Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga "Besimi në melekët"
Meleku i autorizuar për marrjen e shpirtrave
Melaqja e autorizuar për marrjen e shpirtrave quhet “MELEKUL MEVT”, për këtë arsye kjo melaqe ka rëndësi të madhe dhe është melaqe fisnike.
Thotë Zoti i Madhëruar:
“Thuaj: U bënë që të vdisni Melaqja e marrjes së shpirtrave, i cili është i autorizuar për ju (që tua marrë shpirtin)”. (Es-Sexhde : 11)
MELKUL MEVTI i ka ndihmëtarët e vet të cilët i ndihmojnë në kryerjen e detyrës, këtë na e tregon Zoti i Madhëruar në Kur’anin fisnik:
“Dhe, Ai (Allahu) është i fuqishëm mbi robërit e Tij dhe gjithashtu u dërgon mbrojtës deri në momentin kur ndonjërit prej juve i vjen vdekja, ia marrin shpirtin të dërguarit Tanë e ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi”. (El-En’am : 61)
Atij që është besimtar, Melekul Mevti i vjen në formë të mirë, me erë të mirë, me rroba të bardha dhe e përgëzon me kënaqësinë e Allahut dhe i tregon se edhe ai do të jetë i kënaqur me Allahun.
Jobesimtarit, Melekul Mevti i vjen në formë të trishtueshme dhe e lajmëron për pakënaqësinë e Allahut dhe dënimin të cilin do ta përjetojë.
Melekul Mevti ka fuqi të madhe, për këtë arsye i merr shpirtrat në momentin e caktuar ashtu siç është i autorizuar.
Kur është pyetur Ibni Abasi: “Nëse një njeri vdes në lindje e tjetri në perëndim në të njëjtën kohë, atëherë si është e mundur që Melekul Mevti me ja marrë shpirtrat menjëherë”?
Ibni Abasi thotë: “Fuqia e Melekul Mevtit për lindje a perëndim, dritë e errësirë, tokë e det është sikur njeriu i cili ka tavolinën (tryezën) përpara dhe çka dëshiron, si dëshiron dhe kur të dojë merr”.
Melekul Mevti është melaqe fisnike, ai ka autorizim prej Zotit, ai nuk ka gabim (mëkat) pse i merr shpirtrat. Ne duhet ta respektojmë emrin e tij sepse Melekul Mevti nuk na shkurton jetën, nuk na e pengon furnizimin por vetëm i kryen urdhrat.