15. ISLAMI, FE E PUNËS

Hutbeja e sotme e mbanë titullin: Islami është fe e punës.

Islami është fe e punës dhe e seriozitetit në punë.

Islami është fe e punës dhe e precizitetit në punë.

Islami është fe e punës dhe e përsosmërisë në punë.

Islami nuk është fe e dembelizmit.

Islami nuk është fe e përtacisë.

Islami nuk është fe e neglizhencës.

Islami nuk është fe e joseriozitetit.

Në hadithë tregohet se:

“Në një rast një njeri ka kaluar pranë pejgamberit a.s.

Sehabet duke e pa fizikun e dhe aktivitetin e tij kanë thënë:

O i dërguar i Allahut sikur të ishte ky në rrugë të Allahut?

Pejgamberi a.s. ka reaguar duke thënë:

Nëse angazhimi i tij është për fëmijët e vegjël të tij, atëherë ai angazhim është në rrugë të Allahut.

Nëse angazhimi i tij është për prindërit e tij të moshuar, atëherë ai angazhim është në rrugë të Allahut.

Nëse angazhimi i tij është për veten e tij, atëherë ai angazhim është në rrugë të Allahut!.”

Besimtarë të nderuar!

Islami motivon për punë dhe angazhim. Islami nxitë për punë dhe për zbulim.

Islami na e tërheq vërejtjen nga dembelizmi, na e tërheq vërejtjen të mos bëhemi nevojtarë për të tjerët dhe të mos bëhemi lypsarë.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Nëse ndodhë kijameti dhe në dorë të njërit prej juve është një fidan pemë, nëse i jepet mundësia ta mbjellë, le të tenton ta mbjellë.”

Allahu ka lehtësuar kushtet e punës, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

Ditën e bëmë për gjallërim.” (Nebeë, 11). Pra, për punë dhe angazhim.

Ka urdhëruar punën pas namazit.Zoti i madhërishëm thotë:

E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndajuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut.” (Xhumuatu, 10).

Zoti i madhërishëm thotë:

 “E kush bën ndonjë vepër të mirë dhe është besimtarë, mundi i tij nuk i mohohet, pse Ne i shënojmë ato.” (Enbija, 94)

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Allahu dëshiron që kur dikush prej jush të kryejë ndonjë punë, ta kryejë me përsosmëri.”

Xhematë i nderuar!

Puna për përfitim hallall është prej etikës së pejgamberëve.

Puna për përfitim të lejuar është prej etikës së njerëzve të mirë.

Pejgamberët, edhe pse kanë qenë të privilegjuar, kanë punuar.

Pejgamberët edhe pse kanë pasur pozitë të lartë tek Allahu i Madhërishëm, prapëseprapë kanë punuar.

Të gjithë pejgamberët kanë punuar dhe janë ushqyer si rezultat i mundit dhe punës që kanë bërë.

Disa prej pejgamberëve janë marrë me bujqësi.

Disa prej pejgamberëve të tjerë janë marrë me blegtori.

Disa prej pejgamberëve të tjerë janë marrë me ndërtimtari.

Disa prej pejgamberëve të tjerë janë marrë me zejtari. E kështu me radhë…

Xhematë i nderuar!

Feja Islame na urdhëron që punën dhe fitimin tonë ta sigurojmë nëpërmjet mundit dhe fuqisë së duarve tona.

Pejgamberi a.s. na ka treguar se:

“Njeriu nuk ha gjë më të mirë, sesa ajo që e fiton me duart e veta. Edhe Pejgamberi i Zotit, Davudi a.s. hante prej duarve të veta.”

Kur është pyet pejgamberi a.s. për fitimin më të mirë ka thënë:

“Fitimi i njeriut me dorën e tij dhe çdo tregti ligjore dhe e drejtë.”

Puna e mirë pranohet, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

Dhe thuaj: “Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët.” (Tevbe, 105).

Feja Islame na mëson se çdo vështirësi që do ta përjetojmë gjatë punës do të jetë shlyerje dhe falje për disa mëkate.

 Islami nuk e ka lejuar që muslimani i aftë për punë të sillet dembel e të mbështetet në mundin e të tjerëve. Pejgamberi a.s. lidhur me këtë ka thënë:

“Çdo besimtar (musliman) i cili ka mbjellë bimë për të përfituar fidanë (e fryte), dhe nga e cila han edhe ndonjë shpend, kafshë apo njeri – pa praninë dhe lejen e tij, do t’i llogaritet sadaka.”

Përfundim:

E kemi borxh t’i ndihmojmë atij që punon dhe i cili mundohet të prodhojë diçka, sepse me këtë i kemi ndihmuar edhe atij, por i kemi ndihmuar vetvetes.

Duhet t’i vlerësojmë aftësitë tona që na i ka dhuruar All-llahu i Madhërishëm.

Duhet të specializohemi në atë drejtim për ku kemi më së shumti prirje.

Puna e gëzon njeriun, kurse përtacia është burim i moskënaqësisë.

Fitimi e bën të lumtur njeriun, ndërsa jofitimi është burim i problemeve tona.

Të mos bëhemi shpenzues të pavend të asaj që e kemi fituar me djersë.

Zoti ynë:

– Na e mundëso ta perceptojmë të drejtën dhe ta veprojmë atë.

– Na e mundëso ta perceptojmë të padrejtën dhe të largohemi prej saj.

Zoti ynë:

– Na e bëj të mjaftueshme të lejuarën, që të mos veprojmë të ndaluarën.

– Na bëj të devotshëm, të mos bëhemi të padëgjueshëm.

Më mirësinë Tënde Zoti im, dhe të askujt tjetër!

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment