Dr. Musli Vërbani
–
Zoti i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:
“E mos u dobësoni dhe mos u dëshpëroni, përderisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.”(Ali Imran, 139).
Besimtarë të nderuar!
Mejemja ishte dëshpëruar dhe ishte e brengosur sa që Kur’ani Fisnik tregon për dëshpërimin e saj ku thotë:
“Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” (Merjem, 23).
Mirëpo Kur’ani tregon se si asaj i është thënë të mos brengosej dhe t’i kthehej shpresa ku thotë:
“E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përroskë.”(Merjem, 24)
Haxherja është shembull në mbështetjen në Zotin dhe simbol i dorëzimit të plotë në Zotin e Madhërishëm. Shembull në tejkalimin e vështirësive dhe pengesave gjatë jetës.
Kur Ibrahimi a.s. e dërgoi para një lugine të shkretë, pa njerëz, pa bimë, pa ujë dhe pa asgjë tjetër, Haxherja e pyeti Ibrahimin a.s.:
– A Allahu të ka urdhëruar kështu?
Ibrahimi i ka thënë: – Po.
– Atëherë Allahu nuk na humbë neve! Nuk kemi për të vdekur – tha ajo. Kjo është mbështetje në Zotin në raste të vështirësive dhe të stuhive të jetës.
Besimtarë të nderuar!
Jakubit a.s. fillimisht i ka humbë Jusufi a.s., djali të cilin e ka dashur shumë.
Pastaj i kanë thënë se djali tjetër, Bunjamini, ka vjedhë dhe është burgosë.
Mirëpo prapëseprapë u ka thënë bijve të vet: “Mos e humbni shpresën.” Kur’ani tregon se u ka thënë bijve të vet: “Mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahit, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun.”(Jusuf, 87).
Besimtarë të nderuar!
Kur’ani tregon edhe për rastin e Musait a.s. me popullin e tij kur i kishin humbur shpresat se mund të shpëtonin prej Firaunit dhe ushtrisë së tij, siç e lexojmë në Kur’an:
“E ata (të faraonit) i arritën (beni israilët) në kohën e lindjes së diellit. Dhe kur u panë dy grupet, shokët e Musait thanë: “Me siguri na zunë!”(Shuaraë, 60-61)
Mirëpo Musai a.s. me bindje të plotë ua kthen shpresën kur u thotë:
“Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë.”(Shuaraë, 62).
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhëruar thotë:
“Vërtet Ne u ndihmojmë të dërguarve tanë, dhe atyre që besojnë në këtë botë.”(Gafir, 51)
Fitorja nuk është vetëm e pejgamberit, por edhe e besimtarëve. Por, bëhet pyetja: Kur?
Përgjigja është: Në këtë botë dhe botën tjetër.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“E ka shkruar dhe e ka caktuar Allahu: Unë dhe të dërguarit e mi do të triumfojnë.”(El-Muxhadele, 21)
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Allahu u ka premtuar disave prej jush, që kanë besuar dhe që punojnë vepra të mira, se do t’i bëjë udhëheqës dhe prijës në fytyrën e tokës, ashtu siç i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre.”(En-Nur, 55)
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dëshirojnë që me gojët e tyre ta fikin dritën e Allahut, por Allahu është i fuqishëm në përsosmërinë e dritës së Tij, edhe pse nuk e dëshirojnë dhe e urrejnë pabesimtarët.” (Es-Saf, 8)
Kur në të njëjtën kohë paraqitet dëshira e njeriut dhe dëshira e Allahut, dëshira e kujt realizohet?
Për dëshirën e Tij, Zoti thotë:
“Allahu është triumfues në çështjet e Tij, mirëpo këtë shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 21)
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“(Allahu) Është Ai, i cili ka dërguar të dërguarin e Tij dhe fenë e vërtetë për të triumfuar mbi të gjitha fetë, edhe pse këtë nuk e dëshirojnë dhe e urrejnë idhujtarët.”(Et-Tevbe, 33)
Ku mund të shkojmë me këto premtime?
Mbjellim shpresën dhe optimizmin në zemrat tona!
Përpos premtimeve dhe paralajmërimeve të përmendura të Kur’anit, tani do t’i përkujtojmë disa premtime dhe paralajmërime pejgamberike.
Muhamed a.s. ka thënë:
“Vërtetë, Allahu ma ka paraqitur tokën, ku kam parë lindjen dhe perëndimin dhe umeti im do ta udhëheqë lindjen dhe perëndimin dhe gjithçka mes tyre. Më janë dhënë dy thesaret: të kuqve dhe të bardhëve.”
Vëllezër të nderuar!
Zoti i Madhërishëm thotë: “Mos e humbni shpresën”.
Jakubi a.s. u ka thënë bijve të vet: “Mos e humbni shpresën”.
Jusufi a.s. i ka thënë vëllait: “Mos u mërzit”.
Shuajbi a.s. i ka thënë Musait a.s.: “Mos u friko”.
Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë Ebu Bekrit: “Mos u pikëllo”.
Andaj:
- mos u pikëllo,
- mos u demoralizo,
- mos u dëshpëro,
- mos e humb shpresën,
- mendo pozitivisht e jo negativisht dhe kurrë mos e humb shpresën.