Istigfari, lutja dhe adhurimi

Istigfari, lutja dhe adhurimi

 

-1-

 

Në emër të Allahut, Bamirësit të përgjithshëm, Mëshiruesit!

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“…Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh : 10-12)

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Xhinët dhe njerëzit i krijova vetëm për të më adhuruar.” (Edh-Dharijat : 56)

Po ashtu Zoti Lartmadhëruar thotë:

“Lutmëni Mua, ju përgjigjem” (Gafir : 60)

Nuk ka dyshim në atë se: istigfari, adhurimi dhe lutja janë mjete të njerëzve të mirë.

Njerëzit e tillë: e lavdërojnë Allahun, ndjenjat e tyre janë motivuese dhe ata në çdo kohë janë me Allahun.

Kështu kanë qenë gjenerata jonë e parë e mirë. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë, zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë, e që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf : 28)

Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.” (Es-Sexhde : 16)

“Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat : 17, 18)

Në këtë mënyrë kanë arritur në gradën më të lartë, në të cilën nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë përpos nëpërmjet kësaj rruge, pra rruga e cila është: rruga e angazhimit, sakrifikimit, thjesht ata janë ata të cilët e shesin veten dhe pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, me fjalë tjera shpirtrat e tyre dhe pasuritë e tyre janë blerë prej Allahut duke ju siguruar atyre Xhenetin. Edhe pse ata e shpenzojnë jetën dhe pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, ndërsa në realitet shpenzojnë për të kënaqur: vëllanë, fqinjin, bashkëkombasin, nevojtarin, të varfrin.

Në të vërtetë ata shpenzojnë në rrugën e vendit islam dhe shoqërisë së besimtarëve. Për këtë arsye të parët tanë e kanë pasur parim, “që nga pasuria e tyre, ka detyrë të caktuar për lypësin dhe të paaftin.” (El-Mearixh : 24, 25)

Kanë qenë ashtu siç i ka cilësuar Allahu:

“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët,

të cilët janë të përulur në namazin e tyre,

të cilët shmangen nga fjalët e kota,

të cilët japin zekatin,

të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme),

përveçse me gratë e tyre ose me ato që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë,

ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve),

të cilët u përmbahen amaneteve dhe detyrimeve të marra

dhe të cilët i kryejnë rregullisht faljet.

Pikërisht ata do të jenë trashëgimtarët,

që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.”

(El-Muëminun : 1-10)

Ky mentalitet ka qenë te të parët tanë, Zoti i mëshiroftë, dhe për shkak të istigfarit, adhurimit dhe lutjeve, për shkak të çështjeve të cilat i kanë realizuar në shërbim të fesë së Allahut dhe të edukuarit me edukatën të cilën e ka paraparë Allahu i Lartmadhëruar, kjo botë u është nënshtruar atyre, dhe jeta u është përulur. Janë ndier krenarë me islamin dhe islami është ngritur me to, andaj superfuqia aso kohe i takonte Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve.

Ishin adhurues gjatë natës, ndërsa kalorës gjatë ditës, ishin në sinqeritet ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, andaj Allahu ua ka realizuar çka ju ka premtuar “…dhe nëse i ndihmoni Allahut, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon juve” (Muhamed : 7)

  

 

-2-

 

Pastaj filloi mashtrimi ndaj kësaj bote dhe kalimi në jetë tepër luksoze. Depërtoi filozofia greke me idhujtarinë e vet, me materializmin e vet, me modernizimin dhe me kulturën e vet.

Dhe nga: Besimi praktik pozitiv filloi paraqitja e një rryme besimi teorik negativ, i cili me kalimin e kohës është rritur dhe është zhvilluar, kështu që armiqtë e islamit janë shtuar dhe janë shpërndarë, deri sa e realizuan qëllimin e tyre. Ashtu që në mesin e besimtarëve dominoi ana teorike negative ndaj anës praktike pozitive dhe besimi ishte vetëm besim formal dhe simbol prej simboleve e cila nuk reflekton, nuk sjell fryte dhe nuk paraqet pozitivitet. U paraqit çështja e formalizmit (ekspozimit) në fe, që do të thotë se filluan debate në çështje të besimit, në atë se cili besimtar shpërblehet dhe cili nuk shpërblehet. Filluan debate se cilët i urren Allahu dhe i dërguari i Tij, duke u arsyetuar në atë se Allahu dhe i dërguari i tij i urrejnë ata të cilët ekspozohen në fe.

 

– 3 –

 

Pa dyshim se Zoti i Lartmadhëruar nuk e ka lënë fenë islame në dorë të një grupi prej grupeve, kështu që një grup ka bërë thirrje që të bëhet kthimi me vepër e të lihet anash formalizmi. Në këtë fushë u paraqitën shumë kolos, e njëri prej tyre është Imam Gazaliu (Zoti e mëshiroftë) i cili ka dashur:

– ta riaktivizoj konceptin islam,

– ta rikthej shpirtin të cilin e kishte varrosur ekspozimi,

– të lulëzoj (ta njomë) atë e cila ishte vyshkur prej filozofisë idhujtare e materialiste të rrjedhur nga besimi grek.

Ka dashur që njerëzit t’i kthej në:

– istigfarë, adhurim dhe lutje,

– të i orientoj në leximin e Kur’anit dhe të vepruarit me të, të edukuarit me edukatën e Kur’anit dhe që të jenë besimtarë të devotshëm.

Programin të cilin e ka projektuar Gazaliu është projektim në përputhshmëri me realitetin dhe në realizimin e suksesit në bazë të rregullave bazë, e njëra prej tyre ishte: mosnënshtrimi ndaj kësaj bote.

