Muhamed Eminë Xhundi "101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë" Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Skena e ditës së Kijametit
Ebu Seid transmeton se e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Në Ditën e Kijametit a do ta shohim Zotin tonë?” E ai më tha: “A dyshoni në shikimin e diellit kur është kthjellët në mes të ditës, e nuk ka mjegulla fare? Dhe a dyshoni në shikimin e hënës pesëmbëdhjetëshe (hënës së plotë), kur nuk ka mjegulla fare?” Ne i thamë: “Jo (nuk dyshojmë) o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Ju nuk do të dyshoni në shikimin e Allahut në Ditën e Kijametit, ashtu si nuk dyshoni në shikimin e ndonjërit prej tyre (diellit dhe hënës). Në Ditën e Kijametit do të thërret një thirrës dhe çdo umet do ta përcjellë atë që ka adhuruar, se të gjithë ata të cilët kanë adhuruar idhuj e puta do të bien në zjarr, përpos atyre të cilët kanë adhuruar Allahun, të mirë e mëkatarë, aty do të jenë edhe pasuesit e librit. Prej tyre jehudët, të cilët do t’u thuhet: “Çka keni adhuruar?” Ata do të përgjigjen: “Kemi adhuruar Uzejrin, djalë të Zotit.” Do tu thuhet: “Ju keni gënjyer, se Allahu nuk ka as djalë as ortak. Çka dëshironi?” Ata do të thonë: “O Zoti ynë, jemi të etur.” U sinjalizohet atyre se nuk do t’u plotësohet dëshira, por do të tubohen dhe do të hidhen në zjarr. Ata do të shtyhen si kafshët mes vetë, duke rënë në zjarr. Pastaj thirrën të krishterët dhe u thuhet: “Çka keni adhuruar?” Ata do të thonë se kanë adhuruar Mesihun, bir të Zotit. Do t’u thuhet: “Keni gënjyer. Çka dëshironi?” Ata do të thonë: “O Zoti ynë jemi të etur, na sjell ujë.” U sinjalizohet atyre se nuk do t’u plotësohet dëshira, por do të tubohen dhe do të hidhen në zjarr. Ata do të shtyhen si kafshët duke rënë në zjarr. Kur nuk mbetet askush tjetër, pos atyre që kanë adhuruar Allahun, të mirë e mëkatarë, Allahu u vjen më afër se sa e kanë parë më parë dhe u thotë: “Çka po prisni? Secili le ta pasojë atë qe e ka adhuruar.” Ata do të thonë: “O Zoti ynë, ne nuk iu kemi bashkuar dhe jemi ndarë prej njerëzve të tjerë, edhe pse kemi qenë të varfër nuk iu kemi bashkëngjitur atyre.” Zoti Thotë: “Unë jam Zoti juaj.” Ata thonë: “Kërkojmë mbrojtje prej Allahut, nuk bëjmë shok Atij”, dy apo tre here, sa që disa prej tyre nuk rrezohen. Zoti i thotë: “A ka ndonjë argument prej jush që të njiheni (se jeni musliman)?” Ata thonë: “Po.” Dhe zbulohet perdja. Çdo njeri i cili i ka bërë sexhde Allahut me bindje dhe perulshmëri, i thuhet të bie në sexhde, dhe ai bie ne sexhde pa kurrfarë pengese, ndërsa çdo njeri i cili i ka bërë sexhde sipërfaqësisht dhe vetëm për t’u proklamuar para njerëzve, shpina e tij bëhet si dërrasë, dhe çdo herë që dëshiron te bie ne sexhde përplaset me kokë për toke, dhe kur e ngritin kokën, koka e tyre prapë kthehet në formën e përparme. Pastaj (Zoti) thotë: – Unë jam Zoti juaj. Ata pohojnë: “Po, ti je Zoti ynë.” Pastaj sillen ata mbi urën e Xhehenemit, e shefaati u vjen përpara. Ata thonë: “O Zot na shpëto, na shpëto!”
