Muhamed Ibrahim Selim
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Shkëputur nga: "Planprogrami për edukimin e fëmijës në bazë të Kur'anit fisnik"
Parimet për përmirësimin e gjendjes shoqërore
- Pas All-llahut, prindërit kanë përparësi që t’i duash dhe t’u bësh mirë më shumë se të tjerëve.
- Me prindërit sillu butësisht, folu fjalë të mira dhe lutu që të fitojnë mëshirën e All-llahut.
- Vepro që të fitosh kënaqësinë e prindërve dhe kërko që të t’i falin ty gabimet, sepse kënaqësia e tyre ndaj teje është kënaqësia e All-llahut.
- Babai e ka vendin më të ngritur në familje, me atë duhet konsultuar dhe prej atij leje duhet kërkuar.
- Prindin duhet dëgjuar, se duke e dëgjuar atë e ke dëgjuar All-llahun.
- Vëllai e forcon litarin e vëllait të tij dhe bëhen të fuqishëm.
- Vëllazëria ka të drejta dhe obligime. Dëshiro për vëllanë atë që e do për vete dhe lutu për vete dhe lutu për të.
- Vëllezërit duhet t’i planifikojnë çështjet së bashku dhe së bashku të planifikojnë për shpëtimin nga grackat e përgatitura.
- Dashuria, respekti dhe mëshira në mes të farefisit është prej urdhrave të All-llahut, andaj duhet t’i mbajmë dhe t’i forcojmë marrëdhëniet farefisnore.
- Ndaj të afërtit në familje ka obligime dhe detyra.
- Cilësi e muslimanit është që gjithmonë të flasë fjalë të mira.
- Shoqëria e besimit është shoqëri e vëllazërimit, shoqëri e pajtimit mes vëllezërve dhe shoqëri e devotshmërisë.
- Zemrat e besimtarëve duhet të jenë të pajisura me dashuri, duhet të jenë të pastra ndaj çdo zilie dhe urrejtje ndaj besimtarëve.
- Me fqinjët duhet të sillemi mirë, t’u flasim fjalë të mira pa marrë parasysh a kemi lidhje farefisnore apo jo.
- Me u sjellë mirë dhe me i fol fjalë të mira shokut të klasës, shokut të punës, shokut të udhëtimit.
- Udhëtarit i cili ka mbetur pa mjete financiare për t’u kthyer në vendlindje është obligim i yni që t’i ndihmojmë dhe t’i bëjmë mirë.
- Me jetimin mos u sjell ashpër.
- Lypësin mos e refuzo.
- Muslimani e ka të ndaluar që të cenojë të drejtën e muslimanit duke filluar prej vrasjes e çdo gjë tjetër.
- Muslimani e ka të ndaluar të prek në pasurinë e muslimanit, përpos asaj çka është e lejuar me sheriat.
- Personaliteti i muslimanit është i nderuar pa marrë parasysh a është prezent apo jo, ai i cili prek nderin e tij është mëkatar.
- Shoqëria islame është shoqëri nderi, pastërtie, sinqeriteti dhe çiltërsie.
- Rregullat e dashurisë, respektit dhe simpatisë, Zoti i Madhëruar i ka caktuar në vendkuvendimet e muslimanëve.
- Urtësia është simbol i muslimanit. Selami është përshëndetja e tyre.
- Polemikat dhe diskutimi duhet të bëhen me dialogë të afrimit dhe mirëkuptimit.
- Edukata e pejgamberit është mostra e shkëlqyeshme e muslimanëve.
- Fjalët e buta janë simbole të çdo besimtari të devotshëm.
- Vajzës nuk i ka hije të flasë me fjalë provokuese pasi pa dashje mund t’i nxisë ata të cilët i kanë zemrat e sëmura, andaj gjithmonë le të flasë fjalë të mira dhe të matura.
- Të drejtat e njeriut duhet të çmohen, të vlerësohen dhe nuk duhet cenuar.
- Duhet t’i ndihmosh atij i cili meriton t’i ndihmohet, por nuk ka nevojë ta ndihmosh atë që nuk e meriton të ndihmohet.
