Muhamed Eminë Xhundi "101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë" Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Frizerja (floktarja) e vajzës së Firaunit
Transmeton Ibn Abasi se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Në Natën e Israsë dhe të Miraxhit, kur jam ngritur në një vend prej vendeve, e kam ndier një aromë të këndshme, dhe pyeta: “O Xhibril, ç’është kjo erë e këndshme?!” Ai tha: “Kjo është aroma e floktares së bijës së firaunit dhe bijve të vet (floktares).” E pyeta: “Po çka ka qenë puna me të?” Ai tha: “Derisa e krihte bijën e firaunit i bie krehri prej dorës së saj, e ajo prapë e merr prej toke duke thotë “Bismilahi”. E bija e firaunit i thotë: “Thuaj me emrin e babait tim!” Ajo i thotë: “Jo (me emrin e babait tënd), por me emrin e Zotit tim, Zotit tënd dhe Zotit të babait tënd. Pra, me emrin e Allahut.”
Ajo e pyet: “A ke ndonjë Zot tjetër, pos babait tim?” Ajo iu përgjigj: “Po.” Ndërsa ajo i tregoi firaunit, i cili e thërret atë dhe i thotë: “Oj filane! A ke Zot pos meje?” Ajo i përgjigjet: “Zoti im është edhe Zoti yt, Allahu i cili mbizotëron çdo gjë.”
Firauni urdhëroi që të ndizej një zjarr nën një kazan të madh, i cili vlonte. Pastaj i merr djemtë e saj dhe i gjuante një nga një. Ajo i thotë: “Kam një kërkesë.” Firauni i thotë: “Cila është ajo kërkesë?” Ajo i thotë: “Dëshiroj që t’i tubosh eshtrat e mia dhe të fëmijëve të mi në një qefin dhe të na varrosësh të gjithëve së bashku.” “Këtë edhe do ta bëjmë”, – iu përgjigj firauni. Fëmijët e saj i hidhte në kazan një nga një, derisa i erdhi radha edhe fëmijës së saj në gji. Dhe sikur për të u brengos për së tepërmi, mirëpo fëmija në gji i thotë: “Oj nëna ime, hidhu në zjarr së bashku me mua se dënimi në dunja është shumë më i lehtë se dënimi i ahiretit!” Pastaj u gjuajtën me fëmijën e saj.
Katër fëmijë (në djep) kanë folur, e ato janë: Foshnja e frizeres së vajzës së Firaunit, Dëshmitari i Jusufit, Shoku Xhurejxh dhe Isa – i biri i Merjemes”.
(Transmeton Ahmedi dhe Berraziju, ibn Habani, Hakimi dhe të tjerët)