Nata e Kadrit dhe rruga për të arritur tek Allahu dhe e vërteta e Emrit të madh
Tre muajt, janë sezoni më i rëndësishëm për t’u afruar me Allahun. Renditja e tyre është si në vijim:
- muaji rexheb,
- muaji shaban, dhe
- muaji ramazan.
Muajt, me të cilët muslimanët përgatiten për të pritur natën e Kadrit, të cilën natë Zoti i Lartmadhëruar në Kur’anin fisnik e ka cilësuar se është më i vlefshëm se një mijë natë, përafërsisht tetëdhjetë e disa vite, kjo është edhe mesatarja e kohëzgjatjes së jetës së njeriut, që do të thotë se është e vlefshme sa e gjithë jeta.
Na është treguar se Zoti i Lartmadhëruar i zbret melekët enkas për ata të cilët veprojnë në këtë natë, dhe po ashtu te ta e zbret edhe shpirtin e shenjtë (Xhibrilin). Me këtë sinjalizon se ata të cilët arrijnë vlerën e natës së kadrit janë me pejgamberët, me të cilët ndërlidhen edhe melekët, e kjo tregohet në suretul Kadr dhe suretul Fusilet:
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Me të vërtetë, atyre që thonë: – Zoti ynë është Allahu, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: – Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni xhenetit që u është premtuar.”
“Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’u dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë” (Fusilet : 30-32)
Këto janë ajete të cilat i ndërpresin iluzionet e atyre të cilët pretendojnë dhe e përkufizojnë zbritjen e melekëve për të mirët vetëm në çastin e vdekjes ose vetëm kur të ringjallemi. Pa dyshim se këto ajete e kanë përcaktuar detyrën e melekëve, që kur të zbresin janë në shërbim të njerëzve, përkujdesjen ndaj tyre, plotësimin e nevojave të tyre dhe marrjen përsipër të çështjeve të tyre si në këtë botë edhe në botën tjetër. Kjo është kështu pasi që melekët atyre u drejtohen me lajmin e gëzueshëm nga lartë, për përkujdesjen ndaj besimtarëve të cilët i përmbahen sheriatit islam, se ata do të jenë të lumtur “në këtë botë dhe në botën tjetër”. Pra, në të dy botët, ashtu siç ka ardhur në suretul Kadr:
“E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.” (El-Kadr : 2-4)
Kjo është njëra prej dukurive të Natës së Kadrit. Me këtë nënkuptojmë se nata e kadrit është lidhja e fortë në mes të robit dhe Allahut dhe në mes të robit dhe melekëve të Zotit të Tij.
Përpos kësaj, në realitet, nata e kadrit vjen në ramazan, të cilit muaj i paraprinë nata në të cilin është bërë lidhja në mes të Krijuesit dhe krijesës, e ajo natë është nata e njëzetë e shtatë e muajit Rexhep, në të cilin muaj muslimanët i shpeshtojnë lutjet e tyre dhe përkujtimet ndaj Allahut dhe në namazet e tyre përqendrohen të jenë të sinqertë ndaj Zotit të Lartmadhëruar. Më pastaj është nata e kërkim faljes e cila është nata e mesme e muajit shaban, ashtu siç e ka përmendur edhe vet i dërguari i Allahut s.a.v.s. Më pastaj vjen nata e parë e muajit ramazan. Në secilën natë qëndron një pjesë, ashtu siç e ka sqaruar suneti fisnik.
Në secilën natë ka udhëzime dhe frymëzime, ose çelësin prej çelësave të Natës së Kadrit, të cilat në të shumtën e rasteve ndodhet në të. Themi kështu, nga shkaku se nëse nata e Kadrit është nata e pranimit të lutjeve dhe pranimfalja e gabimeve tona, atëherë Allahu i Lartmadhëruar na përgjigjet në netët e Ramazanit dhe në netët tjera pos netëve të muajit Ramazan, si f.v. vetëm në natën e 27, por është e shpërndarë në të gjitha netët tjera, mirëpo përcaktohet për atë i cili i hap dritaret e shpirtit të tij për ta pritur me vepra të cilat e kënaqin Allahun dhe me to mëshirohen njerëzit, ashtu që të rrënjoset feja islame në veten e tij dhe te të tjerët të cilët janë rreth tij.