Në programin e tij shihen rrezet shpirtërore dhe orientim frymëzues nga Allahu për ata të cilët dëshirojnë të drejtohen në rrugën e drejtë.

Libri i tij, (Zoti e shpërbleftë me të gjitha të mirat) me titull “Riaktivizimi i shkencave të fesë” është dritë dhe thirrje e fuqishme që t’i kthehemi librit të Allahut dhe sunetit të dërguarit të Tij dhe kthimit në istigfarë, adhurim dhe lutje.

 

-4-

 

Ne, sot jetojmë sikurse në kohën në të cilën ka kaluar bota islame në kohën kur ka jetuar Imam Gazaliu. Në atë kohë bota islame ka qenë larg Kulturës islame, ashtu sikurse sot të gjitha vendet islame janë larg kulturës islame.

Kultura perëndimore, posaçërisht ana e saj materialiste dhe kapitaliste, na mbulon në të gjitha poret e jetës dhe dëshiron të depërtoj në çdo pjesë të fesë islame.

Besimi ynë ka filluar të zhvishet sikurse kur zhvishet pema nga gjethet e saj në sezonin vjeshtorë, dhe orientimi ynë tek Allahu ka mbetur vetëm si formalitet prej formaliteteve dhe simbol prej simboleve, po ashtu edhe ky formalitet në mesin tonë është i rrallë dhe si rezultat i kësaj është pozita në të cilin gjendet bota islame si individualisht ashtu edhe si shoqëri.

 

-5-

 

Nëse dëshirojmë jetë krenarie dhe jetë të lumtur është e patjetërsueshme të kthehemi në istigfarë, adhurim dhe lutje. Çdo angazhim i muslimanit duhet rikthyer gjurmëve të parëve tanë, angazhim i cili regjistrohet në regjistrin e të mirave. Ai është një angazhim i cili prodhon dhe edukon besimtarë të sinqertë, të mençur dhe falënderues ndaj Allahut.

Kjo është ajo që na bën të lumtur të ju paraqesim në këtë drejtim angazhimin e vëllait tonë profesor Ibrahim Muhamed el-Betaviju i cili është prijës i prijësve në thirrjen e rrugës së drejtë në kohën tonë.

 

-6-

 

Përfundim

 

Ajetet fisnike të cilat i kemi paraqitur në këtë libër, padyshim, tregojnë qartazi se istigfari është shkaku i të mirave të kësaj bote dhe të botës tjetër. Ashtu siç është shkak për falje të gabimeve është edhe çelje e derës së furnizimit nga qielli dhe për shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve dhe se atij i cili kërkon falje Allahu i sjell lumenj, bashqe dhe forcë. Në këtë kuptim është thënia e Zotit të Lartmadhëruar:

“Kërkoni falje te Zoti i juaj dhe kthehuni te Ai ju sjell nga qielli ujë të mjaftueshëm, dhe ju shton fuqi në fuqinë e juaj, dhe mos u miqësoni me kriminelët”.

Kur’ani dhe suneti në mënyrë të përgjithshme tregojnë se istigfari, adhurimi dhe lutja sjellin fryte dhe lumturi në këtë botë dhe lumturi në botën tjetër.

Istigfari, adhurimi dhe lutja të çlirojnë nga fatkeqësia e fatkeqësive dhe të qetësojnë nga pikëllimi i pikëllimeve dhe të qetëson nga hidhërimi i hidhërimeve:

– Jaëkubit a.s. i është kthyer djali dhe është gëzuar,

– Është liruar Jusufi nga burgu,

– Nga barku i peshkut është shpëtuar Junusi,

– ka qenë shkak i pranimit të pendimit të Ademit.

Të gjitha këto kanë qenë si rezultat i istigfarit, lutjes dhe adhurimit.

 

Zoti i Lartmadhëruar thotë :

“Zoti nuk i dënon ato përderisa ata kërkojnë falje.” (El-Enfal : 23)

E vërteta është se istigfari, adhurimi dhe lutja reflekton edhe më shumë se kaq, sepse me lejen e Zotit ia nënshtron dëshirës së njeriut botën dhe tokën, siç është rasti me mbretërinë e mbretëreshës së Sebeit para lëvizjes së këmbës, bile së bashku me fronin.

Istigfari e ngrit njeriun në gradën saqë Allahu i bëhet njeriut:

– dëgjimi i tij, pra dëgjon me dëgjimin e Zotit,

– shikim, i cili sheh me shikimin e Zotit,

– dorë e Zotit me të cilin vepron,

– nëse i kërkon diçka, Allahu i përgjigjet,

– nëse i kërkon mbrojtje Allahut, e mbron.

Pejgamberi s.a.v.s. e ka thënë të vërtetën kur na ka treguar këtë.

 

Dhe… po e përfundojmë këtë shkrim me thënien e pejgamberit s.a.v.s. të cilën e transmeton Buhariu: “Zoti ynë i Lartmadhëruar në çdo natë prej netëve në pjesë e tretë të natës zbret dhe thotë: Kush më lutet mua i përgjigjem, kush kërkon diçka i jap dhe kush kërkon falje e fali.”

 

Shkruar nga lapsi i ish rektorit të Univerzitetit të Ez-herit, Shejh Dr. Abdul Halim Mahmut, në Hyrjen e librit: “Çelësi i emrit madhështorë” të autorit Ibrahim Muhamed el-Betaviju.

 

Përktheu dr. Musli Vërbani

 

 

Lini një koment