Dr. Musli Vërbani
–
Njeriu në këtë botë gjendet në momente pikëllimi dhe në momente gëzimi!
Njeriu në këtë botë gjendet në gjendje të mirë dhe në gjendje të vështirë!
Njeriu në këtë botë ndonjëherë është i pasur e ndonjëherë i varfër!
Njeriu në këtë botë ndonjëherë është i shëndoshë e ndonjëherë është i sëmurë!
Zoti i Madhërishëm thotë:
“E, Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi dhe ju ktheheni te Ne.” (Enbija, 35).
Urtësia e sprovave me kushte të mira dhe me kushte të vështira qëndron në atë që njerëzit ta dinë Zotin e tyre.
Urtësia e sprovave me kushte të mira dhe me kushte të vështira qëndron në atë që njerëzit ta falënderojnë për kushtet e mira. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne dërguam pejgamber në vendbanime, i ndëshkuam ato me skamje e vështirësi të tjera, në mënyrë që të përulen.”(Earaf, 94).
Në çështjen e sprovave, njerëzit ndahen në tri kategori:
Kategoria e parë: E njeh Zotin në kohë të vështira, nuk e njeh në kohë të mira.
Kategoria e dytë: E njeh Zotin në kohë të vështira dhe në kohë të mira.
Kategoria e tretë: Nuk e njeh Zotin as në kohë të mira dhe as në kohë të vështira.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket kategorisë së parë: Janë ata të cilët nuk e njohin Zotin në kohë të mira, ndërsa e njohin në kohë të vështira. Zoti i Madhërishëm thotë:
“E kur njeriun e godet dëmi, ai na lut qoftë shtrirë, ulur ose në këmbë, e kur Ne ia largojmë të keqen, ai, sikurse të mos na ishte lutur fare për dëmin që e pat goditur. Kështu kriminelëve u duket mirë ajo që veprojnë.” (Junus,12).
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ai (Allahu) ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden se janë shkatërruar, e lusin Allahun pa farë përzierje të idhujve (duke thënë): Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues!”
E kur Ai (Allahu) i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapshtë në tokë, pa arsye. O ju njerëz! Kryeneçësia është vetëm kundër vetes suaj, është përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja.”(Junus, 22- 23).
Në këtë kategori bën pjesë edhe rasti i Firaunit. Firauni nuk e ka njohur Zotin në kohë të mira, me fjalë tjera nuk e ka besuar Zotin në kohë të mira, por kur i ka ardhur momenti i përmbytjes në det e ka besuar Zotin, por besimi në momentin e vdekjes është i pavlefshm. Nuk pranohet. Zoti i Madhërishëm tregon rastin e Firaunit ku thotë:
“Ne i kapërcyem beni israilët përtej detit, e Faraoni dhe ushtria e tij i ndoqi mizorisht dhe armiqësisht derisa e përfshiu atë përmbysja e ai tha: “Besova se nuk ka Zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga muslimanët!” (Junus, 90).
Kështu pra, në momentin e përmbytjes ka besuar por besimi i tij nuk është pranuar. Siç tregon Zoti i madhërishëm:
“Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve. Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzish që nuk hulumtojnë argumentet Tona.” (Junus, 91- 92)
Krahasojeni Firaunin me Junusin a.s. Junusi a.s. e ka njohur Zotin edhe në kushte të mira edhe në kushte të vështira.
“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e tij deri në Ditën e ringjalljes.”(Saffat,143-144).
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket kategorisë së dytë: Janë atë të cilët e njohin Zotin edhe në kushte të mira edhe në kushte të vështira. Ata janë besimtarët e sinqertë. Zoti i Madhërishëm thotë:
“E njeriu, kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!”
Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: “Zoti im më ka nënçmuar!.” (Fexhr,15,16).
Nëse e njohin në kohë të mira, u sillet mirësi atyre në kohë të vështira, siç është në hadithë:
“Ruaje Allahun Allahu të ruan ty. Ruaje Allahun do ta kesh pranë. Njihe Zotin në kohë të mira të njeh në kohë të vështira.”
Shembulli i Junusit a.s.:
“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes!”
Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” (Enbija, 87-88)
“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin.
Ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes.”(Saffat, 143-144).
Shembull tjetër është shembulli i tre personave në shpellë të cilët e kanë njohur Zotin në kohë të mira, mirëpo kur janë ballafaquar me rastin e një shkëmbi i cili e ka zënë hyrjen e shpellës pas shembjes së dheut, atëherë secili ka bërë lutje për shpëtim dhe secili prej tyre ka përmendë një mirësi të tij të kohës së mirë dhe përfundimisht u është pranuar lutja dhe kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt.
Përfundim
Po e përfundojmë këtë hutbe me kategorinë e tretë: Në këtë kategori bëjnë pjesë ata të cilët nuk e njohin Zotin as në kohë të mira e as në kohë të vështira. Zoti i Madhërishëm thotë:
“E kur e begatojmë (me të mira) njeriun, ai prapësohet dhe largohet i mashtruar, e kur e godet e keqja, ai humb shpresën.
Thuaj: “Secili vepron sipas rrugës së vet, e Zoti juaj e di më së miri për atë që është në rrugë më të drejtë.” (Isra, 83-84)
Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ka nga njerëzit që e adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet më të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai e ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.”(El Haxh, 11).
“Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm.
Pse kur e godit ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi.
Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac.” (Mearixh,19-20).
Zoti ynë, të lutemi:
– na i largo fatkeqësitë,
– na siguro qetësi,
– na furnizo me mirësi.
– na bëj të durueshëm në kohë të vështira.
Na bëj të jemifalënderues në kohë të mira dhe në kohë të vështira!