Dr. Musli Vërbani
–
Ata thanë: – Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!
Ata caktuan një vend në shkretëtirë,
ndërtuan një ndërtesë të madhe me gurë dhe u kërkuan të gjithë njerëzve të kontribuonin për ta mbushur me dru dhe shkarpa.
Të gjithë njerëzit, burra e gra, të rritur dhe fëmijë, filluan të sjellin dru dhe gjithçka që mund të digjej, derisa e mbushën ndërtesën.
Mandej, ata i vunë zjarrin turrës gjigante të druve.
Kur gjithçka ishte gati, sollën dhe katapultat që ta hedhin Ibrahimin a.s. në zjarrin përvëlues. Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s. përsëriste me vete lutjen e atij që gjendet ngushtë dhe në pikë të hallit: “Hasbunallahu ve ni’mel vekil (na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë)”.
E hodhën në mes zjarrit flakërues.
Në zjarr, Ibrahimit a.s. nuk iu dogjën as rrobat e trupit.
Gjëja e vetme që iu dogj, ishte litari me të cilin e kishin lidhur.
Me urdhrin e Zotit zjarri u kthye i ftohtë dhe shpëtues për Ibrahimin a.s.
Njerëzit pritën me padurim të shuhej zjarri, që të shohin se çfarë ka ngjarë me Ibrahimin a.s.
Ata mbetën gojëhapur kur dalluan Ibrahimin a.s. të padëmtuar nga zjarri.
Njerëzit e panë me sytë e tyre Ibrahimin a.s. duke dalë nga zjarri, i pa lënduar prej tij.
Allahu i Lartmadhëruar e përkrahi dhe i ndihmoi, saqë zjarri djegës u bë ftohës dhe e shpëtoi Ibrahimin a.s.
Allahut i Lartmadhëruar thotë:
“Ne thamë: O zjarr, bëhu i ftohtë dhe qetësoje e sill shpëtim për Ibrahimin!
Kështu ata dëshiruan që ta lajkatojnë (ta nënçmojnë), por përkundrazi, Ne ata i bëmë më të dëshpëruarit dhe më të dështuarit”.
Zjarri nuk djeg veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç nuk pret thika veçse me urdhër të Tij. Forca dhe efekti i këtyre krijesave nuk buron nga vetja e tyre, por nga aftësia me të cilën i ka pajisur Zoti i Lartësuar. Është Ai që ua jep këtë aftësi dhe është Ai që ua heq kur të dojë.