Për këtë arsye, i nderuari Muhjidin bin Arabiu ka thënë se nata e kadrit, është e paraparë që të jetë nata e miraxhit, ashtu siç e ka paraparë në natën e mesme të muajit shaban, ashtu siç e ka paraparë në të gjitha ditët e të gjithë muajve të vitit. Ajo është nata e veçantë për t’u pranuar lutja nga kategoria e të mirëve prej njerëzve, prej dashamirëve të Allahut të Lartmadhëruar.
Për këtë arsye, Ibni Mesudi dhe disa sehabe tjerë, mendojnë se nata e Kadrit në vetvete është në çdo ditë të bekuar të vitit.
Çka është nata e Kadrit?
A është energji e cila hapet nga qielli dhe jep dritë e cila i shndritë muret e dhomave të fjetjes dhe rrezaton në gjumin tonë, siç transmetojnë njerëzit e rëndomtë në tregimet e tyre dhe ua tregojnë fëmijëve të tyre këto tregime për t’u lutur me lutjet e njohura, e që njëra prej atyre lutjeve është: “O Zoti im, më jep pasuri të pakufishme, lutjen mos ma refuzo dhe më bën që të hy në xhenet pa llogari.”, e tjera transmetime të tjera të cilat i transmetojnë njerëzit e rëndomtë dhe disa tregues të devotshëm?.
Fuqia për të arritur tek Allahu
Sido që të jetë, nata e Kadrit, absolutisht, është natë e fitimit të energjisë, jo në kuptimin e ushqimit, por në kuptimin e fuqisë dhe gjithsecili merr prej asaj energjie nga Zoti i tij varësisht prej veprave të tij ndaj Zotit të tij. Energjia nga vepra e mirë e cila depërton në jetën tënde, pa bërë mëkate, e cila pastaj mbetet në ushqim, përpos një pjese të vogël, dhe prej angazhimeve dhe ideve mendore në jetën e natës tënde, duke lexuar Kur’an dhe duke vepruar me të, që nënkupton veprën tënde, e përputhur me leximin e Kur’anit, në atë masë të cilën e paraparë Krijuesi i Lartmadhëruar, “dhe kur ta lexojmë atë, pasoje leximin e tij” (El Kijame : 18).
Këtë Kur’an të pastër ndërlidhe gjatë gjithë vitit derisa të ndriçosh të gjitha organet e trupit tënd dhe t’i pastrosh nga ndyrësirat e veprimeve dhe fjalëve tua. Dhe gjatë vetmisë tënde, ushqimi dhe angazhimi yt t’i ofroj shpirtit tënd ushqimin e vetëm, e ai është përkujtimi i Allahut, pa marrë parasysh a je në namaz apo i ulur, ktheje fytyrën tënde tek Zoti i Lartmadhëruar me zemrën dhe gjuhën tënde, ose duke e lexuar Fjalën e Tij, deri sa ta forcosh shpirtin tënd, deri sa atë natë të lidhesh me Zotin dhe ta njohësh Atë.
Shpirti kalon aty ku ti mendon, e ky është sekreti i thënies së pejgamberit s.a.v.s.
Robi, prej namazit të tij nuk ka asgjë tjetër pos asaj për të cilën është përkujdesur, ajo ngrihet lartë si vetëtimë duke e lexuar fjalën e Allahut atë ditë kur të plotësohet besimi yt praktik dhe i përmbahesh ligjeve të Tij dhe i fton njerëzit në kushtetutën e Tij. “Tek ai ngrihet fjala e mirë, po ashtu edhe vepra e mirë ngrihet tek Ai.” (Fatir : 60)
Kështu qëndron deri sa të arrin në vendin e dëshmive:
“O njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (El-Inshikak : 6)
Ti je dëshmitar, ti je i gjallë, e lufton të keqen, i përmbys idhujt e epsheve të cilat janë të ndaluara për veten tënde dhe për njerëzit.
