Pyeteni veten tuaj para se të ju pyesin.”
Në Ditën e gjykimit do të pyetesh për veprat tuaja, posaçërisht për katër pyetje:
– Për jetën si e ke kaluar.
– Për rininë si e ke kaluar.
– Për diturinë, a e ke vepruar.
– Për pasurinë ku e ke fituar dhe ku e ke shpenzuar.
Muslimani duhet ta pyes veten për çdo ditë, duhet që në çdo mbrëmje t’i kërkojë llogari vetes së tij, ose për çdo javë, ose për çdo muaj ose së paku për çdo vit.
Muslimani duhet ta dijë se çdo gjë i regjistrohet, siç thotë Zoti i Madhërishëm:
“A mendojnë se Ne nuk e dëgjuam ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën mes tyre? Po, e dëgjomë dhe të dërguarit tonë (engjëjt përcjellës) që janë pranë tyre shkruajnë.”(Zuhruf: 80)
Besimtari për çdo vit duhet t’i kërkojë vetes llogari.
T’i kërkojë llogari çka ka punuar dhe çka ka neglizhuar.
Të shikojë çka ka regjistruar në regjistrin e të mirave dhe çka ka regjistruar në regjistrin e të këqijave. Njeriu duhet të jetë inspektor i vetes së tij, duhet ta inspektojë veten çdo ditë, pastaj ta inspektojë veten çdo javë, pastaj çdo muaj, pastaj për çdo vit.
Njeriu e llogaritë veten e tij para se të jep llogari pas vdekjes.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin – për veprimin) e tij, e në Ditën e gjykimit Ne do t’ia prezantojmë atij libër të hapur.”
“Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot llogaritës i vetvetes”.(Isra,14).
Përfundim
Viti përbëhet prej dymbëdhjetë muajve. Muaji përbëhet prej 30 ose 31 ditëve. Dita përbëhet prej 24 orëve. Ora përbëhet prej 60 minutave. Minuta përbëhet prej 60 sekondave. Për çdo sekondë, apo për çdo të qind të sekondës së gjithë vitit do të japësh llogari para Allahut në Ditën e gjykimit.
Ditë për ditë ti e humbë kohën. Javë për javë ti e humbë kohën. Muaj për muaj ti e humbë kohën. Vit për viti ti e humbë kohën. Kështu ti e humbë jetën tënde sepse jeta jote përbëhet prej kohës.
Programoje kohën për vitin në vijim.
Dëgjojmë Darka e fundvitit me stafin për shkak të fundvitit, ndërsa nuk dëgjojmë në fundvit dhënien e zekatit.
Mbledhja e fundit e familjes; mbledhja e fundit e stafit; mbledhja e fundit e kuvendit komunal; mbledhja e fundit e qeverisë; mbledhja e fundit e parlamentit, mirëpo mbledhja e fundit nuk është mbledhja e fundvitit, por mbledhja e fundit është mbledhja e fundjetës.
Shikohet buxheti i fabrikave, shikohet buxheti i komunave, shikohet buxheti i shtetit, po pse nuk shikohet buxheti i veprave personale i vitit të kaluar për t’u përmirësuar, me fjalë tjera për të shtuar buxhetin e veprave për vitin në vijim.
Shpërndarja e shpërblimeve të këtyre veprimeve nga buxheti pjesërisht do të bëhet në këtë botë, ndërsa pjesa tjetër në botën tjetër.
Dihet se kemi mbledhje serike javore, pastaj mbledhje serike mujore, pastaj kemi mbledhje serike vjetore, por duhet ta dimë se e kemi vetëm një mbledhje të fundit, e cila quhet mbledhja e Hashrit, e cila është mbledhja e të gjitha krijesave pas ringjalljes së tyre në një vendtakim apo në një hapësirë, apo në një fushë e cila nuk quhet as salla e mbledhjes së fundvitit, e as restoranti i darkës së fundvitit, por quhet Arasati i ditës së Kijametit.
Ky tubim i të gjitha krijesave nuk bëhet për aheng të përbashkët, por bëhet për t’u gjykuar për padrejtësitë të cilat ia kanë bërë njerëzit njëri-tjetrit.
Vëllezër të nderuar!
Në fund të vitit shumë institucione shpërndajnë dekorata, mirëpo përpos kësaj: Secili njeri, me fjalët e tij, me veprat e tij, me heshtjen e tij, e ka shkruar librin e tij. Ndonjë njeriu i dorëzohet libri (dekorata) në dorën e djathtë. Zoti i Madhëruar thotë:
“Atij të cilit i jepet libri i tij në dorën e djathtë, ai do të jap llogari me lehtësi dhe do të kthehet në familjen e tij i gëzuar.”
– Ndonjë njeriu i dorëzohet libri (dekorata) në dorën e majtë.
Zoti i Madhëruar thotë:
“Atij të cilit i jepet libri në dorën e majtë thotë: O i mjeri unë, më mirë mos ta kisha marrë këtë libër. Se nuk di se çfarë llogarie duhet me dhënë.
Ah i mjeri unë sikur mos të ishte shkruar fare, se sot nuk bën punë pasuria, jam i pa aftë dhe nuk bën punë as pozita as udhëheqësia. (E Zoti i Madhëruar) Thotë: Merreni atë, vërjani prangat. Pastaj futeni në Xhehenem.”(El Hakka: 25-31)
– Ndonjë njeriu i dorëzohet libri pas shpine.
Zoti i Madhëruar thotë:
“Atij të cilit i jepet libri pas shpine, ai do t`i ndjell vetes shkatërrim dhe do të hidhet në zjarr përcëllues.”(El Inshikak 10-12)
Pas dorëzimit të librit të fundit të jetës dhe jo të fundit të vitit Zoti i Madhëruar thotë:
“Lexoje librin tënd.” (Ikreë kitabek).
Llogaritë nuk i bëjnë njerëzit tjerë, as inspektorët, as institucionet qeveritare dhe as institucionet joqeveritare, por përllogaritjen e bën vet njeriu ku Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“…mjafton të jesh sot vet llogaritës i vetvetes.”(Isra: 13,14)