Dr. Musli Vërbani
–
Tema e sotme ka të bëjë për stolitë e kësaj bote, jo për stolitë prej ari, por stolitë që e zbukurojnë shtëpinë e ato stoli janë fëmijët.
Çdo begati e Zotit në këtë botë është sprovë dhe testim.
Shiko Sulejmanin, të cilit Zoti i ka dhënë çka ka dashur dhe shiko se çka ka thënë Sulejmani:
“E Sulejmani e trashëgoi Davudin dhe tha: “O njerëz, ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka, e, vërtet ky është shpërblim i qartë.” (Neml, 16).
Pra, sa i përket begative dhe të mirave të Zotit:
– Ose mbeten të mirat për shkak të falënderimit,
– Ose ato mirësi shndërrohen në fatkeqësi për shkak të mosmirënjohës.
Prej begative më të mira për njeriun në këtë botë janë fëmijët, qofshin vetëm fëmijë meshkuj.
Prej begative më të mira për njeriun në këtë botë janë fëmijët, qofshin vetëm fëmijë femra.
Prej begative më të rëndësishme për njeriun në këtë botë janë fëmijët, djem e vajza.
Zoti i Madhërishëm në mënyrë gjenerale thotë:
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf, 46).
Vëllezër të nderuar!
Disa mendojnë se kjo botë nuk ka vlerë pa fëmijë.
Disa e shohin se jeta pa fëmijë është jetë e mërzitshme dhe të vështirë.
Disa e shohin shtëpinë si varr nëse nuk dëgjohet zëri i fëmijës.
Disa e shohin se nëse nuk luajnë fëmijët në një shtëpi, ajo shtëpi konsiderohet shtëpi varr.
Kjo është dobësi sepse besimtari pajtohet me kaderin e Zotit. Zoti i Madhërishëm thotë:
“Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do; e i falë vetëm meshkuj atij që do. Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë.” (Shura, 49-50).
Kurani ka pasqyruar se fëmijët:
– Ose janë fatmirësi.
– Ose janë fatkeqësi.
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket asaj se fëmijët janë fatmirësi: Kush i edukon fëmijët, i edukon për veten e vet sepse ato fëmijë kujdesen për prindërit në pleqëri kur të plaken, siç tregohet lutja në Kur’anin Fisnik:
“Dhe thuaj: Zoti im! Mëshiroj ata dy ashtu siç janë përkujdesur për mua në vegjëli.” (Isra)
Kush i edukon fëmijët, i edukon për veten e vet, ashtu që sheh mirësi si gjatë jetës, ashtu edhe pas vdekjes, siç ka thënë pejgamberi a.s.:
“Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste. Njëra prej tyre: Fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.”
Kush i edukon fëmijët i edukon për veten e vet:
“Edhe ata që patën durim për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë.”(Read, 22).
Vëllezër të nderuar!
Sa i përket asaj se fëmijët mund të jenë fatkeqësi:
Fatkeqësi është kur fëmija nga mirësia kthehet përmbys në fatkeqësi gjatë jetës!
Fatkeqësi është kur fëmija nga mirësia kthehet përmbys në varrezë!
Fatkeqësi është kur fëmija nga mirësia kthehet përmbys pas vdekjes!.
Kjo nga shkaku se:
– Ose nuk e edukon,
– Ose e edukon keq.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmijët tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre, e nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe Allahu është mëkatfalës, mëshirues.” (Tegabun, 14). Kjo për shkak të edukimit të keq.
Tragjedi është kur edhe në këtë botë edhe në botën tjetër nuk dëshiron të të ketë afër. Siç tregon Zoti i Madhërishëm:
“E kur të vijë ai para Nesh, do të thotë: “Ah, të kishim qenë larg mes vete sa lindja me perëndimin; sa shok i keq je ti!” (Zuhruf, 38).
Kjo tragjedi e tragjedive është rezultat i edukimit të keq. Siç tregon Zoti i Madhërishëm për në botën tjetër:
“Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet,
Prej nënës dhe prej babait të vet,
Prej gruas dhe prej fëmijëve të vet.”
Përfundim
Po e përfundojmë këtë hutbe me ajetin kur’anor:
“Zoti ynë, futi në Xhennete të Adnit, të cilat ua ke premtuar, ata, dhe kush ishte i mirë prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjyesi, i Urti!.” (Gafir, 8).
“(përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë.
(u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.”(Radë, 23-24).
Zoti ynë, hapi dyert e mëshirës për ne.
Zoti ynë, hapi dyert e furnizimit për ne.
Zoti ynë, hapi dyert lumturisë për ne.
Zoti ynë, hapi dyert e të mirave për ne.
Zoti ynë, hapi dyert e udhëzimit për ne.
Zoti ynë, hapi dyert e xhennetit për ne.