E kanë pyetur të Dërguarin s.a.v.s.: “Çka është Ura e siratit?” Ai ka thënë:
“Besimtarët e kalojnë atë sa çel e mbyll sytë, prej tyre ka që e kalojnë me shpejtësi të vetëtimës, me shpejtësi të erës, me shpejtësi te shpendëve, me shpejtësi të kuajve të shpejtë, me shpejtësi të kafshëve tjera. E besimtarët shpëtojnë. Pasha atë që shpirti im është në dorën e Tij, asnjëri prej jush nuk ka dëshirë më të madhe për të fituar e vërteta, kështu që në Ditën e Kijametit Allahu e bën që besimtarët t’i nxjerrin vëllezërit e tyre prej xhehenemit. Besimtarët do të thonë: “Zoti ynë, ata kanë agjëruar, janë falur, e kanë kryer haxhin.” U thuhet atyre: “Ata të cilët i njihni nxirrni prej xhehenemit”. Atëherë një turmë e madhe do të nxirret prej xhehenemit, të cilët zjarri i ka djegur prej thembrave e deri në gjunjë. Pastaj thonë: “O Zoti ynë, të gjithë ata për të cilët kemi kërkuar, nuk ka mbetur asnjë në zjarr.” Zoti thotë: “Kthehuni dhe kush në zemrën e tij ka një vlerë të një dinarit mirësi, nxirreni nga xhehenemi.” Atëherë i nxjerrin prapë një turmë të madhe, pastaj thonë: “Zoti ynë, i kemi nxjerrë të gjithë ata që na ke thënë.” Pastaj Zoti thotë: “Kthehuni dhe kush në zemrën e tij ka mirësi të vlerës së gjysmë dinarit nxirreni.” Dhe prapë e nxjerrin një turmë të madhe. Pastaj thonë: “Zoti ynë, nuk ka mbetur asnjë prej kategorisë së tyre.” Ebu Seidi ka thënë: “Nëse nuk e besoni këtë hadith, atëherë nëse doni lexoni ajetin kur’anor: “Vërtet Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca e atomit, vetëm se nëse është një punë e mirë do ta shtoj atë”, dhe, përpos kësaj, prej Vetes së Tij do t’i japë shpërblime të mëdha. Allahu thotë: “Kanë ndërmjetësuar melaqet, kanë ndërmjetësuar Pejgamberët, kanë ndërmjetësuar besimtarët dhe ka mbetur tani më i Mëshirshmi i të gjithë Mëshiruesve”, e pastaj me një kapje nxjerr njerëz, të cilët nuk kanë bërë asnjë të mirë, por kanë qenë të mbrojtur. Pastaj dërgohen në një lumë të burimit prej xhenetit, i cili lumë quhet “Lumi i jetës”. Dhe nxirren prej aty siç nxirren farat, ashtu siç i keni parë mbi trung, apo mbi gur, dhe kur dielli i ka tharë i ka bërë plotësisht të verdha, apo të verdha, ndërsa edhe të bardha, kur farat kanë qenë nën hije. I thonë: “O i Dërguari i Allahut, po ti sikur të ishe bujk!”. Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Do të nxirren dhe në qafat e tyre do të kenë qafore si të diamantit, në bazë të së cilës shenjë do të dallohen prej xhenetlinjëve tjerë, si të liruar të Allahut. Pra, ata dallohen se Allahu i ka shpënë në xhenet pa punuar asnjë vepër të mirë, dhe pa pasur shpërblime fare. Pastaj thotë: “Hyni në xhenet dhe çka të shihni është e juaja.” Ata thonë: “Na ke dhënë atë që nuk i ke dhënë askujt tjetër.” Zoti u thotë: “Unë kam edhe më të mirë se kjo.” Ata thonë: “Po cila është ajo më e mirë se kjo?!” Zoti thotë: “Kënaqësia Ime ndaj jush dhe Unë më asnjëherë nuk do të hidhërohem me ju.”
TRANSMETON MUSLIMI
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në ditën e Kijametit, pasi që të paraqitet, Zoti i Lartmadhëruar i thotë (ndonjërit): “A nuk ta kam dhënë dëgjimin, ushqimin, pasuri e fëmijë; ti kam nënshtruar kafshët, ta kam bërë shtrojë token, të kam bërë mëkëmbës? A nuk ke menduar se do të paraqitesh para Meje në këtë Ditë?” Ai i thotë: “Jo.” Zoti i thotë: “Sot do të të harroj ashtu siç më ke harruar ti Mua.”
TRANSMETON MUSLIMI DHE TIRMIDHIU
Enesi r.a. transmeton: “Kemi qenë te i Dërguari i Allahut
s.a.v.s. dhe pasi qeshi na pyeti: “A e dini përse qesha?” Ne i thamë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Për fjalën e robit, i cili do t’i thotë Zotit: “O Zoti im, a nuk po më shpëton nga padrejtësia?” Zoti thotë: “Po gjithsesi!” Ai do t’u thotë: “Ju shkronjësit fisnikë që keni qenë dëshmitarë mos flisni, e ti, o njeri, mjafton qe vet ta gjykosh veten tënde; dhe i thotë: “Ju pjesët e trupit flisni”, pastaj pjesët e trupit flasin për veprat e tij, e pastaj fillon polemizimi mes pjesëve të trupit dhe atij, e ai thotë: “Mallkuar qofshi, po unë për ju jam munduar.”
TRANSMETON MUSLIMI