PRERJA E THONJËVE DHE SHKURTIMI I FLOKËVE PARA PRERJES SË KURBANIT

PRERJA E THONJËVE DHE SHKURTIMI I FLOKËVE PARA PRERJES SË KURBANIT

A lejohet të priten thonjtë dhe të shkurtohen flokët për atë i cili ka për të prerë kurban për Bajram apo nuk i lejohet sikurse atij të cilit nuk i lejohet prerja e thonjve dhe shkurtimi i flokëve gjatë haxhit?

Edhe një pyetje tjetër:

Nëse një njeri është i martuar me dy gra, a e ka për obligim një kurban i cili kurban do të ishte i mjaftueshëm për të dy gratë si një familje apo duhet të prej dy kurbane?.

Përgjigja:

Falënderoj Allahun. Dërgojmë salavate dhe e përshëndesim të dërguarin e Allahut, familjen e tij, shokët e tij dhe ata të cilët e pasojnë rrugën e tij.

Dhe…

Sa i përket pyetjes së parë: Është përhapur ideja në mes njerëzve këtu në gadishullin arabik, posaçërisht në vendet ku e praktikojnë medhhebin Hanbelij – ndërsa ne në Egjipt nuk kemi pasur njohuri për këtë, sepse atje në Egjipt praktikohet medhhebi Shafij dhe Malikij – se nuk lejohet të priten thonjtë dhe të shkurtohen flokët për atë i cili ka për të prerë kurban për Bajram.

Kjo çështje bazohet në hadithin autentik, të cilin e ka transmetuar Umi Selmete nga pejgamberi a.s. se ka thënë: “Kur të fillon dhjetë ditshi i parë i Dhul-Hixhes dhe ndonjëri nga ju dëshiron (ka vendosë) të prej kurban, atëherë të mos i shkurton thonjtë dhe të mos i pret flokët”. Mirëpo këtë çështje e ka kundërshtuar Aishja r.a. e cila ka thënë: Pejgamberi a.s. nuk ka vepruar ashtu (Nuk e ka vepruar një gjë të tillë).

Përpos kësaj duhet shikuar se kjo ndalesë në këtë hadithë a ka të bëjë me dispozitën haram apo me dispozitën mekruh?

Disa dijetarë Hanbelij kanë thënë se kjo ka të bëjë me dispozitën haram.

Disa dijetarë tjerë Hanbelij kanë thënë se kjo ka të bëjë me dispozitën mekruh.

Disa dijetarë Shafiij thonë se ka të bëjë me mekruhin tenzihen (e papëlqyer e lehtë).

Disa dijetarë dhe dijetarët në përgjithësi kanë thënë: Kjo çështje nuk ka të bëjë as me dispozitën mekruh. (Pra nuk është as e papëlqyer).

Sido që të jetë, dijetarët për këtë çështje kanë dhënë mendime të ndryshme. Në këtë rast kundërshtimet e tyre janë mëshirë. Po të vepronim në bazë të mendimit se është haram, do të rëndohej gjendja e njerëzve. Njerëzit këtu e quajnë haram sikurse kur vishet Ihrami në haxh. Ndonjëri parashtronte pyetje: A ka mundësi që të bisedon me gruan e tij, nga shkaku se ishte me Ihram në haxh!?

Kjo çështje kështu është çështje rigoroze. Haxhiu gjatë haxhit ka të drejtë të jetë i lirë pasi të kryen Umren deri te fillimi i kryerjes së haxhit. Ai Umren e kryen për dy orë, pastaj në ditën e tetë të Dhul-Hixhes e vesh Ihramin përsëri për haxh. Shikoni pra, ajo ndalesë atij i zgjatë vetëm 48 orë, dhe e kryen Umren pastaj lirohet. Ndërsa këtu mbetet pa i shkurtuar flokët dhe pa i prerë thonjtë dhjetë ditë të plota. Kështu që i vështirësohet gjendja më shumë se sa atij i cili e kryen haxhin.

Pastaj, disa njerëz mundë të thonë: Nëse ky proces (për shkak të prerjes së Kurbanit nuk duhet t’i shkurton flokët dhe t’i prenë thonjtë dhjetë ditë) është kaq i vështirë, nuk do të pres kurban sepse mund të veproj ndonjë haram.

Mirëpo ne themi: Mos e neglizho kurbanin. Njeriu nëse dëshiron që në ditën e Bajramit të ketë pamje të mirë, nuk e ka të ndaluar që t’i shkurton flokët dhe t’i pret thonjtë.

Sa i përket pyetjes së dytë: Duhet që kurbani të jetë për anëtarët e një shtëpie (familje). Për këtë arsye Ebu Ejeb el Ensariju ka thënë: “Ne pritnim një dele për familje”. Tani parashtrojmë pyetjen: Ata a jetojnë në një shtëpi, apo secila në shtëpi të veçantë?.

– Nëse secila prej tyre jeton në shtëpi të pavarur, atëherë Allahu ua ka siguruar gjendjen e mirë, dhe për secilën shtëpi le të pritet nga një kurban.

– Nëse e ka gjendjen e vështirë, atëherë mjafton një kurban për të gjithë. Që të gjithë konsiderohen një familje edhe pse janë dy gra të tij.

Shkëputje nga libri: “100 pyetje dhe përgjigje rreth Haxhit, Umre-s dhe Kurbanit” nga Shejhu profesor dr. Jusuf el Kardavi

Përkthyer nga dr. Musli Vërbani

Vazhdon…

Lini një koment