Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga "Besimi në melekët"
Melekët e autorizuar që të na pyesin në varr
Zoti i Madhëruar i ka autorizuar dy melek për të na pyetur neve në varr për veprat tona dhe fenë tonë.
Posa të varroset i vdekuri i kthehet shpirti në trupin e tij, i vijnë dy melek dhe e pyesin:
– Kush është Zoti yt?
Besimtari thotë: Allahu është Zoti im.
– Cila është feja jote? Feja ime është Islami.
– Cili pejgamber është dërguar te ju? I Dërguari i Allahut- Muhamedi a.s.
– Cila është dituria (libri) juaj?
Kam lexuar Kur’anin librin e Allahut, i kam besuar, vërtetuar dhe praktikuar në vepër.
Pastaj e pyesin cili është Zoti yt, feja jote dhe i dërguari yt.
Zoti i Madhëruar ia përforcon fjalët besimtarit dhe ai pa hamendje thotë: Allahu është Zoti im, feja ime është Islami, pejgamberi im është Muhamedi a.s.
Nga qielli vjen një thirrje: E ka thënë të vërtetën robi im, shtroni shtrat të Xhenetit, visheni me rroba të Xhenetit, hapjani dyert e Xhenetit.
Nga brendia e shpirtit i vjen era e mirë, i zgjerohet gjendja dhe i zgjatet shikimi. I vjen një person me pamje të bukur, rroba të mira, erë të mirë e i thotë: Të përgëzoj me diçka të mirë, të përgëzoj me kënaqësinë e Allahut, Xhenetin me të mira të shumta dhe të përgjithshme dhe kjo është dita e premtuar.
Besimtari pyet: Ti që më përgëzon për të mira, kush je ti? Thotë: Unë jam vepra jote.
Pastaj i hapet dera e Xhenetit dhe e sheh vendin e tij në Xhenet.
Jobesimtari pasi të varroset i kthehet shpirti në trup, i vijnë dy melek dhe e pyesin:
– Kush është Zoti yt? Jo, nuk e di!?
– Cila është feja jote?
Nuk e di!?
– Cili pejgamber është i dërguar te ju? Nuk e di !?
– Pastaj i thuhet: Nuk e dite, nuk ke njohuri për këto gjëra, për këtë arsye vjen një zë nga qielli e thotë: Shtroni shtrat të Xhehenemit dhe hapjani derën e Xhehenemit. I vjen nxehtësi e fortë, i shtrëngohet gjendja aq shumë sa që i pëlcasin edhe eshtrat. I vjen një person me fytyrë të keqe, rroba të këqija, erë të keqe dhe i thotë: Kjo është dita e premtuar, dita e ndëshkimit.
Jobesimtari i thotë: Kush je ti?
Unë jam vepra e jote e keqe. Pastaj verbërohet dhe shurdhohet.
Melekët e autorizuara për në varr janë Munkeri dhe Nekiri.