Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga "Fikhu i haxhit"
Rruarja e kokës ose shkurtimi i flokëve
– vaxhibi i katërt i haxhit –
Argument për rruajtjen e flokëve ose shkurtimin e tyre kemi ajetin
kur’anor:
“Nëse dëshiron Allahu ju gjithsesi do të hyni në Mesxhidul Haram (Qabe) të sigurt me flokët e rruara dhe të shkurtuara.” (SURETUL FETH : 37)
Po ashtu kemi argument edhe sunetin e Muhamedit a.s.:
“Transmetohet nga Enesi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. arriti në Mine i gjuajti guralecët pastaj shkoi te vendbanimi i tij në Mine e preu Kurbanin dhe i tha rrojtarit: Merr nga këtu, dhe sinjalizoi në anën e djathtë të kokës së tij pastaj i tha: Vepro ashtu edhe në anën e majtë. Pastaj iu tha edhe tjerëve të veprojnë ashtu”. (AHMEDI, MUSLIMI DHE EBU DAVUDI)
– Të rruajturit e flokëve është më e vlefshme se shkurtimi i flokëve sepse transmetohet nga Ibn Amri r.a. se Muhamedi a.s. ka thënë:
“O Zoti ynë mëshiroj të rruarit (ata që i rruajnë flokët).
Të tjerët që ishin prezent thanë lutu edhe për ata që i shkurtojnë. Muhamedi a.s. tha:O Zoti ynë mëshiroj të rruarit.
Të tjerët që ishin prezent prapë i thanë lutu edhe për ata që i shkurtojnë.
Muhamedi a.s. tha: O Zoti ynë mëshiroi të rruarit.
Të tjerët që ishin prezent prapë i thanë lutu edhe për ata që i shkurtojnë.
Muhamedi a.s. tha: Edhe ata të cilët i shkurtojnë flokët”. (MUTEFEKUN ALEJHI)
Për gratë nuk është vaxhib me e qeth kokën por ata vetëm i shkurtojnë flokët. Për këtë kemi argument thënien e Muhamedit a.s. ku thotë:
“Gratë nuk e rruajnë kokën e tyre por vetëm i shkurtojnë flokët e tyre”.
Vaxhibi i shkurtimit të flokëve arrihet me shkurtimin e 1/4-tës të flokëve në kohë duke krahasua 1/4 e mes’hit të kokës gjatë abdestit.
Ai i cili nuk ka flokë fare (tullaci) vetëm e vendos briskun mbi kokë dhe vepron si me qethje të kokës me qëllim me u lirua nga ihrami.
Koha e qethjes së flokëve apo shkurtimit të tyre është gjatë tri ditëve të Bajramit çka d.m.th. nëse vonohet më shumë, ai vaxhib e ka me pre Kurban për vonimin e vaxhibit.
Vendi i të qethurit të flokëve apo shkurtimit të tyre është Qabja dhe Mina sepse Muhamedi a.s. me haxhin lamtumirës është qethur në Mine. Kush qethet në ndonjë vend tjetër përpos këtyre dy vendeve prenë Kurban.