- Muslimani, në shoqëri duhet të luaj rolin e ndërtuesit, zhvilluesit, e jo shkatërruesit.
- Çdo musliman duhet të veproj në ndërprerjen e luftës dhe duhet të angazhohet për paqe dhe pajtim.
- Paqja duhet ruajtur, ndërsa agresorin dhe kriminelin duhet ndalur.
- Drejtësia është simbol dhe specifikë e muslimanëve dhe kjo urdhërohet edhe në çështje të dënimeve (ligjore) sepse All-llahu nuk i do agresorët.
- Muslimani duhet ta zbuloj realitetin dhe të vërtetën dhe duhet t’i konfirmoj lajmet në mënyrë që të mos bie në gabim e pastaj të pendohet.
- Edukatë e muslimanit është që të largohet nga fjalët e pamoralshme dhe ofenduese dhe nga ajo çka nuk i përket atij.
- Besimtari nuk flet haptazi (as fshehtazi) për imoralitet dhe të këqija, sepse këtë All-llahu nuk e dëshiron.
- Besimtari nuk kuvendon për mëkat dhe armiqësi.
- Besimtari është i moralshëm, fisnik dhe përshëndetjen e kthen me të mirë.
- Gratë janë motrat e meshkujve, nuk e urrejnë njëri-tjetrin por ndihmohen mes vete.
- Ne duhet t’i vlerësojmë njerëzit me vlera dhe t’ua japim respektin e merituar.
- Me mendimtarët dhe të mençurit duhet konsultuar dhe duhet të marrim mësim prej tyre.
- Shit-blerja duhet të bazohet në besnikëri, drejtësi, sepse ato janë simbol i besimtarit.
- Butësia me njerëzit sjell deri te kryerja e detyrave. Mbajtja e sekretit ndihmon në kryerjen e detyrave. Zgjedhja e mirë është ushqimi më i mirë të cilin njeriu e posedon prej Krijuesit të gjithësisë.
- Bashkimi është fuqi ndërsa ndarja dobësi.
- Konfrontimi dhe kundërshtimi i ndërsjellë shpie në dështim dhe dobësi.
- Garimi në punë të mira është i pëlqyer.
- Të gjithë ne jemi një popull-Umet, ky unifikim është prej All-llahut dhe duhet ta ruajmë unitetin.
- Allahu është kujdestar i vijës tonë, Ai i di pengesat të cilat do t’na pengojnë.
- Të larguarit nga kriminelët është fitim.
- Muslimani nuk pranon padrejtësi prej tjetrit, por as nuk i bën padrejtësi vetes e as tjetrit.
- I riu musliman e ka obligim të profesionalizohet në shkencën e fikhut të fesë në mënyrë që ta këshilloj popullin e tij.
- Muslimani gjithmonë përqendrohet në drejtësi dhe e thotë të vërtetën edhe nëse është në dëm të vetvetes.
- All-llahu është i drejtë, e do të drejtën, e ne e kemi obligim që ta qesim të drejtën në shesh.
- Është obligim mbajtja e besës dhe kryerja e premtimeve. Obligim është ndërlidhja farefisnore. Toka duhet të zhvillohet.
- Ulja e shikimit dhe ruajtja e nderit është urdhër i All-llahut edhe për besimtarët edhe për besimtaret.
- Shtëpitë janë të shenjta, ato duhet ruajtur. Për vizitat nëpër shtëpi ekzistojnë rregulla dhe norma të cilat janë edhe për vizitorin edhe për të vizituarin.
- Fëmijët kur të hyjnë në moshën e pjekurisë (bulug) le të kërkojnë leje.
- Elementi më i rrezikshëm në shoqëri është hipokrizia. I rrezikshëm është ai i cili kur flet rrenë, premton e nuk realizon, i besohet e tradhton, ai i cili e thotë atë çka nuk e ka në zemër por vetëm proklamohet.
- Mos kërko mbështetje dhe ndihmë prej armiqve të fesë dhe prej pabesimtarëve sepse ajo është cilësi e hipokritëve. Fuqia i takon All-llahut, të dërguarit të tij dhe besimtarëve.
Ndajeni këtë me të tjerët:
Të afërta