Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga "Besimi në melekët"
Melekët e autorizuara për ta vizituar dhe kontrolluar tokën
Zoti i Madhëruar ka krijuar melek për ta vizituar tokën dhe për t’i kërkuar vendtubimet në të cilat përkujtohet Allahu.
Vendtubimet e përkujtimit të Allahut janë:
Vendtubimet e këndimit të Kur’anit dhe mësimit të tij, e mësimit të haditheve të Muhamedit a.s., vendtubimet e mësimit të hallallit dhe haramit, vendtubimet e tesbihut dhe istigfarit, vendtubimet e diturisë së dobishme.
Ebu Hurejra thotë:
Ka thënë Muhamedi a.s.: “Vërtetë Zoti i Madhëruar dërgon melek në tokë për të kontrolluar rrugët dhe për t’i kërkuar ata të cilët e përkujtojnë Allahun. Kur të takojnë popullin i cili e përkujton Allahun. (U thuhet): “Kërkoni çka ju nevojitet”, dhe i mbulojnë me krahët e tyre në qiell.
Zoti i Madhëruar e di por prapë i pyet melekët:
– Çka thonë robërit e mi?
Subhanallah, Elhamdulilah, Allahu ekber.
– A më kanë parë?
Jo për Zotin nuk të kanë parë.
– Po si do të vepronin nëse më shohin?
Sikur të të shohin do të të adhuronin më shumë, do të të falënderonin më shumë dhe do të të lavdëronin më shumë.
Pastaj Zoti i Madhëruar i pyet melekët:
– Çka kërkojnë prej Meje?
Kërkojnë Xhenetin.
– A e kanë parë atë?
Jo, për Zotin nuk e kanë parë.
– Po sikur ta shihnin?
Sikur ta kishin parë do ta lakmonin më shumë, do ta dëshironin më shumë dhe do ta kërkonin më shumë.
Pastaj Zoti i Madhëruar prapë pyet melekët:
– Prej çka kërkojnë mbrojtje? Nga zjarrit (Xhehenemit).
– A e kanë parë atë?
Jo për Zotin nuk e kanë parë.
– Po sikur ta shihnin.
Sikur ta kishin parë do të frikoheshin më shumë prej tij dhe do të largoheshin nga rruga e cila të shpie atje.
Zoti në fund thotë: “Dëshmoj para juve se ia kam falur atyre gabimin”.
Njëra nga melekët thotë: Në mesin e tyre është një njeri i cili ka ardhur për nevojë tjetër.
Zoti i Madhëruar thotë: “Ata janë një popull dhe të gjithë janë për një kuvendim”.
Nga ky hadith kuptojmë se Zoti i Madhëruar i do ata të cilët e përkujtojnë Atë, njëherit ata kanë vlerë të madhe te Zoti i Madhëruar.
Po ashtu ata të cilët e përkujtojnë Zotin i duan edhe melekët.