Rrezet e dritës në natën e Kadrit nuk vijnë nga energjia e mureve dhe mbulesave, ato burojnë nga veprat e tua dhe leximi yt, nga namazi yt, të cilat i shpërthejnë të gjitha mbulesat dhe pengesat.
Ajetet ngrihen me shpirtin tënd, nga vendbanimi yt, mu sikurse të jenë vetëtimë apo vetëtima, që të bëhen ndërmjetësuese në mes të Zotit të Lartmadhëruar dhe trupit tënd, të cilin e ke ndërtuar me veprën tënde, me atë lexim të Kur’anit dhe të veprimit të sinqertë vetëm për Zotin e Lartmadhëruar dhe nuk mbetet ndonjë mangësi e cila e pengon lidhjen me Zotin e Lartmadhëruar dhe kjo i bie, sikurse trupi yt me veprat e Kur’anit është bërë Kur’an në vete, dhe kështu, Kur’ani është bërë sikurse të jetë dy Kur’ana, ti i cili vepron me të, je bërë si fotokopje, pra i dubluar. Atëherë e sheh veten tënde se je bërë, trup me shpirt, si lloj fjalimi hyjnorë, pra je bërë që të të bekojë Allahu dhe kjo paraqitet me emrin e Tij (Përgjigjës i thirrësit) ose je bërë shërues i cili i shëron dhimbjet e tua dhe dhimbjet e tjerëve duke e thirrur me më shumë se një emër të bukur prej emrave të bukur të Allahut. Dhe para vetes tënde reflektojnë ato emra dhe të mirat e atyre emrave. “Allahut i takojnë emrat e bukur dhe lutjuni nga dhuntitë e Allahut” (El-Earaf : 180) Secili merr në masë të veprës së sinqertë të cilën e ka vepruar vetëm për madhërinë e Zotit të Lartmadhëruar: “Ai e zbret shiun nga qielli dhe rrjedhin lumenjtë me masë.” (Err-Rread : 17), dhe disa bekime të Allahut për ne: “Ai (Allahu) është i cili dërgon salavate për ju, edhe melekët e Tij, që të ju nxjerr nga errësira në Dritë. Allahu është i Mëshirshëm për besimtarët.” (El-Ahzab : 43). “Dhuratat e Zotit tënd nuk i mohohen askujt.” (El-Isra : 20)
Mirëpo këto bekime (dhunti) të Allahut, për ne nuk janë vetëm dhurata, dhe të pamerita, por këto i dhurohen atij i cili angazhohet me vepra të sinqerta, duke pritur dhe shpresuar në shpërblim nga ana materiale dhe në aspektin edukativ më lartë se krijesat tjera:
“Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua! Çasti do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kijametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.!” (TaHa : 14-17)
Termi “çasti” nuk ka të bëjë vetëm me Ditën e Kijametit. Kjo, gjithashtu përfshinë edhe çastin e pranimit të lutjes dhe natën e kadrit, të cilën e ka sqaruar pejgamberi s.a.v.s., se ai çast dhe ajo natë vjen fshehurazi.
