Junusi a.s. ishte dërguar prej Allahut për tek populli i tij.
Populli i tij nuk e dëgjonte.
Një ditë prej ditëve u hidhërua me popullin e tij.
U largua prej tyre pa marrë leje nga Allahu,
mendoi se Allahu nuk do ta sprovojë
dhe se nuk do t’i vijë më puna ngushtë.
Pasi u largua, hipi në një anije.
Duke lundruar anija, filloi mot i lig, erërat e forta lëkundnin anijen,
retë e zeza e kishin mbuluar qiellin, binte shi i madh.
Anija lëkundej, gati sa nuk rrëzohej.
Udhëtarët e anijes mendonin se ndonjëri prej tyre është fatkeq
dhe për të u qetësuar deti dhe moti duhet të hidhet në det njëri prej udhëtarëve.
Për të hedhur në det njërin prej udhëtarëve duhej të hidhej short.
E hodhën shortin,
shorti ra në Junusin, ata e panë se Junusi ishte duke fjetur, andaj nuk ia prishën gjumin.
Ata hodhën short për së dyti.
Prapë shorti i ra Junusit, prapë ata për shkak të respektit që kishin për të nuk donin ta shqetësonin.
Hodhën short,
edhe në herën e tretë i ra Junusit,
këtë herë Junusi u zgjua vetë dhe e kuptoi se ka gabuar që është larguar nga populli i tij andaj ai vendosi që vet të hidhej në det, dhe u hodh.
Kur ra në det e gëlltiti një peshk i madh.
Zoti i Madhëruar e urdhëroi peshkun që mos ta dëmtojë trupin e Junusit, por vetëm ta mbaj sikur në burg.
Junusi a.s. tani qëndronte në errësira të ndryshme:
– Errësira e mbrëmjes;
– Errësira e detit;
– Errësira e barkut të peshkut.
Junusi nuk e harroi Zotin e tij, iu lut Zotit të Lartmadhëruar:
Laa ilaahe il-laa ente subhaaneke in-nii kuntu minedh-dhaalimiinë.
“Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtësi vetes!”
Allahu i Lartësuar menjëherë iu përgjigj Junusit a.s., e shpëtoi nga tmerri sepse ai ishte besimtar i vërtetë. Zoti i Lartmadhëruar tregon në Kur’an kur thotë:
“Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.”
–
Dr. Musli Vërbani