EDUKATA ME ALLAHUN

EDUKATA ME ALLAHUN

Hutbeja nr. 4

Sot do të flasim për edukatën, do të flasim për mirësjelljen.

Do të flasim për edukatën ndaj Krijuesit.

Do të flasim për mirësjelljen ndaj Allahut.

Fillimisht duhet ta dimë se edukata me Allahun është:

– Të besosh se Allahu është Një;

– Ta madhërosh Allahun;

– Ta përmendësh Allahun;

– Ta dëgjosh Allahun kur urdhëron dhe ta zbatosh urdhrin;

– Të dëgjosh Allahun kur ndalon dhe të largohesh nga ndalesat;

– Të kesh turp prej Tij dhe

– Ti mbështetesh Atij.

Po ashtu,

Edukatë me Allahun është:

– që të mos tregohesh i ditur para Tij e ti paraqesësh sugjerime.

– që të mos tregohesh i mençur para Tij e t’i paraqesësh propozime.

Vëllezër të nderuar!

Do të tregojmë për edukatën e pejgamberëve me Zotin, e edukatën e pejgamberit a.s. në veçanti, ashtu që të edukohemi me edukatën e tyre ndaj Zotit.

Edukata me Allahun është edukata të cilën e kanë trasuar pejgamberët me Allahun.

Po e fillojmë me edukatën e Isait a.s. me Zotin e Madhërishëm. Si ka qenë edukata e Isait a.s. me Zotin e Madhërishëm.

Kur Zoti i Madhërishëm i ka thënë Isait a.s.:“O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos All-llahut!?”.

Isai a.s. nuk i ka thënë: Jo Zot, nuk ju kam thënë atyre!! Isai a.s. ka treguar edukatë! Isa a.s. ka thënë: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, a unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” (Maide, 116).

Pra, i ka thënë: Ta kisha thënë unë, Ti do ta dije.

Çfarë edukate, çfarë mirësjellje, i ka thënë: Ti e di më së miri, nëse kam thënë e kam thënë. Ti e di më së miri, nëse nuk kam thënë, nuk kam thënë!

Besimtarë të nderuar!

Edukata me Allahun është edukata të cilën e kanë trasuar pejgamberët me Allahun. Po vazhdojmë me edukatën e Ibrahimin a.s. me Zotin e Madhërishëm kur ka thënë: “Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua,

Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë, dhe kur të sëmurem Ai më shëron”. (Shuara, 78-80).

Udhëzimin ia ka atribuuar Zotit.

Ushqimin dhe furnizimin ia ka atribuuar Zotit.

Kur ka ardhur në rend çështja e sëmurjes ia ka atribuua vetes.

Nuk ka thënë më ka sëmurë Allahu, por ka thënë: “Kur sëmurem”. Pra sëmundjen ia ka adresuar vetes së tij, duke shpreh edukatën me Allahun.

Pastaj,

kur është hedhur në zjarr që të digjej i kanë thënë: A mos ke nevojë për diçka?

Ai është përgjigjur: Si të kërkoj prej juve kur unë i mbështetem Atij (Allahut)! Si të kërkoj prej juve e të harroj Atë i cili më ka dërguar. Ai e di. “Atëherë ata kanë thënë: “Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u ndihmoni!”. Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija, 69).

Xhematë i nderuar!

– Edukata me Allahun është edukata të cilën e kanë trasuar pejgamberët me Allahun.

Sulejmani ka falënderuar me edukatë: E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij dhe tha: “Zoti im, më mundëso që të falënderoj të mirat Tuaja që m’i dhurove mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, e me mëshirën tënde më fut në mesin e robërve Tuaj të mirë!” (Neml, 19).

Vëllezër të nderuar!

Edukata me Allahun është edukata të cilën e kanë trasuar pejgamberët me Allahun. Shikojeni Musain a.s.: “O Zoti im, unë kam nevojë për çfarëdo që të më japësh!” (Kasas, 24).

Nuk ka thënë më ushqe për shkak se ndihmova, por ka thënë: “Unë kam nevojë për çka do që të më japësh”.

Vëllezër të nderuar!

Pasi treguam edukatën e disa prej pejgamberëve me Allahun, tani do të tregojmë se si ka qenë edukata e pejgamberit a.s. me Zotin e Tij ashtu që edhe ne të marrim mësim prej tij.

