DHIKRI E NGJALLË ZEMRËN

7. DHIKRI E NGJALLË ZEMRËN

Hutben e sodit po e fillojmë me ajetin kur’anor:

“O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh.” (Ahzab, 41).

 Dhe me ajetin kur’anor:

“Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (Raëd, 28)

Hutben e sodit po e fillojmë me hadithin e Pejgamberit a.s. i cili ka thënë:

“Shembulli i atij i cili e përmend Zotin dhe i atij i cili nuk e përmend Zotin është sikurse i gjalli dhe i vdekuri.”

Besimtarë të nderuar!

Dhikri për zemrën është sikurse uji për peshkun, si do të ishte peshku nëse i harxhohet uji!

Kush e refuzon dhikrin e ka privuar veten nga jeta.

Kush e refuzon dhikrin e ka burgos veten nga jeta.

Dhikri e ruan jetën e zemrës dhe e zgjon nga pakujdesia.

Ushqim i shpirtit është Dhikri.

Dhikri është jetë e zemrës.

Dhikri e zgjeron kraharorin siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.” (Rad, 28).

Shembulli i atij i cili e përmend Zotin dhe atij i cili nuk e përmend Zotin është sikurse i gjalli dhe i vdekuri.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Shembull i një shtëpie e cila e përmend Zotin dhe një shtëpie tjetër e cila nuk e përmend Zotin është sikurse shtëpia e gjallë dhe e vdekur.”

Dhikri ka ndikim të madh jetën e njeriut!

Është prej veprave më të mira të Allahut!

Është prej veprave më të dashura të Allahut!

Xhematë i nderuar!

– Prej vlerës së dhikrit është se ti kur e përmend Zotin, Zoti të përmend ty. Pra, Zoti i madhërishëm thotë: .”..më përmendni Mua, Unë ju përmendi juve.” (Bekare, 152).

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“All-llahu thotë: Unë jam te mendimi i mirë i robit tim, Unë jam me të gjersa ai më përmend Mua, nëse më përmend në vete, e përmendi në Veten Time, nëse më përmend në ndonjë tubim, e përmendi në tubim më të mirë se ai, nëse më afrohet një pëllëmbë i afrohem një llërë, nëse më afrohet një llërë, i afrohem një pash, nëse më vjen duke ecur, i vijë duke nxituar.”

– Prej vlerës së dhikrit është se dhikri është shkak për t’u falë gabimet:

.”..shumë përmendësit e All-llahut e shumë përmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh. (Ahzab, 35)

Prej vlerës së dhikrit është se, Zoti i ka lavdëruar ata të cilët e përmendin Zotin. Siç Zoti i Madhërishëm thotë:

“Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë.” (Ali Imran: 190, 191).

Prej vlerës së dhikrit është se Përmendja të sjell sukses dhe shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

.”..përmendni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim.” (Xhumuatu, 10)

Po ashtu pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka vepër e cila sjell shpëtim më shumë se përmendja ndaj Allahut.”

Prej vlerës së dhikrit është se dhikri është shkak i faljes së gabimeve.

Prej vlerës së dhikrit është se dhikri është shkak i pranimit të lutjeve.

Prej vlerës së dhikrit është se dhikri është shkak i shpëtimit nga dënimi i Allahut:

“O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.

Ai ju mëshiron juve e edhe engjëjt e Tij, e për t’ju nxjerrë juve prej errësirave në dritë dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë mëshirues.

Ditën që e takojnë Atë (Zotin), përshëndetja e tyre është Selam (paqe) dhe për ta ka përgatitur shpërblim të mirë.” (Ahzab: 41-44)

Prej vlerës së dhikrit është se Allahu ka premtuar shpërblim të madh për ata të cilët e përmendin Allahun.

“Nuk ka dyshim se për burrat dhe gratë që e përmendin shumë Allahun, Ai ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzabë, 35).

Po ashtu,Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.” (Ahzab, 21, 22)

Po ashtu, Zoti i Madhërishëm thotë:

“O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej përmendjes së All-llahut, e kush bën ashtu, të tillët janë mu ata të humburit.” (Munafikun, 9)

Përfundim:

Përkujtimi Allahut është njëra ndër veprat e mira dhe më të vlefshme se sa pasuritë e llojllojta. Ata që dëshirojnë të jenë në përmendjen e Allahut dhe afër Tij le të bëjnë “dhikër” e dhikri më i mirë është fjala e Tij, Kurani.

Mos harro! Je urdhëruar ta përkujtosh Allahun.

Përkujtuesit e Allahut janë të falur.

Kush e përmendë Allahun, Ai e përmendë atë.

Zoti im!

– Ma bën rizk përmendjen Tënde.

– Më përmend mua në veten Tënde.

– Përqendroji dhe forcoji fjalët e mia në fenë Tënde;

– Përqendroje dhe forcoje dëgjimin tim në fenë Tënde;

– Përqendroje dhe forcoje shikimin tim në fenë Tënde;

– Përqendroje dhe forcoje mendjen time në fenë Tënde;

– Përqendroje dhe forcoje zemrën time në fenë Tënde.

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment