RIDAJA E ZOTIT

Hutbeja nr. 5

RIDAJA E ZOTIT

Sot do të flasim për temën e kënaqësisë së Zotit, duke e ditur se:

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit ka bërë që muslimanët të migronin nga Mekeja në Medine.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit ka bërë që muslimanët të largohet nga familja.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit ka bërë që njeriu të largohet nga fëmijët.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit e ka bërë njeriun të largohet nga vendi i vet.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit e ka bërë njeriun të bie dëshmorë në rrugë të Allahut.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit e ka bërë njeriun të përballon urinë dhe të agjëron.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit ka bërë që të lodhet dhe të angazhohet.

Qëllimi i kënaqësisë së Zotit e ka bërë njeriun të shpenzon nga pasuria të cilën e ka fituar.

Besimtarë të devotshëm!

Kënaqësia e Allahut është synim i pejgamberëve.

Kënaqësia e Allahut është rrugë e evlijave.

Kënaqësia e Allahut është synim i besimtarëve të devotshëm.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Kush e kënaq Allahun duke i hidhëruar njerëzit, do të kënaqet Allahu, e pastaj do të kënaqen edhe njerëzit me të.

Kush i kënaq njerëzit duke e hidhëruar Zotin, do të hidhërohet Zoti, e me të pastaj edhe njerëzit”.

Vëllezër të nderuar!

Në ditët e sodit shohim:

– Punëtori në punë shkakton hidhërimin e Allahut për shefin e tij.

– Burri për shkak të gruas e shkakton hidhërimin e Zotit. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, e nuk turpërohen prej All-llahut, e Ai është me ta edhe kur planifikojnë fshehtas thënie me të cilat Ai nuk është i kënaqur. All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë veprimet e tyre”. (Nisa, 108).

– Sa e sa njerëz e hidhërojnë Allahun, e kështu e humbin lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

– Nuk dëgjohet krijesa duke e kundërshtuar Krijuesin.

– Kënaqësia e njerëzve nuk arrihet duke e lënë kënaqësinë e Zotit.

Njeriu e arrin kënaqësinë me qetësi, ai që e stërvitë vetveten në qetësi e arrin kënaqësinë ndaj All-llahut. Këtë e vërteton ajeti Kur’anor:

“O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robërve të Mi! Dhe hyn në Xhennetin Tim!”. (El-Fexhr, 27-30)

Vëllezër të nderuar!

Musai a.s., njëri prej pejgamberëve më të zgjedhur, nxitonte të fitonte kënaqësinë e Allahut.

S’ka dyshim se fitimi i kënaqësisë së Allahut është qëllimi kryesor në jetën e besimtarit.

Një njeri i devotshëm shpejtonte në kryerjen e punëve të tij.

Kur e pyetën: Pse po nxiton (përshpejton)?

Ai është përgjigjur: Pse, Musa a.s. kur ka shkuar në takim me Allahun, a nuk ka thënë:

“…e unë nxitova (përshpejtova) te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde” (Ta Ha, 84).

Andaj,

Përshpejtoni për të fituar kënaqësinë e Allahut.

Neve na mbetet të përshpejtojmë dhe ta fitojmë kënaqësinë e Tij,

Njeriu, çdo veprim që bën duhet ta bëjë duke menduar kënaqësinë e Zotit, duke mos i shkuar nëpër mend asnjëfarë interesi në lidhje me këtë botë.

Kur të ndiqet një rrugë, më përpara duhet të vlerësohet në aspektin e kënaqësisë së Zotit:

– Nëse përkon me kënaqësisë Zotit, duhet të bëhet.

– Nëse nuk përkon me kënaqësisë Zotit duhet të braktiset.

Vëllezër të nderuar!

Ibrahimi a.s. kur e ka vendosë Haxheren në mes të luginës së Mekës, Haxherja i ka thënë: “O Ibrahim, ku po më lë?!. Po, a Allahu të ka urdhëruar të veprosh kështu?”

Ibrahimi a.s. u përgjigj: “Po, Allahu.”

Ajo tha: “Atëherë, Ai do të kujdeset për ne.”

Kështu pra, Haxherja kur mori vesh se ky ishte urdhri i Allahut, ajo u qetësua, sepse shpresonte te mëshira dhe mirësia e Tij.

