Dr. Musli Vërbani
Çështjet gjykohen sipas qëllimit
(El-umuuru bi mekasidiha)
“Çështjet gjykohen sipas qëllimit”.
Ky rregull është prej rregullave më të rëndësishme të fikhut.
Ky rregull i dallon veprat e plota të cilat pranohen nga veprat tjera të cilat nuk pranohen.
Argument për këtë e kemi thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“E ata nuk ishin të urdhëruar me asgjë tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me adhurim të sinqertë ndaj Tij.” (El-Bejine : 5)
Argument tjetër e kemi thënien e Muhamedit a.s.:
“Qëllimi (nijeti) i besimtarit është më i vlefshëm se sa veprat e tij.”
Në një rast tjetër, Muhamedi a.s. ka thënë: “Veprës i paraprinë qëllimi (nijeti).”
- nëse një person ka për qëllim kënaqësinë e Allahut, atëherë shpërblehet për atë qëllim, ndërsa,
- nëse ai ka për qëllim kënaqësinë e njeriut, atëherë shpërblehet për atë qëllim.
Për çështjen e hixhretit, Muhamedi a.s. ka thënë: “Veprat çmohen sipas qëllimit dhe se çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim:
- kush shpërngulet (bën hixhret) për Allahun dhe për të dërguarin e Tij, shpërngulja (hixhreti) e tij është për Allahun dhe për të dërguarin e Tij,
- kush shpërngulet për të mira të kësaj bote, ose për t’u martuar me ndonjë femër, ai do të marrë vetëm çka ka synuar.
Edhe pse hadithi ka të bëjë për një rast të veçantë, qëllimi është i përgjithshëm dhe nuk ka të bëjë vetëm me rastin e hixhretit.
Nijeti (qëllimi) është ligjësuar për të dalluar adhurimet prej traditave dhe për ta dalluar një adhurim prej një adhurimi tjetër.
Ky rregull aplikohet në çështje të:
- adhurimeve (ibadat), dhe
- veprimtarisë njerëzore (muamelat).
Nijeti në çështje të adhurimeve (ibadat)
Mund të ndodhë që një person pikësynon kryerjen e një obligimi por i ndodh që nuk mund ta kryej atë, atëherë për atë obligim vlerësohet pozitivisht.
Nijeti në çështje të veprimtarisë ndërnjerëzore (muamelat)
Nijeti i cili nuk shprehet për një çështje dhe ajo çështje nuk veprohet, nuk rezulton efekt ligjor të sheriatit.
Shembuj:
- Nëse një person e shkurorëzon gruan me nijet, pra me zemër por nuk e shpreh me gjuhë, ai shkurorëzim nuk prodhon efekt në ligje të sheriatit sepse ligjet e sheriatit bazohen në aspekt të jashtëm dhe jo të brendshëm.
- Nëse një person e blen një send me qëllim që ta lë vakëf, dhe pasi që e blen nuk e shpreh me diçka që e dëshmon se është duke e lënë vakëf, atëherë ai send nuk mund të ligjësohet si vakëf.
- Shprehja e qartë dëshmon vërtetësinë dhe pas shprehjes së qartë nëse personi dëshiron të arsyetohet me nijet, nuk merret parasysh nijeti. Shembull: Nëse një person thotë, ia dhuroj filanit këtë send, më vonë nuk i pranohet arsyetimi se ai është mahitur dhe nuk e ka pasur seriozisht, pra nuk merret parasysh nijeti, por merret parasysh shprehja e tij.
Çdo rregull e përgjithshme mund të specifikohet
Nëse ndodh që ndonjë dispozitë të jetë në kundërshtim me ndonjë rregull, ai rregull nuk ka ndikim sepse ajo ndodhi është ndodhi e rrallë, ndërsa ndodhia e rrallë nuk bën pjesë në rregullin e përgjithshëm.