Dr. Musli Vërbani
–
Tema e hutbes së sotme ka të bëjë me martesën.
Në teorinë Islame, martesa ka dy qëllime:
– Adhurim dhe
– Ligj.
Islami e ka urdhëruar martesën dhe e ka ndaluar kallugjerizmin (murgërinë).
Martesa është natyrshmëri. Njeriu, nuk është mirë të jetoj i vetëm. Zoti kur e ka krijuar Ademin i ka thënë:
“…O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni…”(Bekare, 35)
Martesa është ligj natyror. Çdo gjë në gjithësi është çift, si kafshët, si bimët, madje edhe sendet e ngurta janë, siç ka thënë Zoti i Madhërishëm:
“Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit).”(Dhariat, 49)
Njeriu nuk duhet të devijon nga ligjet e gjithësisë, të cilat ligje i ka vendosë Zoti i Madhërishëm, siç ka thënë.
“Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e Allahut i mohojnë?”(Nahl, 72)
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Martohuni, shtohuni, se unë do të krenohem me ju në Ditën e gjykimit.”
Vëllezër të nderuar!
Martesa është ligj i njeriut.
Martesa është ruajtës i moralit dhe besëlidhje shoqërore.
Martesa është një besëlidhje e fortë në mes bashkëshortëve dhe në mes të bashkëshortëve dhe Zotit.
Martesa mbjell dashuri, simpati dhe mëshirë mes bashkëshortëve.
Martesa thellon bashkëpunimin, formon qetësinë shpirtërore dhe psikike.
Martesa i jep femrës edhe mashkullit shëndet, përhap në shoqëri moralin e pastër.
Martesa forcon shoqërinë.
Vëllezër të nderuar!
Martesa është simbol dhe argument prej argumenteve të Allahut. Siç thotë Zoti i Madhërishëm:
“Dhe prej fakteve të Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.”(Err-Rrum, 22).
Martesa ka qenë sunnet i pejgamberëve. Zoti i Madhëruar thotë:
“Ne dërguam edhe para teje (O Muhamed) pejgamberë dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë.”(Err-Rra’d, 38)
Islami nuk njeh vetëm shfryrje të epshit, por lidhja bashkëshortore bëhet për shkak të udhëzimit të librit të Allahut. Lidhja bashkëshortore bëhet për shkak të këshillave të Muhammedit a.s.
Vëllezër të nderuar!
Njerëzit martohen për qëllime të ndryshme:
– disa martohen për pasuri,
– disa për bukuri,
ndërsa në Islam qëllimi është krejt tjetër.
Jeta është kalimtare,
– i riu plaket,
– shëndeti dobësohet,
– bukuria humbet,
– morali dhe feja mbeten.
Për këtë arsye, Muhammedi a.s. në një hadith sahih ka thënë:
“Femra martohet për katër gjëra:
– për pasurinë e saj,
– për bukurinë e saj,
– për fisin e saj dhe
– për fenë e saj,
Por më mirë martohu me atë e cila është fetare, se përndryshe do të përplasesh për toke.”
Vëllezër të nderuar!
Familja e shëndoshë është bazë e shoqërisë së shëndoshë.
Familja është bazamenti mbi të cilën ndërtohet shoqëria.
Familja është themel i fesë dhe i moralit.
Familja është çështja e parë për të cilën duhet shpenzuar.
Familja është çështja kryesore për të cilën duhet investuar.
Shpenzimi për familje është investimi më i miri dhe më i vlefshmi.
Shpenzimi për edukimin e pasardhësve është investimi më i vlefshëm.
Muhammedi a.s. ka thënë:
– (I mirë është) Dinari të cilin e shpenzon në rrugë të Allahut,
– (I mirë është) Dinari të cilin e shpenzon në lirimin e robit,
– (I mirë është) Dinari të cilin e shpenzon për të varfrin, ndërsa,
– Dinari të cilin e shpenzon për familjen tënde është më i vlefshmi.”
Vëllezër të nderuar!
Shoqëria duhet nxitur:
– për martesë
– për krijimin e familjes dhe
– për nderim dhe respektim të familjes.
Duhet nderuar jeta e gjinisë femërore si nënë. Vlera më e madhe e femrës është detyra e saj si nënë.
Martesa si obligim fetar, duhet të plotësohet sikurse edhe të gjitha obligimet tjera të fesë islame.
Këtë obligim mund ta kryejnë dhe ta gëzojnë vetëm ata që janë të aftë të ballafaqohen me përgjegjësitë që rezultojnë nga vetë martesa.
Këtë realitet mund ta përjetojnë vetëm ata që janë të aftë të ballafaqohen me obligimet që rezultojnë nga vetë martesa.
Në besëlidhjen e martesës plotësohet mirëkuptimi reciprok.
Në besëlidhjen e martesës realizohet dashuria, urtësia, paqja.
Në besëlidhjen e martesës kompletohet mëshira dhe lumturia.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“O Zoti ynë: na dhuro bashkëshorte (bashkëshort) dhe pasardhës të cilët, na bëjnë të lumtur, na gëzojnë, na qetësojnë trupin e shpirtin dhe na pushojnë sytë në ta. E, poashtu, na bën shembull për të devotshmit.”(El-Furkanë, 74)
Përfundim
Pasi të bëhet lidhja bashkëshortore dhe para kontaktit intim mirë është të bëhet lutja si në vijim:
“Në emër të Allahut,
Zoti im largoje shejtanin nga ne dhe
largoje shejtanin nga ai me të cilin na furnizon (fëmijën tanë i cili mund të fillon të zhvillohet nga ky moment).”
Kjo nga shkaku se, nëse nga ai kontakt intim fillon zhvillimi i fëmijës, ai fëmijë do të jetë i siguruar nga shejtani, me fjalë tjera shejtani nuk mund ta lajthitë në rend të parë nga besimi në Zot dhe pastaj do të jetë i siguruar edhe nga mëkatet e mëdha dhe lajthitjet tjera.
Zoti im, hapi dyert e mëshirës për mua.
Zoti im, hapi dyert e furnizimit për mua.
Zoti im, hapi dyert lumturisë për mua.
Zoti im, hapi dyert e të mirave për mua.
Zoti im, hapi dyert e udhëzimit për mua.
Zoti im, hapi dyert e xhennetit për mua.