Dr. Musli Vërbani
–
Hutbeja e sotme e mbanë titullin: Pasardhësit e mirë.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste:
– Sadakaja e vazhdueshme,
– Dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe
– Fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.”
Vëlla i nderuar!
Nëse dëshiron që në botën tjetër të ngrihesh në shkallën më të lartë të xhenetit, do të befasohesh dhe do të pyesësh: Zoti im nga më erdhi kjo?
Do të thuhet: Istigfari i djalit tënd për ty.
E mira jote është mirësi për fëmijët.
E mira jote është mirësi për prindërit.
Besimtarë të nderuar!
Luteni Zotin për fëmijë të mirë, ashtu siç e ka lutur Ibrahimi a.s. Zotin:
“Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje.”(Bekare, 128).
Lute Zotin ashtu siç e ka lutur Ibrahimit a.s. si në vijim:
“Zoti ynë! unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoj ata me fruta.”(Ibrahim, 37).
Nga fëmijët (pasardhësit) e tij (Ibrahimit a.s.) është Muhamed a.s., i cili ka thënë:
“Unë jam rezultat i (lutjes së) Ibrahimit a.s.”
Vëllezër të nderuar!
Lute Zotin ashtu siç e ka lutur gruaja Imranit kur e ka lindë Merjemën:
“Zoti im, unë e linda femër!” Po Allahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej shejtanit të mallkuar.”(Ali Imran, 36).
Nga kjo lutje ka rezultuar si pasardhës Isai a.s..
Vëlla i nderuar!
Lute Zotin ashtu siç e ka lutur Zekerijai a.s.:
“Zoti im, falmë edhe mua nga ana juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes”!(Ali Imran, 38).
Nga kjo lutje Zoti i ka dhuruar Jahjain a.s.
Vëllezër të nderuar!
Kemi edhe rastin tjetër siç thotë na lajmëron Zoti i Madhërishëm:
“Kur t’i mbushë dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët.”(Ahkaf, 15)
Detyrë e prindit është edukimi i fëmijëve, po në të njëjtën kohë edhe shpërblim i madh i cili vazhdon përgjithmonë. Nëse ke nijet të mirë ke shpërblim të mirë.
Kur nëna e Musait e ka lindë Musain a.s., Zoti e ka urdhëruar me i dhënë gji, siç tregon Zoti i Madhërishëm:
“Ne e inspiruam nënën e Musait: t’i japë atij gji, e kur të kesh frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë atë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit.”(Kasas).
Njerëzit e mirë luten me lutjen kur’anore:
“Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, neve na bën shembull për të devotshmit.”(Furkan, 74).
Zoti i Madhërishëm thotë:
“E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t’ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve). Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.”(Turë, 21).
A nuk e dini se si Zoti e ka ruajtur thesarin e fëmijëve jetim, e këtë e ka bërë nëpërmjet Hidrit, i cili e ka përforcuar murin që e ruante thesarin?!
Fëmija i mirë është sadaka rrjedhëse, ndërsa mosedukimi i fëmijës është krim ndaj tij.
Prej armëve të edukimit të fëmijës është shoqërimi me të. E dini hadithin e Pejgamberit a.s. kur ka thënë:
“Shembulli i shoqëruesit të mirë dhe të keq është sikurse bartësi i miskut dhe bartësi i qymyrit.”
Edukimi me vepra të mira është më ndikues se edukimi me fjalë, andaj bëhuni shembull me vepra të mira për fëmijën.
Duke bërë mirë, sjell bereqet tek fëmija. Për këtë, Kur’ani e tregon shembullin e Musait a.s. me Hidrin, kur Hidri e ka ndërtuar murin për jetimët, nga shkaku se babai atyre jetimëve ka qenë vepërmirë.
Dashuria ndaj fëmijës manifestohet që të bëhet shembull për të mirë. Për këtë arsye, kur Zoti i Madhërishëm ka thënë Ibrahimit a.s.:
“Po të bëj Imam.”
Ibrahimi a.s. pa hezituar i ka thënë:
“Edhe prej pasardhësve (edhe prej fëmijëve të mi)”.
Përfundim
Po e përfundojmë këtë ligjëratë me lutje për pasardhësit tanë:
Zoti ynë,
Fëmijët tanë, udhëzoji në rrugë të drejtë.
Bëji që të falin namazin.
Bëji të jenë të devotshëm dhe
Bëji që të jenë të qëndrueshëm në rrugën Tënde.
Zoti ynë,
Fëmijët tanë, bëji që të jenë të vendosur në çështjet e jetës dhe
Ndihmoju që t’i përballojnë sfidat e jetës.
Zoti ynë,
Fëmijët e mi, bëji që të shoqërohen me të mirët dhe
Bëji që të shoqërohen me shokë me cilësi të larta morale.
Zoti ynë,
Fëmijët tanë largoji nga përjetimi i situatave të vështira.
Mos lejo që të përjetojnë gjëra të palakmueshme dhe
Mos lejo që të shijojnë çështje të urryera.
Zoti ynë,
Na e mundëso që të përjetojmë frytet e mirësisë nga fëmijët tanë dhe
na e mundëso të përjetojmë bukurinë e kësaj jetë me fëmijët tanë.
Zoti im,
Më mundëso që të respektohem dhe të nderohem nga fëmijët e mi gjatë jetës dhe
që të luten për mua pas vdekjes.