Pejgamberi a.s. edhe pse ka dashur diçka nuk ka kërkuar!

Pejgamberi a.s. ndoshta ka lakmuar diçka, por nuk ka sugjeruar!

Pejgamberi a.s. ndonjëherë ka shpresuar për diçka, por nuk ka kërkuar!

Mirëpo,

Allahu e di të fshehtën, kështu që pa kërkuar, pa sugjeruar, pa propozuar, i është përgjigjur kërkesave dhe dëshirave të tij, siç është rasti me ndërrimin e Kiblës, ku Zoti i Madhërishëm ku thotë:“Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes).” (Bekare, 144).

Pra, duhet ta dimë se Allahu e di të fshehtën dhe të dukshmen.

Duhet ta dimë se Allahu e di të ardhmen.

A nuk i ka thënë Zoti i Madhërishëm Muhamedit a.s: “E Zoti yt do të jep ty, e ti do të kënaqesh”. (Duha, 5).

Pra, pa kërkuar, pa sugjeruar, pa propozuar ka thënë: “Do të të kthejmë në drejtimin që ti do të jesh i kënaqur”. (Bekare)

Zoti i madhërishëm i ka thënë Muhamedit a.s. por edhe ty: Ktheje fytyrën tënde ka të duash.

Zoti i madhërishëm i ka thënë Muhamedit a.s. por edhe ty: Ktheje fytyrën tënde në lindje, në perëndim.

Zoti i madhërishëm i ka thënë Muhamedit a.s. por edhe ty: Ktheje fytyrën tënde në veri e në jug.

Kështu duhet të jetë besimtari, sa i përket besimtarit:

Besimtari kthehet në perëndim, nëse urdhërohet të kthehet në perëndim!.

Besimtari kthehet në lindje, nëse urdhërohet të kthehet në lindje!

Besimtari kthehet në jug, nëse urdhërohet të kthehet në jug!

Besimtari kthehet në veri, nëse urdhërohet të kthehet në veri!

Kjo, sepse është urdhër prej Allahut!

Kjo, sepse është sukses prej Allahut!

Kjo, sepse është shpëtim prej Allahut!

Kjo, quhet edukata me Allahun!

Mirëpo,

– Ka prej atyre të cilët refuzojnë urdhrat e Zotit me kryeneçësi,

– Ka prej atyre të cilët janë mendjelehtë, të cilët janë të cekët në mendime,

– Sa i përket atyre të cilët refuzojnë urdhrat e Zotit me mendjemadhësi, Zoti i Madhërishëm thotë: “Të cilët nuk besojnë të cilët mohojnë pa fakte e pa argumente, dhe, edhe pse bindshëm të besueshëm në to, i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, pra shikoje se çfarë ishte fundi i shkatërrimtarëve”. (Neml, 14).

– Sa i përket mendjelehtëve: Zoti i Madhërishëm tregon se ata mendjelehtët do të thonë: “Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kiblës (drejtimit) në të cilin ishin ata? Thuaj: “Të All-llahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do”. (Bekare, 142).

Përfundim:

Edukata me Allahun është rrugë e besimtarëve siç thotë Zoti i Madhërishëm: “A mos (shpresojnë idhujtarët se) do të lësh nga ajo që t’u shpall ty (ngase u vjen rëndë ta dëgjojnë), dhe të shtrëngon zemrën tënde ajo (komunikimi i shpalljes), për shkak se ata do të thonë: “Pse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) ndonjë pasuri, ose përse të mos i ketë ardhur bashkë me të ndonjë melek?” Ti je vetëm qortues, e All-llahu për kujdeset për çdo send”.(Hudë, 12).

Besimtari pajtohet me kaderin e Zotit dhe duron. Kaderi e ka ndonjë urtësi, e ti nuk e di. E di Allahu i Mençur i urtë.

Edukatë me Allahun është kur besimtari i pranon urdhrat e Allahut siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare”. (Ahzab, 36)

Zoti ynë,

– Pastroji zemrat tona.

– Largoji të metat tona.

– Fali gabimet tona.

– Na mbro nga të këqijat e fshehta të cilat nuk i dimë, dhe

– Veprat tona të mira dhe të përgjithmonshme realizoji me sukses.

Dr. Musli Vërbani

Lini një koment