Dr. Musli Vërbani
–
Isai a.s. del të shëtisë nëpër tokë,
atë e shoqëron një jehudi.
Ai i kishte dy bukë me vete, ndërsa Isai a.s. vetëm një.
Isa a.s. i thotë jehudisë: – T’i bashkojmë ushqimet tona?
Po, – tha jehudiu. Mirëpo, më vonë, kur e kuptoi se Isai a.s. e kishte vetëm një bukë, u pendua.
Isai a.s. u ngrit dhe filloi të falej.
Jehudiu, i cili ishte bashkudhëtar, e ha njërën bukë.
Pasi që e përfundon Isai a.s. të falurit, fillojnë ta shtrojnë ushqimin në tryezë.
Isai a.s. i thotë: – Ku është buka tjetër?
– Jo, ka qenë (e kam pasur) vetëm një bukë.
Isai a.s. e ha njërën bukë, shoku i tij bukën tjetër.
Vazhdojnë rrugën.
Gjatë rrugës ndalen nën hijen e një lisi. Isai a.s. i thotë: – Ta kalojmë natën dhe të flemë sonte nën këtë lis.
Jehudiu pranoi. Dhe ranë në gjumë.
Në mëngjes jehudiu, kur u zgjua, ishte verbëruar.
Isau a.s. i tha: – Çka mendon sikur të ta kthejë shikimin, a do të më falënderoje?
Po, – i tha jehudiu.
Isai a.s. ia lëmoi sytë e tij dhe i erdhi shikimi.
Atëherë Isai a.s. i tha: – Pashë Atë që ta ktheu shikimin, a e ke pasur edhe një bukë?
Jehudiu i përgjigjet: – Betohem në Zotin se e kam pasur vetëm një bukë.
Isai a.s. hesht.
Duke udhëtuar e sheh një kaproll duke kullotur.
Isai a.s. e thërret, e ai vjen. E prenë, e përgatisin dhe e hanë.
Pastaj Isai a.s. i thotë kaprollit: – Me emrin e Allahut ngjallu!. Dhe kaprolli ngjallet. Atëherë ai thotë: – Subhanallah!. Isai a.s. i thotë: – Pashë këtë argument që po e sheh! Kush e hëngri bukën e tretë?
Ai u përgjigj se nuk ka qenë, pos një bukë!
Vazhdojnë rrugën.
Gjatë rrugës nevojitej të kalohet një lumë i madh, i cili nuk e kishte urën.
Isai a.s. e merr për dore jehudinë dhe e kalon lumin pa u lagur.
Atëherë ai thotë: – Subhanallah!
Isai a.s. i thotë: – Pashë këtë argument që po e sheh, kush e hëngri bukën e tretë?
Ai thotë: – Për Zotin nuk ka qenë, pos një bukë.
Vazhdojnë rrugën,
derisa arrijnë në një fshat të madh, ku në periferi të atij fshati i gjejnë tre topa të mëdhenj të mbushur me ar.
Isai a.s. tha: – Një top ari më takon mua, një ty dhe një i takon atij, i cili e ka ngrënë bukën e tretë.
Atëherë jehudiu thotë: – Po, unë e kam ngrënë bukën e tretë derisa ti flije.
Isai a.s. i thotë: – Po t’i jap që të tre topat e arit – dhe largohet e ndahet prej tij.
Pasi që topat e arit ishin të rëndë, ai nuk mundi t’i bartte. Aty pranë kalojnë tre njerëz dhe e mbytin atë dhe ia marrin topat e arit.
Dy prej tyre i thonë të tretit: – Shko në qytet dhe na sill ushqim.
Ai u nis për në qytet. Ata dy që mbetën merren vesh, që kur të kthehet ai, ta mbysin dhe t’ia marrin arin.
Ai, i cili kishte shkuar të merrte ushqim në qytet thotë në vetvete: – Ushqimin do ta helmoj dhe do t’i mbys që të dy, kështu do t’i marr që të tre topat e arit. Dhe ashtu veproi, siç e kishte mësuar shejtani.
Kur u kthye me ushqim të helmuar, pasi që e mbysin ata e hanë ushqimin, ndërsa, pastaj, edhe vetë vdesin pranë topave të arit.
Isai a.s. shkon aty dhe kur i sheh që të katërt të mbytur pranë arit. Sinjalizoi me gisht dhe iu tha havarijunëve, të cilët ishin me të: – Kështu lakmia e kësaj bote ju bën juve, andaj kini kujdes dhe ruajuni!