Ajo ishte e kënaqur me vendimin dhe caktimin e Tij.

Historia nuk ndalet këtu, por vazhdon me djalin Ismailin, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr duke të prerë ty. Shiko pra, çka mendon ti?”

Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”

E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë).

Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!”

Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!

Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë.

Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. (Saffat, 102-107).

Ibrahimi a.s. ka qenë në gjendje ta sakrifikon djalin vetëm për të kënaq Allahun.

Vëllezër të nderuar!

Mësoni çfarë dëshiron Allahu.

Mësoni se cilat vepra e kënaqin Atë.

Veproni atë që dëshiron Allahu dhe çka e kënaqin Allahun.

Allahu dëshiron që nëna dhe babai te jenë të kënaqur me ty, në mënyrë që të fitosh kënaqësinë e Allahut. Për këtë pejgamberi a.s. na ka treguar se: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve; dhe zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindërve”.

 Sa herë që pini ujë, falënderojeni Allahun për këto mirësi.

Sa herë që konsumoni ushqim, falënderojeni Allahun.

Pejgamberi a.s. na ka treguar se:

Allahu kënaqet me atë person që ha diçka dhe pastaj e falënderon Allahun; apo pi diçka dhe e falënderon Allahun…”

Përfundim:

Kënaqësia e Allahut është më e vlefshme se i tërë Xheneti. Allahu thotë:

“Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Et-Teube: 72). Shiko se si fitimi i kënaqësisë së Tij është mirësi më e madhe se Xheneti.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Banorët e xhenetit kur të hyjnë në xhenet, melekët i presin me çdo mirësi e begati, duke i vendosur në vende të larta e luksoze.

Pastaj u sjellin lloje të ndryshme ushqimesh dhe pemësh.

Pastaj,

All-llahu u jep urdhër melekëve që t’u heqin perdet nga fytyrat e tyre.

Atëherë ngriten perdet dhe kur e shikojnë All-llahun e lartësuar, e nuk ka kënaqësi më të madhe, menjëherë i bien në sexhde Atij. Por, All-llahu u thotë atyre: “Ngrini kokat tuaja, se ky nuk është vend i punës, po vend nderimi.”

Në atë moment, All-llahu u shfaqet atyre dhe me një kënaqësi u drejtohet atyre: “Paqja dhe bekimi Im qoftë mbi ju o robërit e Mi, Unë vërtetë jam i kënaqur me ju, po ju a jeni të kënaqur me Mua?”

Të gjithë një zëri thonë: “Po si të mos jemi të kënaqur o Zoti ynë, kur Ti na dhurove të mira që syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar, e as që e ka paramenduar dhe përjetuar njeriu.”

Lidhur me këtë është fjala e All-llahut të Madhëruar:

“All-llahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij” (Maide, 119).

Pastaj ajeti tjetër: “Kanë selam, thënie e Zotit Mëshirues!” (Jasin, 58)

Kështu pra,

Mirësitë e Xhenetit nuk mund të përshkruhen. Në një version tjetër ekziston se kur besimtarët të hyjnë në Xhenet, do t’i thonë Allahut:

“O Zoti ynë, na ke dhënë begati të shumta, të cilat nuk ia ke dhuruar askujt prej krijesave te Tua!”

 Allahu u thotë: “Për ju kam përgatitur diçka më të mirë se këto.”

“E çfarë mund të jetë më e mirë se këto begati që po përjetojmë, o Zoti ynë? – thonë banorët e Xhenetit.”

 Më në fund Allahu i përgëzon, duke u thënë: “(Ju keni fituar) kënaqësinë Time! Kurrë nuk do të zemërohem me ju!”

“Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë (El-Bejjine: 8).

Ne jemi të kënaqur që Allahu është Zoti ynë,

Ne jemi të kënaqur me Muhamedin për Pejgamber tonin dhe

Ne jemi të kënaqur për islamin fenë tonë.

Zoti ynë,

Ty të lavdëroj dhe të falënderoj deri sa të jesh i kënaqur me mua.

Ty të lavdëroj dhe të falënderoj edhe kur të jesh i kënaqur me mua.

Ty të lavdëroj dhe të falënderoj edhe pasi të jesh i kënaqur me mua.

Lini një koment