Ettehijatu dhe Miraxhi

Dr. Musli Vërbani

 

Ettehijatu dhe Miraxhi

 

Zoti Lartmadhëruar, Muhamedit a.s. dhe umetit të tij të gjitha obligimet ia ka kumtuar nëpërmjet Xhibrilit, siç janë agjërimi, haxhi, zekati, përderisa për shkak të vlerës dhe rëndësisë së namazit, Zoti i Lartmadhëruar këtë obligim, pra namazin, e ka urdhëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Fjala namaz burimin e ka prej fjalës SILE që do të thotë LIDHJE. Pra, nënkupton të lidhurit e drejtpërdrejtë me Zotin.

Një prej pjesëve themelore të namazit është edhe ulja në fund të namazit në të cilën cilën ulje këndohet ETTEHIJATI, e cila ka rëndësi dhe vlerë të madhe në namaz.

Kjo lutje buron prej Miraxhit të Muhamedit a.s. në Sidretul Munteha, pra në kulminacionin e gjithësisë, aty ku përfundojnë gjithësitë dhe krijesat.

Kur Muhamedi a.s. është ngritur në Sidretul Munteha, i është drejtuar Zotit të Lartmadhëruar me fjalët:

ETTEHIJATU LILAHI VES SALAVATU VET TAJJIBATU, që do të thotë: “Çdo përshëndetje, çdo bekim dhe çdo mirësi është për Zotin.”

Zoti i Lartmadhëruar i thotë:

ESSELAMU ALEJKU EJJUHEN NEBIJJU VE RAHMETULLAHI VE BEREKATUHU, që do të thotë: “Paqja, begatia dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju o i dërguar.”

Muhamedi a.s. i përgjigjet:

ESSELAMU ALEJNA VE ALA I BADIL-LAHI SALIHINË, që do të thotë: “Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e mirë dhe të devotshëm.”

Ky ishte pra dialogu i zhvilluar në Sidretul Munteha, në mes Zotit të Lartmadhëruar dhe Muhamedit a.s.. Këtë dialog e ka përcjellë Xhibrili besnik i cili në atë moment e deklaron dëshminë e shehadetit:

ESHHEDU EN LA ILAHE IL-LA-LLAH VE ESHHEDU ENNE MUHAMMEDEN ABDUHU VE RESULUHU, i cili në gjuhën shqipe do të thotë: Dëshmoj dhe deklaroj se vetëm Allahu është Zot dhe dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është i dërguar i Zotit dhe rob i tij.

Kjo është vula e fesë islame, ky është kushti i fesë islame dhe çelës i hyrjes në fenë islame.

Në suren Fatir Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Tek Ai (Allahu) ngrihen fjalët e mira dhe veprën e mirë e ngrit Vet Ai.” (El Fatir : 10)

 

 

Lusim Zotin e Lartmadhëruar që namazi, fjalët e mira dhe veprat e mira të ngrihen dhe të pranohen tek Ai.

Lini një koment