Mbikëqyrësi i xhenetit dhe i xhehenemit

Dr. Musli Vërbani

Shkëputur nga "Besimi në melekët"

 

Mbikëqyrësi i xhenetit dhe i xhehenemit

 

Secili nga ne e dëshiron Xhenetin, shpresojmë në Allahun që të na bëjë prej banorëve të Xhenetit.

Secili nga ne frikësohet nga Xhehenemi, prandaj e lusim Allahun që të na largoj prej atij dënimi.

Zoti i Madhëruar ka autorizuar po ashtu mbikëqyrës për Xhenet dhe për Xhehenem.

Meleku i autorizuar për Xhenet është “RIDVANI” e ai i ka edhe ndihmësit e tij, ata i përgëzojnë dhe i urojnë besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet kur të hynë në Xhenet.

Thotë Zoti i Madhëruar:

“Nuk i pikëllon ata (besimtarët) trishtimi i madh por i takojnë melekët e u thonë: Kjo është dita e cila iu është premtuar juve”.

Thotë Zoti i Madhëruar:

“Melekët u hynë atyre nga secila derë, e u thonë: ”Selamun alejkum” për atë që keni duruar. Nuk ka finalizim më të mirë se kjo, aty ka vendbanime të mrekullueshme”.

Rojtari i Xhenetit quhet RIDVAN.

I pari i cili do ta hapë derën e Xhenetit është Muhamedi a.s. Thotë Enes bin Maliku se Muhamedi a.s. ka thënë:

“Do t’i afrohem derës së Xhenetit, do ta hapë, ndërsa rojtari thotë: Kush është? Do të them: Muhamedi. Thotë rojtari: Për ty jam urdhëruar me të lejua me e hapë këtë derë, e nuk mund që ta hapë askush para teje”.

Zoti i Madhëruar rojtarin e Xhenetit e ka quajtur RIDVAN sepse ai është i kënaqur me banorët e xhenetit. Prandaj RIDVAN d.m.th. i kënaqur.

Ndihmësit e tij qëndrojnë para dyerve të Xhenetit dhe i thërrasin besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet që të hynë në Xhenet varësisht prej veprave të tyre:

Kush falë namaz thirret nga dera e namazit. Kush ka bërë xhihad thirret nga dera e xhihadit. Kush ka agjëruar thirret nga dera e agjërimit (Rejan). Kush ka dhënë sadaka thirret nga dera e sadakës.

Disa thirren nga të gjitha dyert e lartpërmendura.

Meleku i autorizuar për mbikëqyrjen e Xhehenemit quhet “MALIK”. Quhet kështu sepse kjo d.m.th. e ka përmbajtjen e të “fuqishmit (të fortit)”.

Zoti i Madhëruar për t’i ndëshkuar banorët e Xhehenemit Malikun e ka bërë të fortë dhe të fuqishëm. Ai i ka edhe ndihmësit dhe bashkëpunëtorët për t’i dënuar jobesimtarët.

Thotë Zoti i Madhëruar: “Mbi të (Xhehenem) mbikëqyrin nëntëmbëdhjetë. Ne mbikëqyrës të zjarrit të Xhehenemit nuk kemi përcaktuar tjetër përpos melekët. Dhe numrin e përcaktuar të tyre nuk e kemi bërë për asgjë tjetër vetëm se për t’i sprovuar (ndëshkuar) ata të cilët nuk besojnë”.

Thotë Zoti i Madhëruar:

“Mbi të (Xhehenem) janë melekët e ashpra dhe të forta”

Të këqijtë ndëshkohen me zjarr së bashku me jobesimtarët. Pas ndëshkimit të rreptë ata dëshirojnë t’i shpëtojnë zjarrit dhe e thërrasin mbikëqyrësin e xhehenemit për t’i shpëtuar por ai nuk iu përgjigjet lutjes së tyre.

Thotë Zoti i Madhëruar:

“Ata që janë në zjarr u thonë rojeve të tyre në Xhehenem, luteni Zotin e juaj që të na lehtësojë neve një ditë prej dënimit. Melekët e Xhehenemit thonë: A nuk iu kanë ardhur të dërguar prej mesit të juve me argumente të qarta. Banorët e Xhehenemit përgjigjen: Po gjithsesi, atëherë melekët e Xhehenemit u thonë pra thirrni ata. Por lutja e jobesimtarëve është vetëm humbje e asgjë tjetër”.

Melekët e xhehenemit quhen Zebanije.

Thotë Zoti i Madhëruar: “Do t’i thërrasim Zebanijet (për t’i ndëshkuar banorët e Xhehenemit)”.

Lini një koment