Dr. Musli Vërbani
–
Ishte një dash i bardhë,
me dy sy të gjerë,
me brirë të gjata.
Ishte i majmë dhe i trashë.
Kishte rëndësi të madhe.
Ai nuk ishte nga deshtë e tokës,
ishte dash që ishte ushqyer në xhenet.
Kishte kullotur në xhenet.
Ishte kurbani të cilin pati ofruar Habili, djali i Ademit a.s. dhe
që e pati pranuar Zoti dhe e pati ngritur në xhenet për të kullotur.
Ky dash u zbrit nga Qielli,
u flijua në vend të Ismailit a.s.
Ai ishte një dash i madh për nga rëndësia,
pasi do të flijohej në vend të një personazhi të madh, Ismailit a.s.
Ishte Zoti ai që e inspiroi që të therë dashin dhe jo të birin dhe
teksa tentonte të therë djalin, Ibrahimi a.s. dëgjoi një zë nga qielli.
Kur ktheu kokën, dalloi Xhibrilin a.s. me atë dash të majmë, duke zbritur nga qielli.
Prej Ibrahimit nuk pritej gjë tjetër veçse të respektojë urdhrin hyjnor.
“Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.”
Ibrahimi a.s. e theri kurbanin,
e mbajti një pjesë nga mishi i tij dhe
pjesën tjetër e shpërndau tek nevojtarët,
si formë falënderimi që i shpëtoi Ismaili a.s.