Por ti je ai i cili e ndriçon rrugën tënde me veprat e mira dhe përkujtimin e shpeshtë dhe me namazin tënd, deri sa ta arrish atë, ose që të arrij te ti, e kjo, atëherë kur namazi yt me salavatin e Zotit tënd takohet te ti ashtu siç Zoti i Lartmadhëruar e pasqyron në suretul Kamer:
“Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar.” (El-Kamer : 11, 12)
Allahu është Dritë, e cila e përfshinë gjithësinë dhe çka ka në të, ndërsa veprat e tua janë dritë e cila prodhohet në shpirtin dhe qenien tënde, forcohet me forcën e veprave tua, deri sa të shpërthejë trupi nga gabimet e shumënumërta. Dhe ndërlidhet me dritën, dega me bazën e tij dhe me atë që është burimi i dritës në natën e kadrit, që nënkupton se bëhet e ndërlidhur, me fjalë tjera, dituritë e tua ndërlidhen me bazën e diturive që prej asaj nate, siç është rasti me shokun e Musait a.s.:
“Dhe Ne i dhamë atij mëshirë nga Ne, dhe e mësuam me diturinë Tonë.” (El-Kehf)
“Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë.” (Suretu Nur : 35)
Kjo nënkupton se, Zoti i Lartmadhëruar udhëzon me dritën e Tij cilin të dojë prej robërve të Tij. Kjo edhe dëshira janë vepra e sinqertë nga robi dhe jo vetëm dëshira e zbrazët pa vepra. Shtëpitë të cilat kanë marrë leje që të ngrihen, janë zemrat, pra shpirtrat me madhërimet e tyre zgjohen të ngritura te Zoti me kujtimet e tyre (dhikrin). Shpirti në veten tënde, dhe çka ke rreth teje, kur ta kujtosh Zotin tënd, zgjerohet deri sa ta përfshijë trupin tënd, dhe përfshinë të gjitha anët dhe plotësohet ndërlidhja me dritën e qiejve dhe të tokës, që do të thotë me Allahun. Dritë përmbi dritë. Yndyra e zemrave të cilat ndriçojnë janë përkujtimet ndaj Allahut, të cilën na e ka mësuar Zoti i Lartmadhëruar me fjalët e Tij. Dhikri dhe tesbihi i përditshëm.
Zoti të kujton ty ashtu që vepra jote mos të të tradhtojë, mos të të gënjejë, të mos lë asgjë pas dore, në shtëpinë tënde të mos anashkalohet trashëgimia e cila është farz, ashtu që vajzës të mos i lejohet e drejta trashëgimore, në namazin tënd, sa i përket shoqërisë tënde, të publikohet ligji i Allahut dhe fjala e Zotit në të gjitha manifestimet:
“Dhe kush më kujton në ambient publik, Unë e kujtoj në një ambient publik të mirë.” Kështu është vërtetuar në hadith kudsij nga Zoti i Lartmadhëruar.
Kështu realizohet ngritja lartë e më lartë, çdo herë kur e shpeshton përmendjen e Zotit. Nëse e kalon natën i vetmuar me përmendje të Zotit tënd, si f.v., në natën e miraxhit, ose në natën e mesme të muajit shaban, ose në ditën e parë të ramazanit, ose të çdo nate të ramazanit, ose në ndonjë natë prej netëve të vitit, dhe do të zbulohet çelësi për të arritur te pranimi i lutjes. Do të të zbulohet ty çelësi i lutjeve dhe zbulimi i fjalëve më të mira për lutje, të cilat nuk kanë përfunduar dhe kurrë nuk do të përfundojnë, lutje të cilat nuk thuhen vetvetiu por ato lutje dhe pranimin e atyre lutjeve e arrijnë vetëm fatlumet e natës së madhe të kadrit, të cilët e kanë fatin e robërve të Allahut, të cilët angazhohen dhe përpiqen vazhdimisht deri sa ta arrijnë qëllimin dhe lumturinë:
“Ti o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (El-Inshikak : 6)
Takimi me Zotin tënd ndodhë ose në natën e kadrit ose në momentin e dëshmorisë tënde, ose në xhenet, pas jetës së gjatë nëse veç je prej banorëve të xhenetit:
“Thuaj: – Padyshim se unë jam njeri sikurse ju, mua më shpallet se Zoti i juaj është një Zot i vetëm. Dhe kush dëshiron të takohet me Zotin e tij, le të veprojë punë të mira dhe në adhurim të Zotit, mos t’i bëhet idhujtari me askënd.” (El-Kehf : 110)
Shkëputur nga “Çelësi madhështorë”