DASHURIA NDAJ ATDHEUT

HUTBE E SHKURTËR E XHUMASË

TEMA: DASHURIA NDAJ ATDHEUT

Atdhe, Mëmëdhe, Vatan, një kuptim e kanë.

Dashuria ndaj atdheut është ndjenjë e mbjellur në zemrën e njeriut, me fjalë tjera është natyrshmëri që nënkupton se ai i cili nuk e do atdheun ai ka dalë nga natyrshmëria njerëzore.

Ne e dimë se:

– Kafshët i duan vendet e tyre, pra atdheun e tyre.

– Shpendët i duan vendet e tyre (ajrin), me fjalë tjera ajri është atdheu i tyre dhe nuk mund të jetojnë ndryshe pos në qiell i cili është atdhe për ta.

– Peshqit e duan vendin e tyre (ujin), pra uji është atdheu i tyre dhe pa ujë nuk mund të jetojnë.

Nga kjo vijmë në përfundim se: Dashuria ndaj atdheut është pikë e përbashkët e të gjitha krijesave.

Për të ilustruar dashurinë ndaj atdheut mund ta ilustrojmë me rastin e milingonës me Sulejmanin a.s. kur  një milingonë ka thënë: “O ju milingona, hyni në vendet tuaja që të mos  ju copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur.” (Neml,18). Pra, hyni në vatanin tuaj…!

Sulejmani ka buzëqeshur për trimërinë dhe guximin e asaj milingone e cila është brengosë për shoqërinë e tij.

Vëllezër të nderuar!

Pesëdhjetë (50) ajete flasin për vlerën e Atdheut (Vatanit).

Pejgamberi a.s. kur është larguar nga Meka është ndalë në një kodrinë, është kthyer në drejtim të Mekës dhe ka thënë:

“Oj Meke, për Zotin ti je vendi më i dashur në fytyrën e tokës. Po të mos më kishte dëbuar populli yt kurrë nuk do të isha larguar!”

Kështu pra:

Pejgamberi a.s. kur është larguar nga Meka ka thënë:

O atdheu im, për Zotin ti je vendi më i dashur në fytyrën e tokës. Po të mos më kishte dëbuar populli yt kurrë nuk do të isha larguar!

Pra, për pejgamberin a.s., vatani ka qenë i dashur, me fjalë tjera ka qenë i dashur  mëmëdheu, ka qenë i dashur  atdheu!

Pastaj, çka ka ndodhë?

Kur janë përmalluar sehabet për Mekën, kur janë mallëngjyer sehabet për atdheun, kur e ka pa pejgamberi a.s. mallëngjinim  dhe dashurinë e sehabeve për atdheun, ka bë lutjen si në vijim: “Zoti ynë na bënë të dashur Medinën ashtu siç na ke bë të dashur Mekën, bile edhe më të dashur!”.

Atëherë Allahu ka zbritur ajetin Kur’anor: “Ai që ta bëri obligim Kur’anin, Ai do të kthejë ty aty kah erdhe (do të të kthejë në atdhe).”  (Kasas, 85).

Vëllezër të nderuar!

Dashuria për atdhe është begati prej Zotit.

Në atdhe qetësohet shpirti, për atdhe mallëngjehet njeriu,  siç e ka bërë lutjen Ibrahimi a.s.: “Bëje që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për atë”.  (Ibrahimë, 37)

Nga tekstet Kur’anore rezulton se dashuria ndaj atdheut është ndjenjë e njëjtë me dashurinë ndaj jetës. Në këtë rast po e përmendim një ajet: “dhe mos e dëboni vetën tuaj nga vendi (atdheu) juaj, e ju e pranuat, ndaj dëshmojeni.” (Bekare, 84)

Vëllezër të nderuar!

Atdheu duhet të ndërtohet dhe të zhvillohet. Pejgambri a.s. ka thënë: “Shtatë gjëra janë gjëra të cilat prodhojnë shpërblime edhe nëse njeriu është në varrë, e ata janë:

– Kush mëson dituri;

– Kush e rregullon një përrua ose ujësjellës;

– Kush e çelë një burim uji;

– Kush e mbjellë një pemë;

– Kush e ndërton një xhami;

– Kush e lë pas vete një mus’haf dhe

– Kush e lë pas vete një fëmijë i cili lutet për të.

Nga ky hadith konkludohet çështja madhështore dhe fitimi i gradave të larta për ata të cilët participojnë në zhvillimin e atdheut pa marrë parasysh se ai participim ka të bëjë:

– Participim në aspektin abstrakt.

– Participim në aspektin konkret.

Participimi në aspektin abstrakt bënë pjesë:  Themelimi i organizatave për zhvillimin e atdheut.

Participim në aspektin konkret: Formimi i gjeneratës së shëndoshë me edukatë dhe me vlera të larta të moralit. Kjo ngase fëmijët e mirë, me fjalë tjera gjenerata e re është mirësi për prindërit e tyre.

Vëllezër të nderuar!

Dashuria për atdheun manifestohet në forma të ndryshme.

Forma më e mirë e shprehjes së dashurisë ndaj atdheut është: Themelimi i institucioneve edukativo-arsimore.

Dijetarët kanë përgjegjësi në zhvillimin e atdheut. Në të kaluarën kjo ka qenë përgjegjësi  e pejgamberëve, ndërsa sot është përgjegjësi e dijetarëve.

Formë tjetër prej  formave të shprehjes së dashurisë ndaj atdheut është themelimi i organizmave social.

Vëllezër të nderuar!

Ashtu sikurse është përgjegjësi zhvillimi i atdheut, po ashtu është përgjegjësi edhe ruajtja nga kriminaliteti.

Mbrojtja e atdheut ndonjëherë është obligim kolektiv (farz kifaje) dhe ndonjëherë obligim individual (farz ajn).

Nëse armiku e sulmon vendin tënd mbrojtja është obligim individual (farz ajn).

Nëse vetëm një njeri  ka njohuri për diç atij i bëhet obligim individual (farz ajn).

PËRFUNDIM

Islami e ka bërë obligim dashurinë ndaj atdheut, e ka bë obligim ruajtjen e atdheut, e ka bë obligim sigurimin e  vatanit ashtu që e ka ligjësuar luftën për të mbrojt atdheun atëherë kur të sulmohet nga dikush dhe nëse në atë rast bie dëshmor, ai e ka gradën e lartë te Zoti i Madhërishëm dhe shpërblehet me xhennet!.

Përgatiti: Dr. Musli Vërbani

Lini një koment